“Praktikat e mira rregullatore, aleancat dhe partneritetet janë çelësi i suksesit në proçesin e dhënies së licensave”

“Praktikat e mira rregullatore, aleancat dhe partneritetet janë çelësi i suksesit në proçesin e dhënies së licensave”

Ky artikull u publikua fillimisht në faqen e internetit të Sekretariatit Ndërkombëtar EITI (eiti.org), E Enjte 29 Janar 2015

imazhi_praktikat rregullatoreOrganizatori i Samiteve Botërore International Research Networks (IRN) zhvilloi së fundi në Landmark Hotel në Londër, në datat 20 dhe 21 Janar 2015, një Samit të nivelit të lartë mbi Licensimin Ndërkombëtar në fushën e Naftës dhe Gazit 2015. Në këtë Samit morën pjesë mbi 80 delegatë nga kompani ndërkombëtare, si dhe delegacione ministrore dhe përfaqësues të agjencive hidrokarbure nga Meksika, Kolumbia, Turqia, Australia Perëndimore, Malajzia, Trinidad dhe Tobago, Uganda, Ekuadori, Nigeria, Mali, Njufaundlendi, Nikaragua, Islanda, Argjentina, etj.

Eventin e hapi Guillermo I. García-Alcocer, Shef i Politikave për Kërkimin dhe Nxjerrjen e Hidrokarbureve në Ministrinë e Energjisë të Meksikës, i cili bëri një përshkrim të reformës në energji në Meksikë dhe mënyrën e zbatimit të saj në muajt e ardhshëm. Gjatë fjalimit të tij, ai iu referua historisë qindra vjeçare të Meksikës në Kërkimin dhe Prodhimin e Naftës, duke theksuar se edhe pse vendi nuk zotëron teknologjitë më të fundit, ai përfiton nga furnizimi i mirë me naftë bruto.

Në këtë Samit, prezantuan edhe Selami Incedalci, Drejtor i Përgjithshëm për Çështjet e Naftës në Ministrinë e Energjisë dhe Burimeve Natyrore të Turqisë, dhe Dorina Cinari, Drejtoresha e Nismës për Transparencë në Industritë Nxjerrëse (EITI) të Shqipërisë, të cilët diskutuan rreth nevojës për krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm, transparent dhe objektiv për investitorët nëpërmjet sistemeve të licensimit.

Të dhënat sizmike ishin një tjetër pikë kyçe e diskutimit nga ekspertë të fushës, si dhe nga Sponsori ‘Gold’ Spectrum ASA, dhe Sponsori i Ekspozitës Proseis AG. Këta dy të fundit ofruan një panoramë të një raundi licensimi nga këndvështrimi i tyre si partnerë në fushën Sizmike, si dhe disa shembuj nga bota, duke shpjeguar se ‘në fund, gjithçka lidhet me G dhe G – Gjeologjinë dhe Gjeofizikën’.

Në ditën e parë të Samitit u  bënë gjithashtu prezantime tejet informuese nga Richard Riordan, Drejtor  i Tregtisë dhe Investimeve në Qeverinë e Australisë Perëndimore, i cili paraqiti proçesin e dhënies së lejeve të naftës dhe gazit në bazë të sipërfaqes, duke i kujtuar investitorët potencialë se Raundi aktual i Licensimit në Australinë Perëndimore do të mbyllet këtë vit dhe se ka mbetur vetëm pak kohë për oferta të reja; dhe nga Thorarinn Sveinn Arnarson, Drejtoreshë për Kërkimin e Hidrokarbureve në Autoritetin Kombëtar të Energjisë së Islandës, i cila theksoi rëndësinë e marrjes së feedback-ut nga raundet e pasuksesshme dhe përdorimin e mësimeve të nxjerra për të tërhequr më shumë investitorë ndërkombëtarë, ashtu siç ka bërë në fakt Islanda, në mënyrë të veçantë duke përmirësuar kushtet e licensimit.

Më pas, delegacioni i Samitit vijoi me biseda pune me liderët ndërkombëtar të naftës dhe gazit gjatë Pritjes me Shampanjë. Mbrëmja vazhdoi këndshëm me një darkë private Gala.

Dita e dytë e Samitit nisi me kryetarin e tij, Richard Moreton, Drejtor Ekzekutiv i Ardent Oil, i cili dha shembuj nga raunde të suksesshme licensimi në të gjithë botën. Kjo u pasua nga një diskutim i kompanisë Petronas, i cili u bë nga Salina Safiullah, Menaxhere e Block Promotion Basin Assessment dhe Promotion Petroleum Resource Exploration. Ajo vlerësoi metodat efektive për promovimin e raundeve të licensimit, duke specifikuar se ‘[ata] janë ende duke mësuar’.

Sponsori ‘Platin’ Nalcor Energy, i përfaqësuar nga Jim Keating, Zv.President për Naftën dhe Gazin, prezantoi planet dhe aktivitetet e eksplorimit në kufirin e ardhshëm të energjisë të Kanadasë, në detin e Njufaundlendit dhe Labradorit. Z. Keating ndau me të pranishmit pikëpamjet e hershme të strategjisë së eksplorimit të Nalcor, përfshirë analogjitë me disa nga zbulimet kryesore të naftës dhe gazit në botë.

Më pas, Dritan Spahiu, Drejtor i Politikave dhe Zhvillimit të Hidrokarbureve në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, trajtoi çështjen e krizës në industri, duke deklaruar se situata aktuale e çmimit të naftës ka të bëjë me Kompanitë Prodhuese, dhe nuk duhet të prekë Shqipërinë, e cila ndodhet aktualisht në një fazë të gjerë Eksplorimi. Ai shtoi më tej se “Shqipëria ka potenciale të larta në naftë bruto dhe kjo është tepër pozitive për investitorët’ dhe i ftoi të pranishmit të marrin pjesë në Samitin e Naftës, Gazit dhe Energjisë që do të mbahet në Shqipëri pas disa javësh, ku do të zbulohen më shumë detaje rreth mundësive për zhvillimin e sektorit.

Në ditën e dytë u paraqit një Panel Diskutimi i moderuar nga Sponsori ‘Gold’ Zebra Data Sciences, së bashku me Autoritetin Kombëtar të Energjisë së Islandës, Petronas, Petra Petroleum, Ardent Oil MB dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë. Liderët e naftës dhe të gazit diskutuan për mënyrën  se si fushatat efektive të marketingut mund të çojnë në raunde të suksesshme të licensimit. Delegatët e pranishëm  mësuan se dhomat virtuale të të dhënave dhe përdorimi i fasiliteteve të multimedias mundëson shtrirje maksimale për promovimin e një raundi licensimi; dhe se pasiguria, siç është ndryshimi i rregullave në mes të proçesit të negocimit, apo afatet jorealiste, nuk janë të pranueshme në proçesin e aplikimit.

Prezantimi i fundit në Samitin e Licensimit u bë nga Richard Moreton, Drejtor Ekzekutiv i Ardent Oil MB. Ai paraqiti këndvështrimin e një kompanie të vogël mbi efikasitetin real të raundit të licensimit. Shefi ekzekutiv i Petra Petroleum, Robert A. Lambert, u bashkua me mendimin e tij duke theksuar se ‘kompanitë më të vogla të naftës gjenerojnë ide të fuqishme dhe investojnë në mundësi të reja’.

Disa nga kompanitë që morën pjesë në Samit ishin BG Group, BP, Dentons, Dolphin Geophysical, Ambasada e Kolumbisë, Empresa Nicaraguense del Petroleo, Nisma për Transparencë në Industritë Nxjerrëse të Shqipërisë, Sekretariati i Hidrokarbureve i Qeverisë së Australisë Perëndimore, Inter-Continental des Services, ION Geophysical, Jardfeingi, Lyme Bay Consulting, Sistemi Informativ Lynx, Ministria e Energjisë dhe Zhvillimit të Mineraleve të Ugandës, Ministria e Energjisë dhe Burimeve Natyrore të Turqisë, Ministria e Energjisë së Meksikës, Ministria e Minierave të Malit, MultiClient Geophysical ASA, Nalcor Energy, Autoriteti Kombëtar i Energjisë i Islandës, Orca Exploration UK Services, Petronas, Proseis, Sasol Exploration & Production International, Searcher Seismic Pty, Spectrum Geo Limited, Statoil, Agjencia Rregullatore e Naftës së Nigerisë, Departamenti i  Naftës dhe Minierave në Australinë Perëndimore dhe Zebra Data Sciences.

Për më shumë informacion mbi edicionin e dytë të Samitit për Licensimin Ndërkombëtar në fushën e Naftës dhe Gazit që do të mbahet vitin e ardhshëm, shikoni http://www.irn-international.com ose abonohuni në faqen (newsletter)  e IRN-së. Dokumentacioni dhe prezantimet janë në shitje për personat që nuk morën pjesë.