24 Pri Promovimi i nismes EITI dhe perfitimet publike ne nivel vendi
Më 24 prill 2014, Sekretariati Shqiptar i Nismës per Transparence ne Industrine Nxjerrëse, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, organizoi një forum me temë “Promovimi i Nismës EITI dhe përfitimet publike në nivel vendi “, në Hotel Tirana.
Në takim morën pjesë Z. Damian Gjiknuri , Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Z. Lefter Koka, Ministri i Mjedisit , Z. Ambasador Florian Raunig , Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri , Z. Aleksandër A. Arvizu Ambasador i SHBA në Shqipëri dhe Z. Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit. Drejtuesi i Sekretariatit Ndërkombëtar EITI Z. Jonas Moberg erdhi me mesazhin e tij në forum, me anë të një lidhjeje direkte në Skype.
Përfaqësues të qeverisë lokale, kompanitë më të mëdha të naftës, minierave dhe të shoqërisë civile ishin të pranishëm në takim.
Një forum për të promovuar Nismën për Transparencë në Industritë Nxjerrëse dhe përfitimin nga komunitetet lokale, i organizuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe gjithashtu nga prezenca e OSBE në Tiranë. Ky forum ka për qëllim krijimin e një platforme diskutimi dhe gjithashtu rritjen e ndërgjegjësimit për autoritetet e qeverisë dhe bizneseve, në mënyrë që të rrisë të mirat publike, duke zhvilluar projektet që prekin burimet e tyre natyrore.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri gjatë fjalës së tij, theksoi:
Unë e konsideroj Nismën EITI në Industrine Nxjerrëse si një iniciativë shumë të rëndësishme. Ka pasur shumë debate në të cilën pyetja kryesore ishte se sa përfiton publiku nga industritë nxjerrëse.
Në vendet që kanë industri nxjerrëse, ekziston gjithmonë një tension, nëse merr publiku atë që meriton dhe a është mjedisi i duhur për biznesin për të investuar në këta sektorë? Ky është një tension normal, publiku dhe politika pret që kompanitë të jenë më transparente dhe që pjesa që i takon publikut të shkojë, pra interesi publik të mbrohet. Por, nga ana tjetër nuk duhet që për shkak të këtij tensioni të vihet në diskutim edhe zhvillimi i industrive nxjerrëse.
Industritë nxjerrëse janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë, e cila është e bekuar me burime natyrore. Në shumë vende, shpesh thonë se edhe burimet natyrore mund të sjellin atë që quhet “dutch disease”, mallkimi i atyre vendeve që kanë pasuri. Sepse shpesh, e gjithë vëmendja përqendrohet tek industritë nxjerrëse dhe harrohen shumë burime të tjera që ka ekonomia. Megjithatë, unë them se Shqipëria është e bekuar që i ka këto burime dhe ka shumë mundësi që të zhvillojë industri të lidhura me industrinë nxjerrëse.
Ka rëndësi, jo vetëm nxjerrja e mineraleve, jo vetëm nxjerrja e burimeve natyrore si nafta, por edhe zhvillimi i zinxhirit të përpunimit të tyre. Një gjë që fatkeqësisht, nuk ka ecur siç duhet në Shqipëri këto vite.
Industritë përpunuese qoftë të naftës, qoftë edhe të mineraleve të tjera janë në një stad të prapambetur, janë shumë pak industri që janë aktive. Kjo për shkak mbase edhe të mungesës së vëmendjes, politikave nxitëse dhe shumë elementëve të tjerë të tregut, por edhe mënyrës sesi janë alokuar të drejtat për të shfrytëzuar pasuritë natyrore.
Shpeshherë, në Shqipëri janë fragmentuar në mënyrë të tillë që nuk kanë arritur të krijojnë atë platformën e duhur për ngritjen dhe zhvillimit e industrive zinxhir përsa i përket burimeve nxjerrëse.
Në fakt, transparenca është një çështje shumë e rëndësishme. A po merr publiku atë që meriton?! A po merr shteti shqiptar atë që meriton?! Ky tension që përmenda ekziston në vende të tjera, ekziston edhe në Shqipëri. Pikërisht, për të gjykuar për këtë, duam transparencë, duam rregulla të qarta sesi ndahen këto pasuri. Të them të drejtën, unë mendoj se publiku nuk e ka marrë atë që meriton, sidomos me minierat shqiptare. Po flas për pasuritë natyrore, kemi shumë aktivitete të karakterit ilegal dhe shpesh edhe renta që është për tu llogaritur nuk llogaritet siç duhet për shkak të aktiviteteve ilegale.
Ministria që unë drejtoj, po bën një punë jashtëzakonisht të madhe përsa i përket kësaj çështje duke rritur transparencën, por dhe duke rritur kontrollin. Ne mendojmë se pa një kontroll më të mirë të sektorit minerar, të sektorit të industrisë nxjerrëse, nuk mund të ketë transparencë të qartë për publikun. Po themi disa nga masat që unë i shikoj më emergjente dhe për të cilat ne po punojmë.
Jemi në një dialog me industrinë nxjerrëse të naftës, duam që të krijojmë një kuadër rregullator shumë më të mirë, që edhe investimet në naftë të garantohen, por njëkohësisht edhe publiku të marrë atë që meriton. Ka shumë kontrata hidrokarbure, ka nga ato që kanë qenë të suksesshme përsa i përket prodhimit, por ka edhe nga ato që nuk kanë qenë të suksesshme, për shkak se kanë shkuar në duar jo të mira.
Në Shqipëri, shpesh ka ndodhur fenomeni i marrjes së licencave për t’i tregtuar. Ky është fenomen vrastar! Ky vërtet krijon lidhje të shkurta me politikën, por fatkeqësisht nuk ndihmon zhvillimin e industrisë. Prandaj, qeveria jonë ka marrë një vendim që për burimet e tjera të naftës, për fushat e tjera të pazbuluara, për fusha të tjera me mundësi të mëdha për eksplorim, të jepen nëpërmjet proceseve të ankandeve, proceseve të transparencës dhe të konkurrencës.
Ky është një vendim i rëndësishëm që do të zbatohet për herë të parë në Shqipëri pas 20 vitesh. Edhe interesi në sektorin e naftës është rritur, sidomos pas zhvillimeve të fundit me gjetjen e naftës nga Shell-i. Në disa zona të Shqipërisë, interesi nga kompanitë ndërkombëtare është rritur dhe unë përfitoj t’ju them të gjithëve se Shqipëria është shumë e interesuar për të gjithë investitorët seriozë, të vijnë të investojnë në këtë fushë.
E njëjta gjë ka ndodhur me pasuritë natyrore minerare. Fragmentimi i të drejtave të shfrytëzimit ka sjellë kaos. Ne po përgatitemi që me ndryshimet e reja të ligjit në sektorin minerar, të mundohemi të adresojmë një pjesë të këtij kaosi. Është një proces i vështirë, them që duhet ta adresojmë të gjithin, por do të marrë kohë. Nuk mund të lejojmë më atë fragmentimin, mbivendosje lejesh, apo probleme të tjera, sidomos në zonën e Bulqizës, e cila është kthyer në një gangrenë dhe që realisht e ka dëmtuar shumë interesin publik, ka vënë në rrezik jetë njerëzish dhe nuk po e zhvillon siç duhet industrinë nxjerrëse, sidomos në fushën e kromit.
Shumë shpejt, ministria që unë drejtoj do të paraqesë ndryshimet ligjore përsa i përket ligjit minerar. Unë them se do të adresohen shumë nga ato probleme të cilat vazhdimisht kanë lënguar në këtë sektor.
Përsa i përket transparencës, unë përshëndes EITI-n për këtë aktivitet, edhe për raportin e ardhshëm që do të publikojë në lidhje me transparencën në këtë industri. Aty do të mësojmë edhe shifrat e fundit sipas një auditimi të pavarur të këtyre të dhënave. Do të mësojmë se sa realisht është ajo që përfiton publiku nga industria nxjerrëse. Për të gjykuar, për të parë, a po marrim atë që meritojmë? A ka nevojë për përmirësime të kuadrit ligjor, të cilat nuk duhet të bëhen në mënyrë të njëanshme, por në konsultim me industrinë. Pra, duke marrë parasysh edhe riskun e investitorëve, por njëkohësisht duke marrë parasysh edhe interesin publik.
Nga ana tjetër, me mbështetje edhe të fondeve nga BERZH-i po zhvillojmë një regjistër transparence për koncesionet. Regjistër i cili për herë të parë do të krijohet në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe do të ketë të gjitha koncesionet, lejet minerare, HEC-et, çdo gjë të dhënë. Një regjistër elektronik që do të pasqyrojë sidomos fazën e implementimit të tyre. Fatkeqësisht, edhe një inventar i mirëfilltë ka munguar dhe kjo nuk është gjë e mirë as për publikun, as për privatin.
Të gjithë duan të dinë cilat janë licencat e dhëna, në çfarë faze janë ato, si po investohet, kur skadojnë, për t’i dhënë mundësinë të tjerëve që janë më të interesuar për të investuar dhe që janë seriozë për t’i marrë ato.
Ky proces do të marrë disa muaj, por unë them, në fund të vitit ne do të kemi mundësi që të kemi një regjistër transparent me të gjitha kompanitë e listuara dhe me fazat e zhvillimit të çdo procesi. Edhe ky, është një element shumë i rëndësishëm për transparencën, sepse të gjithë do të kenë mundësi të shikojnë cilët janë operatorët, si janë selektuar këta operatorë dhe çfarë po ndodh me pasuritë tona. Kjo pikërisht për të luftuar atë fenomen që unë e thashë në fillim dhe që besoj kjo është shumë e rëndësishme.
Të drejtat e burimeve natyrore duhen dhënë gjithmonë duke patur interesin publik brenda. Në qoftë se ja ke dhënë njerëzve të papërgjegjshëm, njerëzve që nuk kanë ndërmend të investojnë, njerëzve që kanë menduar se duke marrë një letër do ta tregtojnë dhe do të gjejnë ndonjë investitor, ne kemi krijuar një barrierë natyrale për investimin serioz.
Le t’i vëmë në dispozicion burimet natyrore për shoqëritë serioze, mundësisht edhe të konsorciumeve ndërkombëtarë, edhe investitorëve shqiptarë, por nëpërmjet një procesi transparent dhe kompetitiv.
Realisht, këto kanë qenë synimet e ministrisë sonë, në këtë drejtim po punojmë. Kjo nismë që po vazhdon, ka qenë më parë në Shqipëri, nuk mendoj se ka funksionuar mirë në vitet e fundit, nuk i është dhënë vëmendje e veçantë. Por, me interesin e shtuar, sidomos edhe më vëmendjen që po i kushton qeveria shqiptare transparencës, mendoj që do të japë rezultate shumë të mira, qoftë për publikun shqiptar, qoftë edhe për investitorët.
Ndaj, unë e përgëzoj drejtoreshën për iniciativën, do të keni të gjithë mbështetjen e ministrisë që transparenca të ecë në drejtimin e duhur.
Z. Lefter KOKA , Ministri i Mjedisit , gjatë fjalës së tij tha :
Investimet në industritë nxjerrëse janë të mirëpritura në Shqipëri, por, ndërkohë , kompanitë duhet të shpërblejnë dëmtimin e mundshëm të mjedisit duke kontribuar në mjedis, për shembull duke rritur sipërfaqet pyjore, me mbjelljen dhe rritjen e sipërfaqeve të gjelbra.
“Mungesa totale e transparencës dhe politikave të gabuara në këto 24 vitet e fundit kanë shkaktuar shfrytëzim abuziv nga investitorët në industritë nxjerrëse duke treguar rezultate të këqija në çështjet e ambientit dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore ” . Për shkak të këtyre politikave të errëta ne vazhdojmë të mos kemi besimin e qytetarëve tanë, dhe ata vazhdojnë të mos marrin përfitimet që ata meritojnë nga shfrytëzimi i burimeve natyrore. Unë i siguroj të gjithë se ne jemi të angazhuar për të ndryshuar këtë mentalitet përgjithmonë. Ne kemi filluar të hartojme kuadrin ligjor dhe politikat e nevojshme për të ndryshuar realitetin.
Duke synuar mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit, ftoj kompanitë që të angazhohen në procesin e rehabilitimit të zonës ku ata veprojnë, duke riparuar çdo pjesë të mjedisit që nuk duhet të ishte shkatërruar.
Ministri vlerësoi rolin e EITI, jashtëzakonisht të nevojshëm pasi ofron marrëdhënie të drejta dhe transparente ndërmjet shtetit, kompanive, dhe shoqërisë civile, për të kontribuar të gjithë së bashku për të mirën e vendit dhe komunitetit.
Në fjalën e tij Z. Florian Raunig, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, përmendi se secili prej palëve të përfshira në procesin nxjerrës dhe të cilët kanë pritshmëri duhet të diskutojnë dhe adresojnë shqetësimet e tyre në një mënyrë konstruktive dhe serioze. Transparenca në industrinë nxjerrëse është një shqetësim shumë serioz, ajo është duke u bërë një nevojë në rritje, dhe kërkon që Shqipëria të plotësojë standardet. OSBE-ja është plotësisht e angazhuar për të mbështetur Ministrinë e Energjisë dhe EITI për përmbushjen e këtij objektivi madhor.
Nga ana tjetër, gjatë fjalës së tij në forum, ambasadori i SHBA në Tiranë, Z. Aleksandër A. Arvizu , theksoi rëndësinë e kalimit nga informaliteti në formalitet të sektorit të industrisë nxjerrëse. “Një komponent i rëndësishëm i kësaj është koncepti i kërkesave të raportimit. Çdo biznes duhet të ketë një kërkesë raportimi. Ajo shkon dorë për dore me më shumë transparencë, ” tha Arvizu .
Gjatë fjalës së tij, Z. Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin tha:
Unë e mirëprita ftesën për të marrë pjesë në forumin EITI Shqiptar. Unë personalisht mbështes këtë nismë dhe nga perspektiva e Kryetarit të Komisionit Parlamentar unë ju ftoj për të sjellë të gjitha çështjet dhe nevojat që EITI përballet, për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë. Unë do të jem zëri juaj aty.
Znj. Dorina Çinari, Drejtuese e Sekretariatit Shqiptar EITI, theksoi rezultatet e punës së bërë deri më tani, statusi aktual për aktivitetet e EITI në Shqipëri . Znj. Çinari përmendi përgatitjen e dy raporteve EITI 2011 dhe 2012, të cilët pritet që të publikohen në vitin 2014 dhe punën e bërë për Standardet e reja EITI të publikuara në vitin 2013. Sfidat e reja: Transparenca në të gjithë zinxhirin e vlerave të industrisë nxjerrëse, jo vetëm në rikonsilimin e pagesave / të ardhurave, janë vendosur në rendin e ditës. Studimi potencial i të ardhurave si dhe çmimi i transferimit janë vendosur gjithashtu si sfidat tona të reja.