Energjia elektrike renditet burimi i dytë energjetik më i rëndësishëm në vend pas naftës dhe nën-produkteve të saj, me rreth 33% të energjisë së prodhuar në vend dhe 24% të energjisë së vlefshme për konsum. Sistemi elektroenergjetik në vend mbështetet tërësisht në prodhimin hidroenergjetik.
Shqipëria është e pasur me burime hidrike të konsiderueshme që ka një rol të rëndësishëm zhvillimor për vendin. Territori hidrografik në Shqipëri përllogaritet të jetë 44,000 m2, rreth 57% më shumë se sipërfaqja gjeografike e vendit. Në vend numërohen tetë lumenj kryesorë: Drini, Buna, Vjosa, Semani, Mati, Shkumbini, Ishmi dhe Erzeni. Formimi i kaskadave përgjatë rrjedhës paraqet potencial të lartë hidroenergjetik në lumenjtë kryesorë.
Sipas Strategjisë Kombëtare të Energjisë, vendi ynë vlerësohet të ketë një kapacitet prodhues hidro-energjetik prej 16-18 TWh që mund të përftohet nga vënia në punë e HEC-ve me kapacitet 4,500 MW87.
Tre hidrocentralet më të mëdha në vend: Fierza, Komani dhe Vau i Dejës u ndërtuan në formë e kaskadës mbi lumin Drin nga viti 1971 deri në vitin 1985 me një kapacitet të instaluar prej 1,350 MW. Këto hidrocentrale kanë qënë tri shtyllat kryesore të prodhimit hidro-energjetik në vend me prodhim mesatar vjetor prej 4,300 GWh që mbulonte rreth 90% të prodhimit të energjisë elektrike në vend në 15 vitet e fundit.
Prodhimi hidro-energjitik në Shqipëri dominohet nga sektori publik.
KESH është prodhuesi më i madh në vend. Me një kapacitet të instaluar prej 1,448 MW ose 80% të fuqisë totale të instaluar në vend, ndërtuar në kaskadën e lumit Drin në veri, KESH gjeneroi rreth 87% të prodhimit të energjisë në vitin 2013. Kjo peshë ra në 72% në vitin 2014, për shkak të rritjes së aktivitetit të HEC-eve private dhe HEC-ve me kocension në këtë sektor.
ERE raportoi një prodhim vendas hidro-energjitik prej 6,956 GWh në vitin 2013 dhe 4,726 GWh në vitin 2014. Nëse prodhimi vendas do të vlerësohej me çmimet mesatare zbatuar në eksportet e energjisë, vlera e prodhimit vendas do të ishte rreth 25.5 miliard Lek (ekuivalente me 243 milionë USD) në vitin 2013 dhe 24.1 miliard Lek (ekuivalente me 229 milionë USD) në vitin 2014. Megjithatë, për shkak se KESH e shet prodhimin e tij me çmim të rregulluar prej 1 Lek për KWh (ekuivalente me 0.01 USD për KWh) shitjet nga sektori nuk i kalojnë 11 miliard Lek (ekuivalente me 106 milionë USD) në vitin 2013 dhe në 9.6 miliard Lek (ekuivalente me 91 USD) në vitin 2014.
Shteti shqiptar subvencionon sektorin e energjisë përmes rregullimit të çmimeve të prodhimit të energjisë, transmetimit dhe shpërndarjes. Ky fakt shpjegon kontributin relativisht të ulët të sektorit në PBB-në, rreth 2%.
Në vitin 2013, humbjet në sistemin e shpërndarjes për shkak të kushteve të dobta teknike dhe lidhjeve informale në sistem ishin rreth 45% e energjisë së transmetuar. Në vitin 2014, humbjet ranë në 37.81% energjisë së transmetuar3. si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të Qeverisë Shqiptare dhe OSHEE. Kontributi i munguar i humbjeve të energjisë matur me çmimet mesatare të eksportit vlerësohet të jetë rreth 22.3 miliard Lek në vitin 2013 (ekuivalente me 212 milionë USD) dhe 19.9 miliard Lek në vitin 2014 (ekuivalente me 190 milionë USD).
Struktura e kostos së prodhimit të brendshëm të energjisë ka ndryshime në 5 vitet e fundit, me rritjen e prodhimit nga HEC-t private dhe me kocension dhe pritet të ndryshojë edhe më tej në të ardhmen, kur një numër i madh HEC-sh të mesme dhe të vogla me kocension do të hyjnë në fazën e prodhimit.
Kontributi i sektorit përllogaritet jo më pak se 0.2% të të ardhurave totale të Buxhetin e Shtetit në vitin 2013 dhe 0.1% në vitin 2014. Përkrah fluksit normal të të ardhurave ne vitin 2013, Qeveria Shqiptare arkëtoi rreth 15,439 miliard Lek nga privatizimi i hidrocentraleve të Ulzës, Shkopetit dhe Bistrica 1 dhe 2, të cilat ishin nën administrimin e KESH deri në mesin e vitit 2013. Nëse do të shtonim edhe këto të ardhura, kontributi në Buxhetin e Shtetit në vitin 2013 do të rritej në 4.9%.
Të dhënat e raportuara nga AKBN tregojnë se një numër i madh HEC-sh dhënë me kocension nuk kanë filluar ende ndërtimin ose janë ende në ndërtim e sipër në datën e këtij raporti, duke shfaqur vonesa me dy ose më shumë vite. Më konkretisht, nga 502 HEC-e dhënë me kocension, 308 HEC-e me fuqi të instaluar prej 1,152 MW dhe energji të parashikuar prej 5,359 GWh nuk kanë filluar ende ndërtimin. Ndërsa 84 HEC-e janë në fazën e ndërtimit. Nëse të gjitha HEC-et do të kishin përfunduar ndërtimin brenda dy vjetëve nga data e kocensionit dhe do të prodhonin energjinë e parashikuar në kontratën e kocensionit, tarifa e kocensionit do të ishte rreth 1.78 miliard Lek në vitin 2013 dhe rreth 1.9 miliard Lek në vitin 2014. Këto vlera janë mbi 10 herë më shumë se të ardhurat nga tarifa e kocensionit e mbledhur në të dy vitet.