Vit i suksesshëm për EITI-n pavarësisht pandemisë së Covid-19

Vit i suksesshëm për EITI-n pavarësisht pandemisë së Covid-19

Pavarësisht gjendjes së vështirë me pandeminë Covid-19, Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) ka arritur të realizojë projektet e planifikuara për 2020. Kjo u tha nga zoti Genci Tërpo, drejtor i EITI në Shqipëri gjatë prezantimit të projekteve të EITI-t për vitin 2020. ‘Ky ka qenë një vit shumë i vështirë’ tha zoti Tërpo, ‘por pandemia nuk na ka penguar që të bëjmë punën tonë’. Më pas zoti Tërpo vazhdoi me një paraqitje të plotë të projekteve të EITI-t për 2020. Ai përmendi punën në vazhdim për ndërtimin e një portali të dhënash për EITI-n, që ai tha se do të përfundojë brenda këtij viti. Ai tha se ky portal është një risi për Shqipërinë dhe veçanërisht për institucionet shtetërore, pasi pak prej tyre kanë një portal të tillë të dhënash. Zoti Tërpo tha se portali do të rrisë ndjeshëm transparencën dhe llogaridhënien duke qenë se çdo person do ketë mundësi të kontrollojë të dhënat e industrisë nxjerrëse në Shqipëri në këtë portal.

Zoti Tërpo gjithashtu theksoi se projekti primar i EITI-t për 2020 është Raporti EITI për vitet 2017-2018 i cili do të përmbyllet brenda këtij viti. Ai tha se kjo është një arritje për EITI në Shqipëri sepse shumë vende të tjera anëtare të EITI-t e kanë shtyrë për vitin tjetër botimin e këtij raporti për shkak të pandemisë.

Ai gjithashtu paraqiti projektin për kadastrën minerare në Shqipëri. Zoti Tërpo tha se kompania që po e realizon ka punuar vërtetë shumë shpejt dhe se EITI ka marrë garanci nga kompania se kadastra do jetë gati në fund të vitit. Zoti Tërpo gjithashtu përmendi se EITI këtë vit ka zgjedhur ambasadorin për marrëdhëniet me publikun dhe se lajmet për EITI-n tashmë janë të pranishme çdo muaj në media të ndryshme. Gjithashtu EITI ka përzgjedhur personin që po kryen strategjinë e komunikimit.

‘Në 3-4 muaj kemi kryer projekte që në raste të tjera mund të na ishin dashur më shumë muaj’ përfundoi fjalën e tij zoti Tërpo.

Më pas, përfaqësues të kompanisë Abkons paraqitën gjetjet e raportit mbi ndikimin mjedisor të industrisë nxjerrëse në Shqipëri. Raporti ishte i ndarë në tre pjesë: vlerësim i gjendjes, identifikim i problemeve dhe në fund rekomandimet.

Gjatë një sesioni pyetjesh dhe përgjigjesh pas paraqitjes së raportit, ekspertë të fushës dhe përfaqësues të shoqërisë civile sygjeruan që ky raport të detajohet duke konkretizuar problematikat e përmendura në të. Përfaqësuesit e Abkons i siguruan ata se çdo kritikë do pasqyrohet në versionin përfundimtar të raportit.