Takim me gazetarët

Takim me gazetarët

Në 18 Dhjetor 2020, në sallën Europa tek libraria Tirana Times, Ambasadori i Marrëdhënieve me Publikun i EITI-t për vitin 2020, Ledion Krisafi, organizoi një takim me gazetarë. Gjatë takimit drejtuesi i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse, Genci Tërpo, bëri një prezantim të projekteve kryesore të EITI-t gjatë vitit 2020.

Zoti Tërpo përmendi si projektin më të rëndësishëm botimin e pritshëm brenda këtij viti të raportit vjetor për vitin 2017-2018, me të gjitha të dhënat për industrinë nxjerrëse. Gjithashtu zoti Tërpo foli për dy projekte shumë të rëndësishme të EITI-t, si kadastra digjitale minerare dhe portali Open data. Të dyja projektet do të rrisin në mënyrë të ndjeshme transparencën në industrinë nxjerrëse dhe do të ofrojnë për të gjithë personat e interesuar, ekspertët, gazetarët, etj., të dhëna të plota, të gjendshme lehtësisht për industrinë nxjerrëse në Shqipëri.

Gjithashtu zoti Tërpo përmendi realizmin e Strategjisë së Komunikimit të EITI për dy vitet në vazhdim, realizuar nga Alba Çela, një dokument shumë i rëndësishëm dhe themelor për strategjinë e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin e aktiviteteve dhe arritjeve të punës së EITI-t. Gjithashtu një projekt tjetër i rëndësishëm është studimi për ndikimin e industrisë nxjerrëse në mjedis, një studim që do të përmbyllet brenda këtij viti dhe gjithashtu shumë i rëndësishëm për të vënë në dukje problemet në këtë fushë por dhe çfarë mund të bëhet në vazhdim.

Takimi u mbyll me disa pyetje nga pjesëmarrësit rreth shifrave më të fundit të zotëruara nga EITI për industrinë nxjerrëse dhe projekteve kryesore të EITI-t për vitin 2021.