30 Sht Takim me Ambasadorin e Brazilit – Interes dhe Vlerësim për implementimin EITI
Në datën 27 Shtator me kërkesë të Ambasadës së Brazilit në Tiranë, u zhvillua një takim pune ndërmjet Ambasadorit të Brazilit z. Francisco Carvalho Chagas dhe z. Ardit Kamberi, në kuadrin e interesimit dhe vlerësimit të avantazheve të implementimit të standarteve ndërkombëtare EITI.
Ambasadori Chagas shprehu gjatë takimit interesin për të konceptuar inicimin e proçesit të përfshirjes të Brazilit në Iniciativën Globale EITI.
Brazili, një nga motorët më të rëndësishëm ekonomikë të Amerikës së Jugut, mbështet matricën energjitike në furnizimin 75 % nga burimet Hidro-energjitike, si dhe në shfrytëzimin e burimeve hidrokarbure të naftës.
Brazili aktualisht eksporton produkte mishi në drejtim të Shqipërisë dhe importon nga Shqipëria produkte tekstile dhe lëkurë.
Në optikën për ta parë Shqipërinë me shumë interes, si një nga portat kryesore hyrëse të investimeve në Rajonin e Ballkanit, z. Chagas u shpreh për oportunitetet e investimeve braziliane në sektorët e Industrisë Nxjerrëse në Shqipëri.
Z. Chagas theksoi vlerësimin e plotë për realizimet dhe objektivat Alb-EITI, në funksion të Transparencës si një nga elementët kyç të mirëadministrimit të burimeve natyrore. Ambasadori u shpreh se Brazili është shumë i interesuar të përfitojë nga eksperienca e Shqipërisë dhe Alb-EITI, në funksion të avantazheve që ofron incentivimi dhe implementimi i standarteve ndërkombëtare EITI.
Gjatë takimit z. Kamberi bëri një ekspoze të detajuar të objektivave dhe realizimeve të EITI në Shqipëri, duke theksuar avantazhet polivalente të këtij proçesi, për Qeverinë shqiptare në kuadrin e mirë-planifikimit buxhetor dhe fiskal; avantazheve të Biznesit për të përfituar një klimë të konsoliduar investimesh dhe dekurajuar konkurencën e pandershme dhe elementet korruptiv; si dhe Publiku i cili përfiton informacione zyrtare konform standarteve ndërkombëtare, si dhe një rol aktiv në proçeset vendimarrëse, lidhur me mirëadministrimin e sektorëve të Industrisë Nxjerrëse.
Implementimi EITI shërben në mënyrë eksplicite si një vitrinë interaktive për investitorët e huaj në sektorët e Industrisë Nxjerrëse, në fuksion të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik në vend.
Shqipëria është i vetmi vend në Rajon anëtar i Iniciativës Globale EITI dhe në këtë kontekst Alb -EITI shpreh gadishmërinë e plotë për të ofruar eksperiencën dhe asistencën e tij, për të gjithë partnerët ndërkombëtarë që planifikojnë të iniciojnë proçesin e implementimit të standarteve EITI.