Takim i Drejtorit të Sekretariatit Shqiptar EITI, z. Ardit Kamberi me Gazetarët

Takim i Drejtorit të Sekretariatit Shqiptar EITI, z. Ardit Kamberi me Gazetarët

Drejtori i Sekretariatit Kombëtar Shqiptar të Iniciativës Globale për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (AlbEITI) z. Ardit Kamberi, ka realizuar një Takim me Gazetarë të  News 24, Ora News, Monitor, Panorama.

Z. Ardit Kamberi duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, theksoi rëndësinë e misionit të Sekretariatit Kombëtar EITI, i cili  promovon Transparencën në proçesin e monitorimit për mirëadministrimin e burimeve natyrore të vendit, në përputhje me Standartin ndërkombëtar EITI.  Moto e EITI Ndërkombëtar, e krijuar në qershor të vitit 2003, është “Seeing Results from Natural Resources”.

Në fjalën e tij në takimin me gazetarët, z. Kamberi theksoi prioritetet e AlbEITI, duke u ndalur në promovimin e Transparencës për të parandaluar Korrupsionin, Sigurimin ndaj qytetarëve të një baze të dhënash të azhornuar zyrtare për të kërkuar përdorimin e drejtë të të ardhurave kombëtare, me synimin dhe kontributin për Rritjen ekonomike, Zhvillimin e qëndrueshëm dhe Impaktin pozitiv social dhe  mjedisor.

Më tej ai shtoi se EITI do të punojë për rritjen kualitative të bashkëpunimit produktiv me Grupet e Interesit,  ku përfshihen Organet e Qeverisjes vendore dhe Lokale, Kompanitë nxjerrëse dhe përpunuese, si dhe Shoqëria Civile.

Kamberi theksoi se e konsideron EITI një vitrinë zyrtare dhe të çertifikuar nga një Standart ndërkombëtar, në funksion të  investitorëve të huaj në Shqipëri, për monitorimin e burimeve natyrore, nxitjen e transparencës dhe thithjen e investimeve të huaja në sektorët Hidrokarbur, Minerar dhe të Energjise elektrike.

Drejtori i AlbEITI theksoi se Reforma shumë e sukseshme e realizuar nga Qeveria në Sektorin Elektro Energjitik, është një model suksesi, i cili do të ndiqet edhe nga reforma të thella edhe në Sektorët e tjerë vitalë të Ekonomisë, si dhe në shfrytëzimin e Burimeve natyrore të vendit.  Po ashtu Qeveria Shqiptare ka mbështetur fuqimisht dhe konkretisht zhvillimin e projektit TAP, duke kontribuar direkt në ecurinë shumë të mirë të këtij Projekti deri në fazën aktuale, kur pothuaj është kompletuar rreth 50% e Projektit, me synimin përfundimin e tij në 2020.

Duke ju referuar të dhënave të Raportit të publikuar EITI, Prodhimi i mineraleve në vitin 2015 kapte shifrën  230 milionë USD, pra rreth  55 %  më shumë krahasuar me prodhimin e vitit  2012, i cili kapte shifrën 149 milionë USD. Po ashtu, në sektorin e Energjisë Elektrike Prodhimi  në 2015 rezultonte në shifrat 398 milionë USD,  pra 276 % më shumë se  prodhimi i vitit 2012,  i cili vleresohej rreth 106 milione USD.

Një nga objektivat kryesore të Sekretariatit EITI është realizimi në të ardhmen e afërt i miratmin të Ligjit “Për transparencën e veprimtarive të industrive nxjerrëse dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore në Republikën e Shqipërisë”, si  dhe paralajmëroi Përgatitjen e një pakete ligjore për publikimin deri në vitin 2020, të Përfituesve (Pronarëve) Realë të kompanive që operojnë në Industrinë nxjerrëse në Shqipëri, me synimin e rritjes së transparencës, si dhe  luftës kundër korrupsionit dhe konflikteve të interesit.  Aktualisht draft ligji është në proçes diskutimi dhe miratimi në Institucionet e linjës, gjithashtu po diskutohet dhe konsultohet me Grupet e interesit.

Një element i ri në aktivitetin e Sekretariatit Kombëtar EITI është pjesëmarrja  këtë vit e Shqiperisë në një Projekt Pilot, të organizuar nga Sekretairiati Ndërkombëtar, mbi transparencën në Tregëtimin e lëndëve të para (Commodity Trading) të  realizuara nga industritë nxjerrëse me kapital shtetëror.

Në fokusin e aktivitetit të Sekretariatit EITI do të jetë edhe monitorimi i përdorimit të fondeve me destinacion komunitetin lokal, të derivuara nga të ardhurat e rentës minerare të cilat administrohen nga pushteti lokalë, me synimin e maksimizimit të efekteve pozitive sociale në këto komunitete.

Z.Kamberi gjithashtu kujtoi se puna e Sekretariatit, në konformitet me standartin ndërkombëtar, do të bëhet publike nëpërmjet një Raporti vjetor zyrtar, i cili përgatitet nga një Administrator i Pavarur, duke analizuar dhe dhënë  rekomandimet respektive për grupet e interesit.  Nga viti 2011 Sekretariati EITI i Shqipërisë ka publikuar 6 raporte vjetore për 7 vite (2009-2015) dhe në fillim të vitit 2018 pritet të publikohet dhe Raporti zyrtar  më i fundit.

Progresi i veprimtarisë së Sekretariatit AlbEITI është vlerësuar pozitivisht edhe në proçeset e validimeve të realizuara nga Sekretariati Ndërkombëtar EITI, me qëndër në Oslo, Norvegji. Publikimi  i rezultateve të proçesit të validimit të fundit,  pritet të bëhet zyrtar në një kohë të shkurtër.

Nga ana e Sekretariatit EITI është planifikuar organizimi i një Konference Ndërkombëtare në Tiranë, me pjesemarrje të gjerë të përfaqësuesve të Organeve Qëndrore, Partnerëve Ndërkombëtarë, Institucioneve financiare, Biznesit,  si dhe Shoqerisë Civile,  me fokus në shfrytëzimin e avantazheve për Shqipërinë nga të qenurit një vend anëtar i Nismës Globale EITI, një kualicion vullnetar shtetesh për maksimizimin e kontrollit mbi pasuritë natyore, si dhe transparencën e të ardhurave që publiku materializon nga shfrytëzimi i këtyre pasurive, që ndryshe konsiderohen si ” Banka Nëntokësore “.

Z. Kamberi theksoi se në proçesin EITI materializohet më së miri termi, “Transparenca është Politika më e mirë”.