Sektori minerar/ Rama: Do e futim në binarët që sigurojnë progres, po ndahemi nga e kaluara

Sektori minerar/ Rama: Do e futim në binarët që sigurojnë progres, po ndahemi nga e kaluara

Gazeta Tema,  9 Tetor 2014
 

Në kuadër të funksionimit të nismës globale për transparencën në industritë nxjerrëse, EITI-t, ku Shqipëria është palë, i jepet e drejta të kërkojë dhe marrë informacion nga subjektet, zotërues të lejeve minerare, organet e administratës tatimore, doganore, organet e qeverisjes vendore. EITI detyrohet të publikojë në raportin vjetor edhe të dhëna mbi pagesat e detyrimeve fiskale të kryera nga subjektet minerare.

Kryeministri Edi Rama shprehu bindjen që sektori minerar në vend do të futet në binarët që sigurojnë progresin.

Duke marrë fjalën në Kuvend gjatë diskutimit të p/ligjit mbi ndryshimet në sektorin minerar, Rama theksoi se me këtë p/ligj shënohet një kthesë dhe shkëputje nga e shkuara për minierat.

“Epoka që nis me miratimin këtij projekti i cili ka në themelin e vet në radhë të parë detyrimin për siguri pastaj domosdoshmërinë për inovacion dhe si rezultat edhe garancinë për progres.

Unë dua që të falënderoj para Kuvendit ministrin e Energjisë dhe Industrisë të gjithë ekipin e tij për vendosmërinë me të cilën kanë çuar para një proces të vështirë duke futur duart në një zgavër gjarpërinjsh.

Mjafton rezultati i revokimit të lejeve minerare për 160 subjekte si prove e vendosmërisë dhe vështirësisë së këtij procesi”, u shpreh Rama.

Sipas tij, pasuritë minerare do i kthehen popullit dhe se koncesionarët janë vendosur në pozita detyruese.

“Shtoj pa asnjë ndjenjë euforie por për të argumentuar me disa fakte që janë vetëm fillimi besimin që jemi në një moment ndarje nga e kaluara dhe vendosje në dispozicion të popullit shqiptar të kësaj pasurie.

Së pari vendosjen e një sërë koncesionarësh në pozitën detyrues që shteti e kishte lëshuar duke i hapur udhë abuzimeve dhe duke lejuar të krijohej një hendek mes përfitimeve të ditës, kushteve të sigurisë dhe të ardhurat e publikun nga shfrytëzimi i kësaj pasurie. Vendosja e koncesionarit kryesor në pozitën detyruese për të nisur investimet e fazës së dytë të parashikuar në marrëveshje ka sjellë hapjen e një procesi që do aktivizojë 45 milionë ton krom dhe do zgjasë jetën e minierës për 20 vjet. Investim që shkon 13,5 milion dollarë”, u shpreh kryeministri.

Rama edhe një herë theksoi se industria po kthehet në binarët që sigurojnë progres.

“Shifrat e realizuara nga fabrika e pasurimit të kromit janë kuptimplota duke e çuar kapacitetin përpunues në 240 mijë ton përpunim minerali. Vendosja në punë e impiantit të seleksionimit të kromit në Klos që kishte 20 vjet që nuk punonte. Vendosja në pozita detyruese kontratuale të aktorëve në fushë ka sjellë edhe vendosjen në punë të uzinës së Burrelit me kapacitet 10 mijë ton në vit. Janë shifra të mjaftueshme në këtë fazë për të parë një kthesë që ky projekt e bën më të shpejtë më të qartë dhe e përcakton rrugën pas kthesës në mënyrë të kthjellët”, u shpreh Rama.

Nga foltorja e Kuvendit, Rama theksoi rëndësinë e rritjes së kapacitetit teknik në këtë sektor.

“Detyrimi i subjekteve për të rehabilituar mjedisin në një mënyrë periodike, duhet të jetë pjesë e bashkëpunimit mes Ministrisë së Mjedisit dhe asaj të Shëndetësisë. Që të jemi në rrugën e duhur me këtë sektor është ajo që ligji sjell si risi, është të vihet theksi tek rritja e kapaciteteve teknike”, tha Rama.

Sektori i minerareve, sipas Ramës do të njoh një kapitull të ri zhvillimi.

“Pavarësisht se nuk është pjesë e këtij projekti, por është pjesë e programit të gjithë ristrukturimit të shtetit dhe sektorit privat, se hapja e shkollës së parë profesionale për të siguruar dhe kualifikuar krahun e punës, duke hapur një kapitull të ri nga skllavërimi tek kushtet e reja, është vetëm fillimi.

Ndaj në gjithë ato zona që janë trotuar për gjithë këto vite, kanë të drejtë të shijojnë në kohën, duke hapur një kapitull të ri, të vështirë por të domosdoshëm”, shtoi Rama.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë  Damian Gjiknuri gjatë prezantimit të projektligjit të ri në Kuvend theksoi se ky ligj i ri do i japë fund mbivendosjes së lejeve minerare.

Ai u shpreh se prioritet për qeverinë është siguria në punë. Ministri theksoi se janë ushtruar kontrolle në të gjithë vendin për të verifikuar kushtet e punës.

“Ky ligj do i japim fund mbivendosjes së lejeve minerare duke revokuar rast pas rasti. Për shumë vite puna në miniera kryehej jashtë rregullave dhe standardeve të sigurisë. Një tjetër problem ishte shkalla e ulët e përpunimit të minerareve.

Prioriteti ynë i parë ishte siguria në punë. Ndërmorëm kontroll në të gjithë sektorët minerar.

Kontrolluam zbatueshmërinë e rregullave në punë. Investuam për të rritur prodhimin e bakrit. Do shtohen vendet e punës do rritet prodhimi i kromit për vitet në vijim”, u shpreh Gjiknuri.

Ndryshimet ligjore

Ndryshimi parashikon se zotëruesi i lejes minerare është përgjegjës para strukturave përgjegjëse për zbatimin e kushteve e kërkesave të lejes minerare dhe për përmbushjen e detyrimeve të tjera të përcaktuara në legjislacionin në fuqi. Zotëruesi i lejes minerare dhe nënkontraktori janë përgjegjës përpara strukturave përgjegjëse për zbatimin e kushteve dhe rregullave të sigurimit teknik në zonën, ku ushtrohet aktiviteti minerar i nënkontraktuar.

Ndryshime të tjera lidhen me saktësimin e kritereve të përcaktimit të zonave minerare për lejet e kërkim-zbulimit, ndryshimin e periodicitetit të garancive financiare për realizimin e planit të investimeve, dhënien e lejeve për karrierat minerare jo vetëm në interes të komunitetit lokal, por dhe për projekte kombëtare.

Për herë të parë me ndryshimet ligjore formalizohet nënkontraktimi, pasi është harmonizuar Ligji minerar me disa ligje koncesionare, që parashikojnë nënkontraktimin. Procedurat, kriteret dhe rregullat për dhënien e miratimit për shfrytëzimin në sipërfaqe dhe nëntokë ngjitur me konturet e lejes përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Leja e kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet ka afat vlefshmërie 3-vjeçar, që mund të zgjatet 2 herë, me kërkesë të zotëruesit të lejes, ku cdo zgjatje ka afat 1-vjeçar. Me miratimin e lejes minerare të shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet, zona e lejuar e shfrytëzimit hiqet nga fondi pyjor e kullosor, pronë shtetërore, zëri “Tokë e zënë, tokë me bimësi pyjore” dhe regjistrohet në zërin “Tokë e zënë, objekt shfrytëzimi për ushtrimin e veprimtarisë minerare”, sipas legjislacionit në fuqi për ndryshimin e zërit kadastral të fondit pyjor e kullosor. Brenda 10 ditësh nga miratimi i lejes, zotëruesi përgatit dokumentacionin përkatës dhe e dorëzon pranë ministrisë përgjegjëse për veprimtarinë minerare, që brenda 10 ditësh përgatit aplikimin dhe e dërgon pranë ministrisë përgjegjëse për mjedisin.

Garancia depozitohet brenda 20 ditëve kalendarike me përmbajtjen: “vlera e garancisë financiare për realizimin e programit të investimit për lejet e shfrytëzimit vlerësohet nga struktura përgjegjëse dhe miratohet nga ministri”. Vlera e garancisë financiare për realizimin e investimit për lejet e shfrytëzimit i kthehet zotëruesit të lejes në fundin e periudhës së investimeve të përcaktuar sipas programit të zhvillimit të veprimtarisë minerare, kur vlera e investimit është realizuar mbi 90 % dhe brenda afatit kohor të parashikuar, pas hartimit të raportit të detajuar të strukturave përgjegjëse e të miratuar nga ministria. Kthimi i plotë i garancisë financiare të investimit bëhet kur investimi është realizuar 100% dhe brenda afatit kohor të parashikuar. Kthimi i pjesshëm i garancisë financiare të investimit bëhet kur vlera e investimit është realizuar brenda afatit dhe në nivelin mbi 90%. Në këtë rast, kthimi i pjesshëm i garancisë financiare të investimit bëhet në përputhje me përqindjen e realizimit të investimit.

Saktësimi i konceptit të servitudit ligjor, veçanërisht me punimet e nëntokës, krijimi i kushteve ligjore për rritjen e sigurisë në miniera, saktësimi i zonave minerare dhe të terminologjisë, të përdorura në ligj, janë gjithashtu ndryshime të rëndësishme.

Servituti ligjor i detyrueshëm në punimet minerare nëntokësore horizontale apo vertikale, që i përkasin një zone tjetër ekzistuese të lejuar minerare, ushtrohet vetëm me marrëveshje mes palëve. Zotëruesi i lejes minerare që përfiton nga servituti mbi bazën e marrëveshjes, është i detyruar që së bashku me dokumetacionin ligjor dhe teknik për miratimin e programit vjetor të veprimtarisë minerare, të depozitojë pranë strukturës përgjegjëse edhe marrëveshjen për lejimin e së drejtës së kalimit. Në rast se nuk arrihet marrëveshje mes palëve, krijimi i servitutit të detyrueshëm bëhet nga ministri.

Projektligji ndalon krijimin e servituteve vullnetare apo të detyrueshme, në sipërfaqen e mbitokës dhe në punimet minerare nëntokësore horizontale apo vertikale, në zonat e rrezikshme minerare. Përgjegjësitë për mirëmbajtjen dhe respektimin e rregullave të sigurimit teknik në zonat nëntokësore të kalimit, përcaktohen në marrëveshjen e nënshkruar midis palëve ose në aktin e krijimit të servitutit të detyrueshëm.
Projektligji pasqyron frymën e disa aksioneve të ndërmarra në nivel evropian si deklarata evropiane për transparencën e gjithë kontratave dhe lejeve për shfrytëzimin e nëntokës, përfshihet saktësimi i servituteve, blloqeve minerare, nënkontraktorëve, çdo marrëveshje që nënshkruhet për shfrytëzimin e pasurive të nëntokës, duke marrë në konsideratë interesat lokale, që lidhen me mjedisin, punësimin, zbutjen e efekteve nga shfrytëzimi i minierave.

Në kuadër të funksionimit të nismës globale për transparencën në industritë nxjerrëse, EITI-t, ku Shqipëria është palë, i jepet e drejta të kërkojë dhe marrë informacion nga subjektet, zotërues të lejeve minerare, organet e administratës tatimore, doganore, organet e qeverisjes vendore. EITI detyrohet të publikojë në raportin vjetor edhe të dhëna mbi pagesat e detyrimeve fiskale të kryera nga subjektet minerare.