Transparenca në shërbim të mirëmbajtjes së burimeve natyrore-nga Enio Civici

Transparenca në shërbim të mirëmbajtjes së burimeve natyrore-nga Enio Civici

Shqipëria, nën syrin e investitorëve të rëndësishëm vendës dhe të huaj përmban një ftesë shumë interesante nëse flitet për burime. Njerëzore, energjetike, minerale dhe turistike janë krahët e fortë të potencialit të zhvillimit të pjesës jugperëndimore të Gadishullit të Ballkanit. Veçanërisht mineralet dhe pasuritë e tjera energjetike janë burimet të cilat deri më sot kanë krijuar më shumë vlerë dhe të ardhura, si për kompanitë të cilat operojnë në to po ashtu dhe për shtetin shqiptar. Por ashtu, si secili sektor kërkimi dhe prodhimi, burimet natyrore përherë kanë kërkuar rregullim të vazhdueshëm si në këndin administrativ ashtu dhe në atë të transparencës. Në të dyja këndvështrimet zhvillimet nuk kanë qenë të pakta dhe janë ndjerë më së shumti në 5 vitet e fundit. Përtej mbikëqyrjes dhe auditit të vazhdueshëm ligjor shtetërore, kompanitë dhe operatorët e ndryshëm ekonomikë të cilët shfrytëzojnë këto pasuri, si: hidrokarburet, mineralet dhe hidroenergjia, janë asistuar dhe nga ndihma shumë e rëndësishme e sekretariatit shqiptar EITI. Shqipëria është anëtarësuar në organizatën ndërkombëtare për transparencë në industrinë nxjerrëse, EITI, në vitin 2013 dhe deri më tani ka arritur të prodhojë gjashtë raporte publike mbi këtë industri për harkun kohor të shtatë viteve. Për të kuptuar fuqinë e EITI dhe për pasojë përfitimet që Shqipëria merr nëpërmjet sekretariatit të saj kombëtar, është e domosdoshme të dihet se ky organizëm shumëkombësh funksionon aktualisht në 51 shtete, ndër të cilat mund të përmendim: Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Finlandën, Ukrainën, Meksikën, si dhe së shpejti pritet pjesë e saj të bëhen dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. EITI gjithashtu ka arritur nga themelimi i saj të përpunoj dhe të bëj publike në raportet e saj mbi 2.3 trilion dollarë të ardhura nga këto industri duke arritur të mbulojë 346 vite fiskale. Këto shifra janë të konsiderueshme po aq sa janë dhe të rëndësishme për të kuptuar fuqinë e transparencës nëpërmjet zbatimit të standardit global EITI. Shqipëria, në këto pesë vite anëtarësi, njësoj si 50 shtetet e tjera, ka arritur të ndërtojë raporte vjetore përherë e më të plota duke angazhuar Ministrinë e Energjisë dhe agjencitë e saj të varësisë nëpërmjet koordinimit nga sekretariati kombëtar EITI. ALbEITI gjithashtu ka sensibilizuar opinionin publik dhe komunitetet e prekura mbi rëndësinë e transparencës si mekanizëm kyç në ruajtjen e zinxhirit të vlerës nga pasuri nëntokësore në përmirësim të jetesës së shoqërisë. Në vazhdën e publikimeve të raporteve vjetore, sekretariati EITI, me të gjithë koordinimin ndër institucional, pritet të ofrojë për publikun brenda tremujorit të parë të vitit 2018, materialin e radhës të lidhur me shifrat e vitit 2016 duke treguar edhe njëherë angazhimin e vendit tonë për një politikë më të fuqishme të transparencës. Mjafton të kujtojmë se këtë herë kanë raportuar 130 kompani operuese në sektorin minerar që përfaqësojnë 90% të kapacitetit të prodhimit kombëtar, të gjitha shoqëritë që kanë marrëveshje për aktivitet hidrokarbur si dhe 12 shoqëri koncesionare në sektorin elektroenergjik. Vetë këta numra tregojnë shtrirjen kapilare të informacionit në emër të transparencës që gjenerohet nga sekretariati kombëtar shqiptar EITI. Janë jo të pakta lajmet, mendimet dhe informacionet që janë gjeneruar gjatë viteve të fundit lidhur me operimin e kompanive private në këtë sektor dhe marrëdhënies së tyre me zyrat e shtetit apo me komunitetet pranë të cilave funksionojnë. Kushtet dhe saktësimet numerike të pasqyrave financiare, zbatimi i kuadrit ligjor, rakordimi i shifrave mes organeve shtetërore, krijimi i regjistrit kombëtar të licencave, vlerësimi i rezervave kombëtare si dhe kontrolli i investimeve të kompanive në spektrin social janë vetëm disa nga rekomandimet të cilat publikon EITI në fund të raporteve. Këto rekomandime dhe puna e përbashkët e ALbEITI me operatorët ekonomikë të industrisë, si dhe me shoqërinë civile, nën ombrellën e grupit institucional të punës ndikojnë në zhvillimin e një vendi nëpërmjet tri shtyllave: forcimit dhe përmirësimit të sistemeve qeveritare; sofistikimit të kompanive në emër të standardit dhe luftës kundër konkurrencës së pandershme; dhe informimit të komuniteteve mbi shfrytëzimin e burimeve pranë tyre për të mundësuar transparencën. EITI është një vlerë kombëtare në aspektin e burimeve natyrore dhe si e tillë duhet jo vetëm të fuqizohet, por dhe të kthehet në pikë fokale të debatit mbi to.