Industria Nxjerrese ne Shqiperi

Shqipëria është e pasur në burime si naftë, gaz, qymyr, dru, bitum dhe ka potencial të lartë hidro-energjetik etj. të cilat kontribuojnë në mënyra të ndryshme për të plotësuar kërkesat për energji në vend.

Faktet kryesore

  • Energjia dhe burimet në Shqipëri

Sektori i energjisë dhe burimeve në Shqipëri dominohet nga:

  1. sektori i naftës,
  2. sektori i hidro-energjisë dhe
  3. sektori i minierave dhe guroreve.

Bazuar në rezultatet paraprake të publikuara nga INSTAT, sektori i energjisë dhe burimeve përbënte 5.6% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB-së) në vitin 2015. Sektori i naftës dhe ai minerar së bashku përbënin 3% të PBB-së, ndërkohë që sektori i energjisë elektrike zinte rreth 2.6% të PBB-së.

Eksportet nga sektori nxjerrës u rritën ndjeshëm në 96.7 miliard Lek ose 39% të totalit të eksporteve deri në vitin 2013. Më pas u ulën në 24% të totalit të eksporteve ose 57.9 milardë Lek në vitin 2015 (grafiku 4).

  • Nafta dhe gazi

Nafta bruto përbënte burimin kryesor të energjisë së prodhuar në Shqipëri. Nafta bruto e prodhuar në vitin 2015 përfaqësonte 60% të energjisë së prodhuar nga burime parësore në vend ndjekur nga energjia elektrike me rreth 24% të energjisë nga burime primare në vend.

Në vitin 2015, sektori i naftës dhe gazit numëroi pesë shoqëri në prodhimin e naftës bruto në pjesën jugore të Shqipërisë dhe katër shoqëri të angazhuara në kërkimin e naftës. Shteti u përfshi në sektor përmes zotërimit direkt të shoqërisë Albpetrol, e angazhuar në kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit. Albpetrol zotëron të drejta prodhimi, si i licensuar parësor, në të gjitha fushat e naftës të zbuluara deri në vitin 1993. Me qëllim përmirësimin e efikasitetit në prodhim, Albpetrol i ka deleguar të drejtat e tij tek shoqëritë private të naftës nëpërmjet marrëveshjeve hidrokarbure. Prodhimi i naftës bruto është rritur më shumë se dyfish që prej vitit 2003, kur Shoqëritë private të naftës filluan punën në sektor.

Në vitin 2015, AKBN raportoi prodhim të naftës bruto prej 1,279 mijë ton vlerësuar me 325 milionë USD. Bankers Petroleum që operon në fushën naftë-mbajtëse të Patos-Marinzës, gjeneroi rreth 89% të totalit të prodhimit të naftës bruto në vitin 2015. Prodhimi i Albpetrol përbënte rreth 4% të prodhimit total të naftës bruto në këtë vit. Të ardhurat me natyrë fiskale dhe jo-fiskale nga sektori nxjerrës i naftës përbënin jo më pak se 1.1% të totalit të të ardhurave regjistruar në Buxhetin e Shtetit.

Panvarësisht rritjes së prodhimit, numri punonjësve në këtë sektor u zvogëlua me 21% në pesë vitet e fundit. Kjo rënie erdhi si rezultat i transferimit të operacioneve të prodhimit nga Albpetrol tek shoqëritë private të naftës. Në vitin 2015, sektori nxjerrës i naftës dhe gazit punësoi rreth 3,215 punonjës duke kontribuar me rreth 0.3% në forcën punëtore të përgjithshme të regjistruar sipas INSTAT në vitin 2015. Albpetrol mbetet punëdhënësi më i madh në këtë sektor në vitin 2014, me rreth 1,995 të punësuar, ose 62% të punësimit total në sektorin nxjerrës të naftës dhe gazit.

Nafta e prodhuar në vend kryesisht eksportohet për t’u përpunuar jashtë vendit. Konsumi i brendshëm për nënproduktet e naftës përmbushet përmes importit.

Siç tregohet në grafikun 5, eksportet e naftës bruto përbënin rreth 55% të totalit të eksporteve nga sektori nxjerrës në vitin 2015, duke kontribuar në totalin e eksporteve vendase me rreth 13% në po të njëjtin vit.