Takimi 4 Tematik Ndër-vendor Bulqizë: Industria Minerare dhe Çështje të Rentës Minerare

Takimi 4 Tematik Ndër-vendor Bulqizë: Industria Minerare dhe Çështje të Rentës Minerare

Alb-EITI dhe Prezenca e OSBE në Shqipëri organizuan në datën 30 Tetor  2019 në Bashkinë Bulqizë Workshopin e katërt  Ndër-vendor tematik për problematikat e Industrisë Minerare dhe çështjet e  Rentës Minerare.

Në Workshopin e katërt  Ndër-vendor  morën pjesë Përfaqësues të Sekretariatit dhe MSG EITI-Shqipëri, përfqësues të Prezencës OSBE, titullarë dhe stafe të Bashkive Peshkopi, Bulqizë, Mat dhe Klos; Përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë;  Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve; AKBN; Ministrisë së Shëndetësisë dhe Përkrahjes Sociale/Agjensisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve;  Shoqërisë Civile; FIAA; Agjensise Rajonale të Mjedisit të Qarkut Dibër, ekspertë të kontraktuar nga OSBE, përfaqësues të shoqatave ambjentaliste në Qarkun e Dibrës  etj.

Në katër Bashkitë Peshkopi, Bulqizë, Mat dhe Klos  ushtrojnë aktivitet kompani për 156  Leje Minerare për prodhimin e Kromit, si dhe 7 kompani  në nxjerrjen e gurit gëlqeror, gëlqeror i mermerizuar, alabaster etj.

Në Workshop përfaqësuesi i Sekretariatit Kombëtar Alb-EITI z.  Ardit Kamberi,   duke venë theksin mbi rëndësinë strategjike që ka sektori i prodhimit minerar të Kromit, diskutoi mbi potencialet dhe avantazhet e  rritjes së bashkëpunimit të njësive të qeverisjes vendore me Sekretariatin Kombëtar Alb-EITI në proçesin e raportimit që lidhet me Transparencën në manaxhimin e të ardhurave nga Renta Minerare; Koordinimin ndërinstitucional dhe lokal  lidhur me proçesin e përfitimit të Rentës në nivel lokal; Maksimizimin e impaktit social dhe mjedisor të Rentës Minerare në komunitetet lokale; Forcimin e kapaciteteve lokale  në kuadrin e një Platforme të zhvillimit afatgjatë të Zonave me Industri Nxjerrëse,  e cila është inicuar nga Qeveria Shqiptare.  

Përfaqësuesi i Misionit të OSBE  z. Elton Qendro bëri një prezantim të detajuar të proçesit të Platformës së Rentës Minerare  për koordinim të ngushtë me njësitë e pushtetit lokal dhe Institucionet qëndrore pjesë integrale e këtij proçesi,  nën mbështetjen aktive të Misionit të OSBE.  

Në fjalët mbajtura në Workshop Kryetari i Bashkisë Bulqizë z. Lefter Alla, Kryetari i Bashkisë Peshkopi z.Dionis Imeraj, Kryetari i Bashkisë Mat z. Agron Malaj, si dhe Kryetari i Bashkisë Klos z. Ilmi Hoxha  theksuan rëndësinë e rishikimit të formulës së shpërndarjes së Rentës Minerare; Thjeshtëzimin e proçedurave  së derdhjes së të ardhurave nga Renta në pushtet lokale, si dhe problematika të rakordimit të vlerave të përfituara nga renta me Drejtoritë Rajonale të Tatimeve.  

Nga ana e përfaqësuesve të Bashkive u formuluan shqetësime konkrete  që lidhen me impaktet mjedisore dhe infrastrukturore të aktiviteteve të industrisë nxjerrëse,  si dhe nevojën e marrjes në konsideratë në ndryshimin e kuadrit ligjor lidhur me të  ardhurat që duhet të përfitojnë Bashkitë nga aktiviteti Koncesionar në HEC-et që janë në aktivitet në territoret që mbulohen nga këto Bashki.

Në Sesionin e dytë të Workshopit  në mënyrë interaktive u diskutua ndërmjet të gjithë përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë,  Drejtorisë së Përgjithëshme të Tatimeve, AKBN, Agjensisë Rajonale të Mjedisit të Qarkut Dibër   lidhur me optimizimin e proçesit të përfitimit nga Renta Minerare,  si dhe të rakordimit  të të gjitha hallkave në problematikat sensitive që kanë të bëjnë me impaktin Mjedisor dhe social të aktivitetit Minerar në këto Bashki.  

Në sesionin e tretë të Workshop-it Ndër-vendor u bënë prezantime nga  përfaqësuesja e MSG EITI,  znj. Hajnaj (Qëndra Shqiptare për Zhvillim dhe Integrim) – Projektin për Manaxhimin dhe shpërndarjen e Rentës Minerare në nivelet lokale; Ekspertja e kontraktuar nga OSBE me Prezantimin për një Platformë bashkëpunimi ndërmjet Bashkive për Rentën Minerare znj. Alketa Skëndaj, si dhe nga përfaqësuesja  e A. Sh. D. M .F,  znj. Kelopatra Gjana.

Cikli i katër Workshopeve Ndër-vendore për çështjet e Rentës Minerare,  organizuar nga AlbEITI dhe OSBE, do të përmbyllet në Tiranë me Takimin Konsultativ Teknik me pikat fokale të Qeverisjes vendore të 16 Bashkive pilot,  si dhe me Konferencën Kombëtare e cila planifikohet të organizohet në Tiranë në fillim të muajit Dhjetor 2019.