Transparenca dhe llogaridhënia në industrinë nxjerrëse në Shqipëri

Transparenca dhe llogaridhënia në industrinë nxjerrëse në Shqipëri

Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile në bashkëpunim me Sekretariatin Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI Albania) organizuan ditën e Henë, më 27 Shkurt 2017 një tryezë të rrumbullakët mbi “Transparenca dhe llogaridhënia në industrinë nxjerrëse në Shqipëri”.

Kjo tryezë diskutimesh mes sekretariatit dhe shoqërisë civile, organizuar për herë të parë në vend, kishte si qëllim krijimin e themeleve për bashkëpunim mes organizatave të shoqërisë civile dhe EITI Albania, për të intensifikuar dialogun mes dy aktorëve të rëndësishëm me ndikim në rritjen e transparencës në industrinë nxjerrëse. Standarti EITI, nënkupton vendosjen e transparences së biznesit në industrinë nxjerrëse, në mënyrë që të ardhurat nga ky biznes të kontribuojnë më shumë në zhvillimin e vendit. EITI në funksion të transparencës, monitoron të ardhurat e kompanive që operojnë në sektorin nxjerrës, si dhe pagesat që kompanitë bëjnë në institucionet shtetërore, të cilat konsiderohen të ardhura për shtetin. Ndërkohë që organizatat e shoqërisë civile, të cilat gjenden në mënyrë të vazhdueshme pranë qytetarëve dhe manifestojnë interesat e tyre mund të sjellin në tryezën e diskutimit çështje tejet me vlerë si problematika të hasura, raste që kërkojnë vemëndje të veçantë dhe propozime për përmirësim te vazhdueshëm në funksion të rritjes së transparencës nga këto industri. Bashkëpunimi i vazhdueshëm mes EITI Albania dhe organizatave të shoqërisë civile është thelbësor në përmbushjen e misionit të vetë EITIt.

Ftesa për pjesëmarrje në këtë tryezë u dërgua në datë 22 Shkurt, 2017 në 18 organizata të shoqërisë civile nga IQ Consulting, një organizatë konsulence e kontraktuar nga EITI Albania për organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit. IQ Consulting kontaktoi gjithashtu edhe me Agjencinë për Mbështjetjen e Shoqërisë Civile dhe Partners Albania (organizatë ombrellë që financon dhjetëra organizata të tjera që veprojnë në vend) për të siguruar shpërndarjen e informacionit në një bazë sa më të gjerë organizatash. E megjithë përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar pjesëmarrje e dialog konstruktiv, vetëm gjashtë organizata të shoqërisë civile iu përgjigjën ftesës dhe u paraqitën në takim. Pjesëmarrja e ulët e shoqërisë civile në këtë takim është një tregues i rëndësishëm i faktit se shoqëria civile në Shqipëri është ende e paqartë për rolin e saj thelbësor në këtë sektor kaq të rëndësishëm të ekonomisë me ndikim të drejtëpërdrejtë në cilësinë e jetës. Roli i shoqërisë civile si katalizatore e ndryshimit dhe mobilizimit social është tejet i rëndësishëm në mobilizimin e opinionit publik për të mbështetur procesin e EITI Albania, duke nxitur presionin e shëndetshëm dhe konstruktiv për të influencuar formulimin e politikave apo procesit legjislativ. Për EITI Albania është me vlerë gjykimi asnjanës i shoqërisë civile dhe vecanërisht sinjalizimi i rasteve në shkelje të cilat kërkojnë vëmendje të veçantë prej Sekretariatit.

Me organizatat pjesëmarrëse, gjatë takimit, u diskutua mbi mënyrat se si mund të nxitet angazhimi aktiv i organizatave të shoqërisë civile në konceptimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e procesit të rritjes së transparencës në industrinë nxjerrëse. Faktorët ligjorë apo rregullatorë të cilët paraqesin pengesa dhe vështirësojnë pjesemarrjen e lirë dhe aktive të shoqërisë civile në zbatimin e misionit të EITI ishin pjesë e rëndësishme e diskutimeve. Në takim u fol edhe për ndërtimin strukturës së duhur mbështetëse ligjore, proceduriale si dhe praktike që do të ndihmonte organizatat e shoqërisë civile në nxitjen e dialogut për zbatimin e principeve të EITI.