16 Nën Takim me Grupin Ndërinstitucional të Punës mbi fazën përgatitore të Raportit EITI 2019-2020
Në kuadër të ecurisë të proçesit EITI në Shqipëri, anëtarët e Grupit Ndërinstitucional të Punës EITI (MSG) dhe Sekretariati Kombëtar EITI, në datën 15 Nëntor 2021, në platformën zoom, organizuan një takim pune për diskutimin dhe miratimin e Listës së Kompanive që do të raportojnë për Raportet EITI 2019-2020 dhe Termat e Referencës për Administratorin e Pavarur, i cili do të përgatisi Raportin zyrtar EITI për dy vitet fiskale.
Faza përgatitore e Raportit EITI 2019-2020, si një nga prioritetet aktuale të MSG-së, vjen në zbatim dhe në përputhje me planin e punës EITI për një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të procesit EITI në Shqipëri.
Në Raportin EITI 2019-2020 do të përfshihen të gjitha shoqëritë aktive të naftës (prodhim dhe kërkim); kompanitë më të mëdha që operojnë në sektorin e prodhimit të hidroenergjisë; kompanitë e sektorit minerar me të ardhura vjetore mbi 280,000 USD si dhe do të përfshihen të dhënat e marra nga 11 Agjenci Qeveritare.
Dokumenti i draftuar i Listës së Kompanive që do të raportojnë dhe Termave të Referencës për Administratorin e Pavarur, pasi u diskutua në të gjitha fazat e detajuara të tij, u miratua unanimisht nga antarët e të tre grupimeve përbërëse (Qeveri-Bisnes-Shoqëri Civile) të Nismës EITI.