Takim i Drejtorit të Sekretariatit AlbEITI z. Ardit Kamberi me zv. Ambasadorin e Konfederatës së Zvicrës, z. Philipp Keller

Takim i Drejtorit të Sekretariatit AlbEITI z. Ardit Kamberi me zv. Ambasadorin e Konfederatës së Zvicrës, z. Philipp Keller

Në datën 8 Shkurt 2018 në ambjentet e Sekretariatit Kombëtar EITI, Drejtori i këtij Sekretariati z. Ardit Kamberi, zhvilloi një takim me zv. Ambasadorin e Konfederatës së Zvicrës në Shqipëri,  z. Philipp Keller.

Në takim u diskutua mbi potencialet konkrete të bashkëpunimit në Sektorin e transparencës së shfrytëzimit të burimeve natyrore, si dhe preçizimin e fushave konkrete ku shteti Zviceran  mund të ofrojë ndihmë financiare dhe asistencë teknike.

Z. Kamberi bëri një ekspoze të detajuar të aktivitetit të Sekretariatit Kombëtar EITI, me fokusin në promovimin e Transparencës në proçeset e programimit, kontraktimit, liçensimit, prodhimit dhe shfrytëzimit, si dhe mirëadministrimin e të ardhurave që burojnë nga sektorët e Hidrokarbureve, Minierave dhe Hidroenergjisë në Shqipëri.

Sekretariati Kombëtar EITI ndërvepron dhe koordinon institucionalisht me aktorët e  Trekëndëshit: Qeveri, Biznes dhe Organizatat e Shoqerisë Civile, për t’i ofruar Publikut një raportim  transparent dhe në kohë reale,  të mbështetur në standarte ndërkombëtare, të aktivitetit prodhues në industritë nxjerrëse dhe rezultateve fiskale që gjenerojnë në mënyrë periodike këto industri.

Shqipëria është vendi i vetëm në Rajon anëtar i Inisiativës Globale EITI dhe në mesin e muajit Shkurt 2018,  Sekretariati Kombëtar EITI do të publikojë Raportin e tetë zyrtar të tij, lidhur me aktivitetin e sektorëve Minerar, Hidrokarbur dhe Elektro Energjitik të vitit 2016.

Në fokusin e programit të punës për vitin 2018, Sekretariati Kombëtar EITI ka adresuar prioritete si: Përmirësimin e kuadrit Ligjor që lidhet me Transparencën në shfrytëzimin e burimeve natyrore;  Programimin e publikimit të Pronarëve Reale në aktivitetet e industrive nxjerrëse; Raportimin e të ardhurave nga aktiviteti i kompanive me kapital shtetëror; Përmirësimin e bazës elekronike të të dhënave për ciklin e plotë të aktiviteteve sektoriale të industrive nxjerrëse; Rritja e sensibilizimit të Publikut mbi avantazhet e Shqipërisë si vend anëtar i Inisiativës Globale EITI;  Finalizimi i proçesit të krijimit të Kadastrës Minerare etj.

Gjatë takimit z. Kamberi formuloi edhe fushat specifike ku mund të adresohet bashkëpunimi me shtetin Zviceran si: Impakti në Mjedis i Industrive nxjerrëse në vend; Maksimizimi i të ardhurave për interes të komuniteteve lokale ku operohet me aktivitet të industrive nxjerrëse; Forcimi i kapaciteteve dhe rolit të MSG në këto proçese; Perfeksionimi i Open Data Portal nën koordinimin e Sekretariatit Kombëtar EITI.

Zv. Ambasadori  Keller theksoi rolin aktiv të shtetit Zviceran, në fusha si Rritja e kapaciteteve në sektorin e Gazit në Shqipëri, Efiçienca e Energjisë, suporti në sektorin e Gjenerimit të energjisë elektrike etj.

Z. Keller shprehu angazhimin për bashkëpunimin me Sekretariatin Kombëtar të Transparencës, për identifikimin e prioriteteve dhe aktiviteteve ku shteti Zvicerian mund të kontribuojë konkretisht për rritjen e impaktit të Transparencës në shfrytëzimin dhe mirëadministrimin e burimeve natyrore në vend dhe veçanërisht në sektorët e minierave, hidrokarbureve  dhe energjisë elektrike.

Gjatë takimit u vleresua fillimi në një kohë të shpejtë i proçesit të bashkëpunimit potencial, në çeshtje që kanë të bëjnë kryesisht me: Rritjen e kapaciteteve profesionale  dhe teknike në  Institucionet shtetërore; Impaktin në mjedis të aktiviteteve të industrive nxjerrëse;  Forcimin e rolit të Grupit Ndërinstitucional të Punës; Komunikimin mediatik dhe sensibilizimin e Publikut për rolin shumë të rëndësishëm të promovimit të Transparencës në shfrytëzimin e  burimeve natyrore në Shqipëri.