06 Gus Konferenca Vendore për Transparencën në Industrinë Nxjerrëse
Sot, më 30 korrik, u zhvillua konferenca vendore me temë “Iniciativa EITI në Shqipëri dhe veprimtaria në fushën e transparencës në industrinë nxjerrëse”, organizuar nga EITI Shqipëri në bashkëpunim me Institucionin e Prefektit të Qarkut Elbasan.
Në fjalën hapëse, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit Z. Genci Tërpo theksoi se transparenca në sektorin nxjerrës nuk është luks, por një domosdoshmëri për mirëqeverisjen, zhvillimin rajonal dhe besimin qytetar. Ai nënvizoi rolin e rëndësishëm të institucioneve vendore në zbatimin e Standardit EITI 2023 dhe rëndësinë e përhapjes së të dhënave zyrtare, të verifikueshme dhe të aksesueshme për publikun.
Fjalën kryesore në emër të autoritetit vendor e mbajti Z. Ilir Bejtja, Prefekt i Qarkut Elbasan, i cili theksoi se Elbasani është një zonë me veprimtari intensive në industrinë nxjerrëse, dhe se të dhënat që prodhon dhe publikon EITI Shqipëri kanë një vlerë strategjike për transparencën, besueshmërinë publike dhe klimën e investimeve në vend. Ai nënvizoi se të dhënat e EITI-së janë zyrtare, të çertifikuara dhe të përdorshme nga qytetarët, mediat, institucionet dhe investitorët, duke shërbyer si bazë për vendimmarrje më të informuar dhe menaxhim më të mirë të pasurive natyrore.
Takimi përfshiu një pasqyrë të qartë të objektivave të iniciativës nga Z. Përparim Alikaj (Qendra Rajonale e Inovacionit EIT Raw Materials), i cili prezantoi në mënyrë sintetike parimet, përfitimet dhe domosdoshmërinë e EITI për Shqipërinë në kuadër të transparencës, qeverisjes dhe integrimit europian.
Znj. Emiliana Kola nga Sekretariati EITI Shqipëri paraqiti me konkretësi se si Shqipëria ka zbatuar kërkesat e Standardit EITI 2023 në praktikë. Ajo u ndal tek procesi i raportimit, përfshirja e aktorëve dhe sfidat për të përmirësuar cilësinë e të dhënave, transparencën kontraktuale dhe rolin e qeverisjes publike në ndarjen e të ardhurave nga burimet natyrore.
Një tjetër prezantim me peshë erdhi nga Z. Elton Hysko, jurist dhe ekspert i pavarur, i cili trajtoi temën e tranzicionit energjetik dhe energjisë së rinovueshme, duke nënvizuar lidhjen direkte midis transparencës, politikave të qëndrueshme energjetike dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Ai theksoi se për një tranzicion energjetik të suksesshëm, është thelbësore që të dhënat, ndikimet mjedisore dhe përfitimet ekonomike të jenë të qarta, të gjurmuara dhe të ndara me publikun.
Diskutimet u mbyllën me pyetje dhe reflektime nga pjesëmarrësit, përfaqësues të institucioneve vendore, kompanive, shoqërisë civile dhe komunitetit të interesuar, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij dialogu dhe nevojën për ta vazhduar atë në mënyrë sistematike.
Në përmbyllje, falënderojmë në mënyrë të veçantë Z. Ilir Bejtja për mikpritjen dhe mbështetjen institucionale, si dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe interesimin. Transparenca kërkon bashkëpunim, dhe EITI është një mjet konkret për ta bërë atë realitet.
#EITIAlbania #Transparenca #IndustriaNxjerrëse #QarkuElbasan #InvestimePublike #ZhvillimRajonal #EnergjiaERinovueshme #StandardiEITI2023
