06 Shk Qëndra Shqiptare për Zhvillim dhe Integrim, përfaqësuese në Grupin Ndërinstitucional të Punës (MSG) bëhet pjesë e Strategjisë së Bashkëpunimit Zvicerian në Shqipëri.
Qëndra Shqiptare për Zhvillim dhe Integrim zhvilloi një projekt monitorimi përgjatë muajve Gusht 2018-Janar 2019, në lidhje me shpërndarjen e rentës minerare për pushtetin vendor në bashkitë ku ka aktivitet të industrisë nxjerrëse. Projekti u zbatua në 5 bashki, Patos, Roskovec, Ura Vajgurore, Bulqizë dhe Has dhe u mbështet nga Lëviz Albania.
Përgjatë projektit “Përdorimi i plotë 5% i rentës minerare në dobi të komunitetit dhe transparenca e plotë e përdorimit të saj për publikun”, u zhvillua një sondazh në të 5 bashkitë me disa qindra qytetarë nga grupe të ndryshme shoqërore, u realizuan mbi 40 takime dhe intervista me Kryetarë të Bashkive, punonjës të tatimeve e financës në bashkitë Patos, Roskovec, Bulqize, Has, Ura Vajgurore, titullarë dhe punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe të Tatimeve, si dhe drejtorive rajonale të Tatimeve, Peshkopi, Kukës, Fier dhe Berat, titullarë të Bordit EITI, përfaqësues të biznesit dhe shoqerisë civile.
Projekti konstatoi se ka proçedura të gjata dhe burokratike që vështirësojnë dhe rritin kostot e tërheqjes së rentës për bashkitë që e përfitojnë atë. Ekziston nje infrastrukturë e ngarkuar, e shpërndarë në shumë institucione kombëtare e vendore, e cila e ka bërë të vështirë mënyrën e përllogaritjes së rentës, mbledhjes dhe shpërndarjen e saj sipas ligjit.
Për arsye te mosnjohjes së plotë te ligjit, nga bashkitë nuk kryhen proçedurat e plota për proçesin e rakordimit të shifrave të rentës së mbledhur nga të gjitha institucionet qëndrore apo rajonale të doganave apo tatimeve.
Koha minimale e zgjatjes së proçedurave është 4 muaj nga fillimi i rakordimeve deri ne alokimin e rentës në buxhetin e bashkive.
Renta minerare 5% nuk është e mjaftueshme në raport me dëmet që komuniteti ka nga shfrytëzimi i burimeve natyrore.
Për arsye se njësitë e vetqeverisjes vendore, nuk i kanë shfrytëzuar maksimalisht instrumentet ligjore, dhe si rrjedhojë, nuk janë imponuar dot ose nuk janë dëgjuar nga qeveria qëndrore për shqetësimet e tyre në lidhje me vështirësitë dhe vonesat e përllogaritjes, mbledhjes apo vjeljes së pjesës që u takon nga renta minerare, Qëndra Shqiptare për Zhvillim dhe Integrim propozon:
- Rishikimin i kuadrit ligjor dhe gjetja e instrumenteve efektivë për ta lehtësuar proçesin nga barra e madhe burokratike.
- Të shihet mundësia e transfertës së rentës, 95% për shtetin dhe 5% për bashkinë në momentin fillestar kur bëhen transaksionet financiare të kompanive gjatë shitjeve të brendëshme tek tatimet apo eksporteve tek doganat.
- Qeveria të rikthejë masën 25% të rentës për njësitë e pushtetit vendor siç ka qenë deri në vitin 2014 ndërkohë që për bashkitë që përftiojnë shuma të vogla nga renta ajo të shkojë në masën 100%.
- Ndërkaq të gjitha bashkitë duhet të publikojnë në shifra dhe informojnë qytetarët e tyre për rentën e mbledhur dhe projektet e investuara me të sipas standarteve të EITI ku Shqipëria është anëtare që prej vitit 2013 etj.