Takimi i Misionit të Bankës Botërore në Shqipëri me përfaqësuesit e Grupit Multifunksional të Albeiti

Takimi i Misionit të Bankës Botërore në Shqipëri me përfaqësuesit e Grupit Multifunksional të Albeiti

Sekretariati Kombëtar Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse në datën 26 qershor 2024 priti misionin e Bankës Botërore nga Washington DC, të përbërë nga përfaqësuesit e saj Znj.Nina Inamahoro ( udhëheqëse e ekipit dhe zyrtare operacionale) dhe Znj. Magdalena Chawuta (specialiste në fushën e minierave). Misioni i Bankës Botërore u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Albeiti Z. Genci Tërpo dhe nga stafi i institucionit i përbërë nga Z. Lluka Gjergo dhe Znj. Majlinda Balla si dhe nga përfaqësuesit e Grupit Multifunksional të Albeiti ku morën pjesë Znj. Anila Hajnaj, (përfaqësuese e organizatave të shoqërisë civile) Z. Robert Beshello, Z. Mynyr Sinanaj ( AKBN) dhe Z. Bilal Koçi (SHGJSH).

Në këtë takim u diskutua për rëndësinë e projekteve që ka ndërmarrë Albeitit në fushën e zhvillimit të Iniciativës EITI në Shqipëri, për progresin e bërë deri më tani në kuadrin e implementimit të aktiviteteve si dhe për avancimin në mbledhjen e të dhënave për realizimin e Raporteve EITI dhe të aktiviteteve të tjera. Përfaqësuesit e MSG i mëshuan faktit që institucioni i Albeiti ka nevojë për suport të vazhdueshëm në përputhje me rëndësinë e zhvillimit të Standardit EITI në Shqipëri dhe nevojën që të mbështetet me financim edhe në vitet në vijim për të siguruar qëndrueshmëri jo vetëm në aspektin e financimit të brendëshëm por edhe në kuadrin e financimit të huaj. Zyrtarët e Bankës Botërore dhanë mbështetjen e tyre për të ndihmuar institucionin e Albeiti dhe shtetin shqiptar në misionin si vend zbatues i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse dhe plotësimin në vazhdimësi të detyrimeve të kësaj nisme duke synuar zhvillimin sa më të shpejtë të të gjitha aktiviteteve që institucioni po ndërmerr si në aspektin e progresit sistematik të të dhënave të hapura dhe të aksesueshme për të gjithë ashtu edhe në objektivat e tjera të vendosura përmes Standardit EITI 2023.

Prioritetet strategjike të EITI-t synojnë të adresojnë sfidat globale të qeverisjes së burimeve natyrore. Ato pasqyrojnë pengesat e ndryshme që përballen vendet e pasura me burime natyrore ndërsa përshtatin zbatimin e EITI-t me prioritetet kombëtare. Mbi këtë çështje lind detyrimi i grupeve të interesit që mbështesin Albeitin që të merren masa të vazhueshme për të përkthyer në veprime aktive zhvillimin konstant dhe të vazhdueshëm të kërkesave të Standardit EITI 2023.