Pandemia COVID-19: humbjet fillestare në industrinë e gazit dhe naftës po rikuperohen me shpejtësi

Pandemia COVID-19: humbjet fillestare në industrinë e gazit dhe naftës po rikuperohen me shpejtësi

Qendra për Ekselencë në Gazetari (TCJE) në bashkëpunim me Nismën për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) organizuan në 23 Tetor në Shtëpinë e Librit Tirana Times një takim me gazetarë të ekonomisë.

Tema e takimit ishte ‘Pandemia Covid-19 dhe industria e hidrokarbureve në Shqipëri’. Qëllimi i takimit ishte prezantimi i gazetarëve me zhvillimet e fundit në industrinë e naftës dhe gazit në Shqipëri dhe pasojat e pandemisë në këtë sektor.

Takimi u çel nga Ambasadori i marrëdhënieve me publikun i EITI-t, Ledion Krisafi, i cili bëri një panoramë të situatës së përgjithshme në Shqipëri në kushtet e pandemisë Covid-19, dhe sesi ajo ka ndikuar në ekonominë e vendit në përgjithësi dhe industrinë e naftës dhe gazit në veçanti. Z. Krisafi bëri një përmbledhje të historikut të industrisë së naftës në Shqipëri që prej rënies së regjimit komunist, duke e vënë theksin tek rimëkëmbja e saj në vitet e fundit.

Z. Genci Tërpo, Drejtor i Nismës për Transparencën e Industrive Nxjerrëse në Shqipëri bëri një prezantim të hollësishëm të situates së Covid-19 dhe industrisë së naftës dhe gazit në Shqipëri. Ai tha se është ende herët për të bërë një vlerësim të plotë të pasojave që rrjedhin nga pandemia e Covid-19 në industrinë e naftës në Shqipëri, megjithëse ndikimi fillestar ka qenë i konsiderueshëm edhe pse më i vogël krahasuar me vendet e tjera. ‘Efektet e pandemisë janë vërejtur kryesisht në sektorin e naftës në tremujorin e dytë të vitit 2020. Një efekt të konsiderueshëm ka sjellë edhe rënia e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare si rezultat i rënies së kërkesës për naftë’ u shpreh Z. Tërpo.

Ai gjithashtu tha se AlbPetrol dhe Bankers Petroleum ndërprenë proceset e prodhimit për një periudhë të caktuar ndërsa doganat u përballën me një deficit të lartë të të ardhurave nga kjo industri. Rënia e të ardhurave nga ky sektor për periudhën mars-prill ishte 2.3 miliardë lekë, pasi eksportet e naftës u ulën me 24 mijë tonë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa në shkurt ato ishin 6 tonë më të larta se në shkurt 2019. Z. Tërpo u shpreh se të ardhurat e akcizës u ulën me 1 miliard lekë, nga TVSH-ja 600 milion lekë dhe nga renta minerale 180 milion lekë.

z.Tërpo theksoi gjithashtu ndërhyrjen e qeverisë shqiptare me qëllim lehtësimin e pasojave nga pandemia në industrinë e naftës. Që prej fillimit të pandemisë, Ministria e Energjisë ngriti një task forcë speciale për të bërë një vlerësimin të ndikimeve nga pandemia Covid-19 në industrinë e naftës dhe për të rekomanduar masat e nevojshme. Në mbyllje të fjalës së tij, Z. Tërpo tha se sektori i naftës ka nisur të rimëkëmbet dhe se efektet po ndihen edhe në sektorë të tjerë që lidhen me të.

Takimi u mbyll me pyetjet e gazetarëve rreth pasojave të mundshme në rast të një karantine të dytë kombëtare dhe shanset që ka industria e naftës për të mbijetuar në kushtet e një mbylljeje tjetër të aktivitetit. Gjithashtu, gazetarët  kërkuan informacion mbi mënyrën sesi pandemia Covid-19 ka ndikuar në investimet e reja në industrinë e naftës dhe perspektivën e hyrjes së kompanive të tjera në tregun shqiptar.