Shqipëria ka një industri nxjerrëse të mineraleve dhe naftës që po zhvillohet gjerësisht duke tërhequr investitorë vendas dhe të huaj. Kjo shpreh qartë rëndësinë që ka ky sektor, menaxhimin me transparencë të tij, si edhe përfshirjen e Shqipërisë në Nismën për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse.
EITI si iniciativë ndërkombëtare filloi në vitin 2002, në Samitin Botëror për Zhvillimin e Qëndrueshëm në Johanesburg. Qeveria Shqiptare e mbështeti këtë iniciativë dhe u angazhua për zbatimin e EITI-t, në muajin mars 2009 dhe u bë vend kandidat i EITI në muajin maj 2009.
Sekretariati Shqiptar EITI u krijua me vendim të Këshillit të Ministrave datë 07.07.2010. Po kështu me Urdhër të Kryeministrit, më 21.07.2011 u krijua dhe Grupi Ndërinstitucional i Punës, me pjesëmarrjen e shoqërisë civile, kompanive që operojnë në industrinë nxjerrëse dhe qeverisë. Grupi Ndërinstitucional i Punës udhëhiqet nga zv. Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, i ngarkuar për zbatimin dhe mbikëqyrjen e kësaj nisme në Shqipëri.
Në prill 2011 Shqipëria ka publikuar raportin e saj të parë të pagesave në industrinë nxjerrëse për vitin fiskal 2009. Nga raporti rezulton se ka diskordanca të parëndësishme ndërmjet pagesave të kompanive dhe të ardhurave të deklaruara nga shteti.
Në gusht 2011 u publikua raporti i Validimit mbi implementimin e EITI në Shqipëri.
Në qershor 2012 Shqipëria përgatiti raportin e dytë të pagesave për vitin fiskal 2010.
Më 2 maj 2013, Shqiperia anëtarësohet në EITI. Bordi Ndërkombëtar EITI, e shpalli Shqipërinë vend anëtar në përputhje me standartet EITI. Me anëtarësimin e vendit në EITI ndryshoi dhe VKM për Sekretariatin: VKM nr. 993 datë 09.12.15 për organizimin dhe funksionimin e Sekretariatit Kombëtar të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI Shqipëri), në kuadër të anëtarësimit në organizimin ndërkombëtar EITI International
Përputhja me standardet EITI do të thotë se vendi ka një proçes efektiv për deklarimin vjetor dhe rakordimin e të gjitha të ardhurave që vijnë nga sektori i industrisë nxjerrëse. Ky proçes u lejon qytetarëve të shohin se sa të ardhura merr vendi i tyre, nga kompanitë e naftës, gazit dhe minierave.
Brenda vitit 2014 Shqipëria publikoi 2 raporte EITI, më 27 Qershor 2014 Raportin EITI 2011 dhe më 21 Nëntor 2014 Raportin EITI 2012, të cilat janë përgatitur në përputhje me Standartin e ri EITI.
Më tej më 23 Dhjetor 2015 Shqipëria publikon Raportin EITI për dy vite fiskale 2013 dhe 2014, në përputhje me Standartin EITI dhe ku për herë të parë u përfshi dhe Sektori Hidroenergjetik.
Në 1 Shkurt 2017 Shqipëria publikoi raportin për vitin fiskal 2015 në përputhje me Standartin e ri EITI.
Gjatë vitit 2017, Shqipëria ju nënshtrua proçesit të Validimit Ndërkombëtar nga Bordi Ndërkombëtar EITI me qëndër në Oslo, për implementimin dhe performancën e Standarteve EITI.
Në muajin Shkurt 2018 Bordi Ndërkombëtar EITI doli me vendimin zyrtar që Shqipëria ka bërë një Progres Domethënës në zbatimin e Standardit EITI.
Në Raportin zyrtar të Validimit konstatohet se Shqipëria në 55% të Kapitujve ka ecuri shumë të Kënaqëshme (ku përfshihet angazhimi i Qeverisë, angazhimi i Biznesit, Kuadri Ligjor, kontributi në Ekonomi , Debati Publik etj); në gati 45% të Kapitujve ka ecuri Domethënëse (Drejtimi i MSG, Angazhimi i Shoqërisë Civile) dhe vetëm 5% janë vlerësuar si të Pamjaftueshme, ose pa progres.
Në 15 Shkurt 2018, Sekretariati Kombëtar EITI publikoi Raportin EITI 2016 dhe në Dhjetor 2020 publikoi Raportin EITI 2017-2018.