
06 Gus Konferencë – Industria e Naftës në Republikën e Shqipërisë
Sot, më 31 korrik, EITI Shqipëri, në bashkëpunim me Grupin e Palëve të Interesuara (MSG), organizoi me sukses një konferencë me temë “Industria e Naftës në Republikën e Shqipërisë – Shëndeti, Siguria, Ndikimi Socio-Ekonomik, Emetimet e Gazeve Serrë dhe Qëndrueshmëria.”
Në hapje të aktivitetit, Z. Genci Tërpo Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit EITI Shqipëri theksoi rëndësinë strategjike të këtij forumi në kuadër të përpjekjeve kombëtare për forcimin e transparencës në sektorët natyrorë, përmirësimin e qeverisjes së resurseve natyrore dhe rritjen e besimit publik ndaj institucioneve. Ai vuri në dukje se organizime të tilla janë pjesë thelbësore e angazhimit të Shqipërisë për përmbushjen e kriterieve të validimit sipas Standardit EITI 2023, duke shërbyer si provë konkrete e funksionimit të mekanizmave të transparencës dhe përfshirjes së palëve të interesuara në vendimmarrje.
Gjatë takimit u prezantua për herë të parë një studim gjithëpërfshirës për industrinë e naftës në vend, i cili adreson jo vetëm dimensionin ekonomik dhe prodhues, por trajton me thellësi edhe ndikimet mjedisore, sociale dhe aspektet e sigurisë. Studimi sjell në vëmendje nevojën për një qasje të integruar, transparente dhe të përgjegjshme ndaj menaxhimit të sektorit të hidrokarbureve.
Aktiviteti shërbeu si një platformë e hapur për dialog ndërmjet institucioneve publike, përfaqësuesve të industrisë, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës, duke nxitur debate të frytshme, reflektime dhe shkëmbim idesh mbi sfidat dhe mundësitë që paraqet ky sektor në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe tranzicionit të energjisë.
Konferenca u vlerësua si një sukses i plotë, si në aspektin e përmbajtjes së diskutuar, ashtu edhe në nivelin e pjesëmarrjes dhe angazhimit të të ftuarve. Kjo ngjarje konsolidoi edhe më tej rolin e EITI Shqipëri si promotor i standardeve ndërkombëtare për qeverisjen transparente të industrive nxjerrëse në vendin tonë.
Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për praninë dhe kontributin e tyre aktiv, si dhe stafin e Sekretariatit EITI Shqipëri (ALBEITI) dhe anëtarët e Grupit të Palëve të Interesuara (MSG) për organizimin profesional dhe përkushtimin e treguar.
#EITIAlbania #NaftaShqipëri #Transparenca #QeverisjaESektorit #ZhvillimISigurte #ValidimiEITI2025 #IndustriaeNaftes #EnergjiaDheQëndrueshmëria