14 Shk Bordi EITI vendosi se Shqipëria ka bërë progres domethënës në zbatimin e standardit EITI
Sekretariati Shqiptar EITI ndihmon në shlyerjen e transfertave të akumuluara tek pushteti lokal. Bordi vlerëson se vendi ka bërë “progres të dukshëm”
13 Shkurt 2018 – Sot Bordi EITI vendosi se Shqipëria ka bërë progres domethënës në zbatimin e standardit EITI. Bordi përgëzoi Qeverinë Shqiptare dhe Grupin Ndër-Institucional të Punës (MSG) për progresin e bërë në ‘përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies në industritë nxjerrëse, duke e përdorur proçesin për të adresuar çështje lokale, jo vetëm nëpërmjet shpërndarjes aktive të informacionit por edhe nëpërmjet përpjekjeve për të mbërritur në terren, si dhe duke e shtrirë raportimin në sektorin e hidro-energjisë’. Raportimi EITI në lidhje me transfertat e vonuara të të ardhurave nga minierat çoi në reforma ligjore si dhe në shlyerjen graduale të pagesave të prapambetura në transfertat ndaj pushtetit lokal, duke siguruar në këtë mënyrë përfitime më të mëdha për komunitetet lokale.
Fredrik Reinfeldt, Kreu i Sekretariatit EITI, tha se:
“Sekretariati Shqiptar EITI ka bërë shumë. Unë shpresoj se progresi i mëtejshëm në këtë drejtim do të mbështeste përpjekjet e qeverisë për të hyrë në Bashkimin Europian. Bordi mirëpret përmirësime në deklarimin e transaksioneve që lidhen me ndërmarrjet shtetërore me qëllim adresimin e boshllëqeve ekzistuese në lidhje me transparencën”,
Ardit Kamberi, Drejtues i Sekreatariatit Kombëtar EITI, deklaroi se zbatimi i standardit EITI ka sjellë përfitime të konsiderueshme për Shqipërinë, si në sistemet qeveritare, mbledhjen e taksave dhe planifikimin e buxhetit. Ai vuri në dukje se një qeveri e cila është politikisht transparente dhe e hapur rrit besimin e qytetarëve dhe se ajo do të vijojë konsolidimin e mëtejshëm të EITI-t në sistemet e saj.
Bordi vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë për të tejkaluar kërkesat e standardit EITI duke e shtrirë objektivin e saj edhe në sektorin hidroenergjitik. Bordi vlerësoi gjithashtu përpjekjet e qeverisë për rritjen e transparencës në lidhje me pronësinë përfituese duke përfshirë raportimin e detyrueshëm të pronarëve përfitues për të gjitha kompanitë e naftës, gazit dhe minirare në projektligjin për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse. Bordi nxit qeverinë të krijojë një sistem transparence dhe llogaridhënie për projektin e Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP). Bordi dha gjithashtu një sërë rekomandimesh me qëllim forcimin e transparencës, veçanërisht duke garantuar akses më të gjerë në informacion nga ana e publikut mbi ndërmarrjet shtetërore dhe transaksionet e tyre, taksat dhe shpërndarjen e të ardhurave në nivel lokal, si dhe duke rritur angazhimin aktiv dhe efikas të shoqërisë civile në procesin EITI.