Sektori i naftës ka qënë historikisht sektor me rëndësi strategjike dhe kontribues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Kërkimi i naftës në Shqipëri daton në vitin1918. Që prej asaj kohe, u zbuluan disa fusha naftë-mbajtëse në zona tokësore e detare dhe u zhvillua industria e përpunimit me cikël të plotë të naftës gjatë viteve 1970-1980.
Vendburimet e naftës në Shqipëri shtrihen në pjesën perëndimore dhe jugperëndimore të vendit. Ato janë kryesisht në dy struktura: vendburime ranore dhe vendburime gëlqerore.
Aktualisht këto vendburime kanë rezerva të konsiderueshme, megjithatë shfrytëzimi i plotë i tyre kërkon metoda më të avancuara të nxjerrjes së naftës. Sipas studimeve të kryera nga shoqëritë e huaja dhe Albpetrol për periudhën 1985 – 1990, rezervat e naftës në vendburimet ekzistuese në Shqipëri ishin në total rreth 437.6 milionë ton, ndërsa rezervat e rikuperueshme të vlerësuara me metodat e zbatuara në ato vite ishin 81 milionë ton. Rezervat gjeologjike në strukturat ranore përbënin pjesën kryesore, me rreth 77.4% të rezervave të përgjithshme, megjithatë për shkak të vështirësive në nxjerrje, rikuperimi i tyre vlerësohej në masën 13%. Rezervat gjeologjike nga strukturat gëlqerore kishin rikuperim, që varion prej 24% deri në 53%.
Bazuar në të njëjtat studime, rezervat e njohura të gazit natyror në Shqipëri janë vlerësuar në 18,164 milionë Nm3 dhe gjenden kryesisht në zonat e Kuçovës dhe Patosit.