05 Qer Shqipëria: Mbyllja e librit të së kaluarës
Ky artikull u publikua fillimisht në faqen e internetit të Sekretariatit Ndërkombëtar EITI (eiti.org), e Mërkurë, 21 Janar 2015 dhe ne Progres Raportin EITI 2015, e Enjte, 4 Qershor 2015.
Transparenca zë një vend kyç në përpjekjet për të përtërirë sektorin e industrisë nxjerrëse në Shqipëri në një formë më të mirë për brezat e ardhshëm.
Qeveria shqiptare ka nisur një program reformash të guximshme për fuqizimin e sektorit të industrisë nxjerrëse. Përmirësimi i transparencës është një pjesë e rëndësishme e këtyre reformave.
Në vitin 2014, Shqipëria publikoi dy raporte EITI dhe një plan të ri të menaxhimit të të ardhurave, forcoi kapacitetin për negocimin e kontratave, prezantoi përpjekjet për të trajtuar informalitetin në sektorin e minierave dhe kaloi kërkesat e transparencës në ligj.
Dorina Çinari, Koordinatore Kombëtare e EITI Shqiptar thotë:
“Me dhënien e informacioneve të gjera përmes EITI, ne tani kemi një masë kritike të informacionit në lidhje me sektorin tonë energjetik. Me këtë informacion ne jemi duke i dhënë formë pamjes që industria nxjerrëse duhet të ketë në Shqipëri. Rëndësia ekonomike e sektorit është e qartë dhe ajo është duke u bërë gjithnjë e më shumë politikisht e rëndësishme. Dëshmi për këtë do të gjeni nëse shikoni axhendën e qeverisë. ”
Zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z. Bejtja shtoi:
“Prioriteti ynë është i thjeshtë: transparencë dhe llogaridhënie e plotë në industrinë nxjerrëse dhe në përdorimin e burimeve tona. Nuk ka dyshim që ky sektor mbart çështje të mëdha; veçanërisht minierat. Ne jemi duke punuar me përkushtim për një vizion të ri dhe një standard të ri, për të rikthyer besimin, për të krijuar një sistem plotësisht efikas dhe transparent.”
Gjetja e pjesëve të humbura të enigmës.
Një pjesë e rëndësishme e humbur e enigmës ishte deri në këtë vit kompania shtetërore e naftës Albpetrol. Me raportin e fundit EITI, kjo është adresuar. Ilir Aliaj nga Qendra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve dhe anëtar i Grupit Ndërinstitucional të Punës së EITI Shqiptar ka thënë:
“Ne u gëzuam që bazuar në kërkesën e shoqërisë civile, u përfshi informacion i mëtejshëm mbi Albpetrol. Kjo tregon angazhimin për të zbatuar standartin e ri EITI. ”
Që në përpjekjet e para, qeveria tashmë është duke eksploruar se si mund të forcojë edhe më tej transparencën. Në prag të publikimit të raportit EITI, qeveria njoftoi dy studime të reja – një mbi mundësinë e përfshirjes së hidroenergjisë në procesin EITI dhe një mbi unifikimin e menaxhimit të të dhënave në industrinë nxjerrëse.
Ministri i Shqipërisë për Energjinë dhe Industrinë Z. Gjiknuri vuri re shkurtimisht:
“Ne duhet që njëherë e përgjithmonë të mbyllim librin e së kaluarës. Nuk ka kthim prapa. Është koha që shqiptarët të fillojnë të marrin përfitime nga burimet e tyre. Ne do të luftojmë me vendosmëri çdo plagë në sistem. Ne duhet ta lëmë këtë të pastër për brezat tanë të ardhshëm. “