PROFILI I BASHKISË
Bashkia e re e Skraparit ka një reliev të thyer malor, i cili ka një territor shumë të gjerë dhe popullsi të ulët.Popullsia e zonës është pakësuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit nga largimet e banorëve drejt qyteteve të mëdha të Shqipërisë apo në emigrim. Vetë qyteti i Çorovodës humbi mbi 40 për qind të popullsisë mes viteve 2001 dhe 2011, ndërsa shumë nga komunat përbërëse kanë humbur mbi gjysmën e popullsisë.
Mungesa e perspektivës, kryesisht ajo e vendeve të punës, ka bërë që banorët e qytetit të vendosen për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre drejt qyteteve të mëdha, ndërsa banorët e zonave të thella janë larguar drejt qytetit të Çorovodës, si rezultat i mungesës së rrugëve dhe mjekëve në fshatrat e tyre. Problematika kryesore e banorëve të Çorovodës ka qenë gjendja e vështirë e rrugës kombëtare Skrapar-Berat.
Skrapari si burim kryesor ka të ardhurat që vijnë nga blegtoria dhe bujqësia, prodhime mjaft të vlerësuara këto në tregjet e vendit, ndër më të njohurat djathi dhe rakia e Skraparit. Vitet e fundit Skraparit i është shtuar shpresa për zhvillimin nëpërmjet turizmit.Kanionet e Skraparit, po tërheqin çdo ditë e më shumë vëmendjen e vizitorëve të huaj dhe vendas.
Mbi 20 mijë vizitorë mendohet se kanë prekur këtë bukuri të natyrës katër vitet e fundit.Turizmi fetar është një tjetër resurs i kësaj zone.Mijëra vizitorë shkelin në Skrapar çdo vit gjatë festës së Bektashinjve, gjatë ditëve të pelegrinazhit të muajit gusht.Por dhe këtë resurs të turizmit e pengon gjendja e vështirë e rrugës në fshatin Gjerbës, nga ku vizitorët duhet të udhëtojnë drejt malit të shenjtë Tomor.
Parku Kombëtar i Tomorit, është një tjetër resurs mjaft i rëndësishëm i kësaj zone, ende i pa vënë në shërbim të turizmit malor, si rezultat i mungesës së infrastrukturës dhe shërbimeve. Bashkimi i komunës Bogovë me Skraparin, i jep kësaj bashkie të re një tjetër mundësi për zhvillimin e turizmit.Uji që rrjedh nga zemra e malit, kodrat e hijshme, klima mjaft favorizuese dhe ushqimet e shijshme, i japin zonës elemente mjaft pozitive për zhvillimin e turizmit natyror.Ndryshe me pjesën tjetër të rrethit, nga Bogova nuk ka pasur lëvizje të mëdha të popullsisë.I gjithë fshati jeton me të ardhurat nga turizmi familjar.Pjesë e kësaj komune është fshati Novaj i njohur për gurin dekorativ.
Aktiviteti minerar privat, në rrethin e Skraparit, ka filluar në vitin 2001 dhe deri në Dhjetor të vitit 2014 janë aktive 25 leje minerare shfrytëzimi.
Në rrethin e Skraparit aktiviteti minerar është i zhvilluar në dy zona dhe konkretisht; në Novaj ku punohet për nxjerrjen e pllakave të gurit gëlqeror dhe në zonën e Milovës në nxjerrjen e gëlqerorit masiv.