Zbulimi i Pronarëve Përfitues nga Anisa Deda

Zbulimi i Pronarëve Përfitues nga Anisa Deda

Bordi i EITI pas një periudhe testimi, vendosi në shkurt të vitit 2013 që në të ardhmen EITI duhet të kërkojë deklarimin e pronësisë përfituese në kompanitë e naftës, gazit dhe minierave që veprojnë në vendet që implementojnë Standartin EITI. Kështu me miratimin e Standardit EITI 2016, Kërkesa 2.5, Bordi EITI ka vendosur që deri më 1 janar 2020, të gjitha vendet zbatuese duhet të sigurojnë që subjektet e korporatave që ofertojnë, veprojnë ose investojnë në industrine nxjerrëse duhet të zbulojnë identitetin e pronarëve të tyre përfitues. Standarti EITI gjithashtu kërkon që çdo “person i ekspozuar politikisht” i cili është pronar përfitues duhet të identifikohet nga 1 janari 2020.

Për sa më sipër të gjitha vendet EITI, përfshirë edhe Shqipërinë kanë botuar në Janar 2017 Udhërrëfyesin e Pronarëve Përfitues (BO roadmap), në të cilin secili shtet ka renditur aktivitetet e pritshme, burimet dhe përgjegjësitë që do të mundësojnë deklarimin e plotë të Pronarëve Përfitues  deri në vitin 2020.

Një Pronar Përfitues është personi fizik, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në fund të fundit zotëron ose kontrollon aksionet ose të drejtat e votimit të kompanisë ose që ndryshe ushtron kontroll mbi kompaninë ose menaxhimin e saj.

Jo të gjithë dëshirojnë të identifikohen si pronari përfitues. Individët e korruptuar shpesh krijojnë kompani që i përdorin për veprimtari të paligjshme, të tilla si evazioni fiskal, krimi i organizuar, korrupsioni, pastrimi i parave dhe madje edhe aktivitetet e terrorizmit. Kompanitë mund të krijohen të tilla, në mënyrë që të mbajnë pronarin e vërtetë anonim – ai që kontrollon dhe fiton nga kompania-, dhe kjo mund të realizohet  në aparencë e ligjshme. Një kompani në pronësi anonime mund të zotërojë një kompani të dytë, e cila zotëron një kompani të tretë, e kështu me radhë – duke e bërë shumë të vështirë për agjencitë e zbatimit të ligjit të zbulojnë dhe të gjejnë se kush është me të vërtetë pas këtyre kompanive.

Mënyra e vetme për t’i dhënë fund problemit të kompanive anonime është berja publike e pronësisë përfituese. Berja publike e këtij informacioni siguron që biznesi dhe shoqëria civile të mund të përdorin këto të dhëna për hulumtime të hollësishme ose hetime.

Publikimi i këtij informacioni ështe një hap më shumë drejt transparencës dhe futjes së regjistrave publikë mbi pronësinë përfituese përfundimtare të kompanive.

Ndër vendet EITI të cilat kanë publikuar regjistrat me të dhënat për Pronarët Përfitues janë Britania e Madhe dhe Ukraina. Mbretëria e Madhe ka themeluar regjistrin më të madh kombëtar publik në botë për pronësinë përfituese. Ky regjistër është publik dhe mbulon të gjithë sektorët e ekonomisë.

Ukraina krijoi regjistrin e parë publik në botë për Pronarët Përfitues të personave juridik, si dhe një regjistër të pasurisë për zyrtarët qeveritarë. Në vitin 2014, qeveria miratoi legjislacionin mbi dhënien e informacioneve shpjeguese për Pronësinë Përfituese për të gjitha kompanitë. Që atëherë, rreth 70% e kompanive kanë raportuar pronarët e tyre përfitues, duke përfshirë kompanitë në industritë nxjerrëse. Të dhënat mund të aksesohen publikisht përmes një regjistri të unifikuar të kompanive të mbajtur nga Ministria e Drejtësisë.

EITI Ndërkombëtar për të promovuar këtë nismë globale, në bashkëpunim me qeverinë e Indonezisë organizuan me 23-24 Tetor 2017 në Jakarta, Indonezi, një konferencë dedikuar deklarimit të pronarëve përfitues “Konferenca Globale EITI për Hapjen e Pronësisë Reale”. Në këtë konferencë ku morën pjesë përfaqësues nga 52 shtete u diskutua për hapat praktikë dhe të nevojshëm që duhet të ndiqen deri në deklarimin e plotë të pronarëve të vërtetë të kompanive, me një fokus të veçantë në industritë e naftës, gazit dhe minierave.

Një vit më pas, në datat 31 Tetor – 2 Nëntor  2018 në Dakar, Senegal u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare për Beneficial Ownership Disclosure (Publikimi i të dhënave për Pronarët Realë në Industrinë Nxjerrëse), organizuar nga Sekretariati Ndërkombëtar EITI me qëndër në Oslo, me mbështetjen e Qeverive të Britanisë, Francës, Senegalit, dhe Danimarkës.  Në Konferencë merrnin pjesë më shumë se 200 përfaqësues nga mbi 30 shtete dhe Sekretariate Kombëtare EITI. Konferenca me fokus në proçesin ndërkombëtar të Publikimit të të dhënave për Pronarët Realë në Industrinë Nxjerrëse, sherbeu si platformë shumë e gjerë për diskutimin dhe përpunimin e veprimeve dhe politikave të koordinuara në nivel global, për finalizimin brenda vitit 2020 të proçeseve të grumbullimit, publikimit, verifikimit dhe përdorimit të të dhënave te lidhura me BO, në konformitet me afatet e dakordësuara nga vendet anëtare të EITI Ndërkombëtar.

Nëpërmjet publikimit të Regjistrave Publik të pronarëve përfitues synohet përmirësim i klimës së investimeve, më shumë siguri për bizneset, investitorët, punonjësit dhe konsumatorët duke patur besim në kompanitë e vendit, pasi në këtë mënyrë do të njohin kë kanë përballë e me kë janë duke punuar realisht, ndihmë në trajtimin e evazionit fiskal, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmi, si dhe rritjen e të ardhurave për ekonomitë kombëtare, me impakt pozitiv edhe në aspektet sociale dhe mjedisore.

Shqipëria në raportet EITI për vitet fiskale 2015 dhe 2016 të publikuara përkatësisht në shkurt të vitit 2017 dhe në shkurt 2018, u ka kërkuar kompanive raportuese qe të bëjnë deklarim vullnetar të Pronarëve Përfitues. Në Raportin EITI 2015 nga 134 kompani raportuese vetëm 31 kompani kanë dhënë informacion për Pronarët Ligjor dhe / apo Përfitues dhe në Raportin EITI 2016 nga 141 kompani raportuese vetëm 32 kompani kanë dhënë informacion për Pronarët Ligjor dhe / apo Përfitues.

Shqipëria ka bërë pak përparim në lidhje me çështjen e rregullimit të disa elementeve të Pronarëve Përfitues, kjo bazuar në Ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, ku trajtohet ngushtë koncepti i Pronarëve Përfitues. Kjo është një pikë e mirë referimi për të vijuar nismën më tej në drejtim të deklarimit të plotë të Pronarëve Përfitues. EITI Shqipëri do të udhëheqë këtë proçes të deklarimit të Pronarëve Përfitues deri në vitin 2020, duke ndërmarrë krijimin e një kuadri ligjor dhe institucional për deklarimin e këtij informacioni, përcaktimin e qëllimit dhe të nivelit të detajimit të informacionit deklarues për zhvillimin e një proçedure efektive për mbledhjen dhe sigurimin e të dhënave deri në hartimin dhe publikimin e regjitrit të Pronarëve Përfitues. Në këtë proçes do të jenë të përfshirë Qeveria Shqiptare, Ministritë përkatëse të linjës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, kompanitë e industrisë nxjerrëse, shoqëria civile, etj.

Aktualisht Qeveria e Shqipërisë është në proçes të implementimit të ndryshimeve rregullatore për të siguruar zbulimin e plotë të Pronarëve Përfitues deri më 1 janar 2020. EITI Shqipëri ka hartuar Ligjin e Transparencës ku përfshihet dhe deklarimi i Pronarëve Përfitues, i cili është në fazën e konsultimit me Ministritë përkatëse deri në miratimin e tij, që synohet brenda vitit 2019.

EITI Shqipëri do të zhvillojë aktivitete sensiblizuese dhe informuese lidhur me zbulimin e Pronarëve Përfitues me të gjitha palët e interesit. Gjithashtu në fokus do të jenë seminare sensibilizimi dhe trajnimi për median, gazetarët vendas, pasi nëpërmjet tyre synohet sensibilizimi i publikut të gjerë mbi zhvillimin e këtij proçesi dhe rëndësinë e tij.