PROFILI I BASHKISË
Bashkia e re e Përrenjasit përfshin sipërfaqe të shumta pyjore dhe burime të bollshme hidrike si dhe një fushë pjellore. Nëntoka është e pasur me krom, ndërkohë që ky mineral shfrytëzohet aktualisht në dy prej fshatrave të bashkisë së re.
Zonat e Rrajcës, Qukësit dhe Stravajt kanë sipërfaqen më të madhe të pyjeve në këtë zonë. Megjithatë, shfrytëzimi pa kriter gjatë dy dekadave të fundit i ka dëmtuar pyjet në një masë të gjerë.
Bashkia e re e Përrenjasit ka një pozicion të favorshëm gjeografik, pasi gjendet fare pranë dy pikave doganore me Maqedoninë. Por ky avantazh nuk është shfrytëzuar deri më sot për nxitjen e sipërmarrjes dhe shtimin e vendeve të punës. Përgjatë tranzicionit, në këtë zonë kanë munguar strategjitë e zhvillimit. E megjithatë, emigracioni në zonën e Përrenjasit nuk ka qenë i lartë. Kjo pasi shumë banorë të zonës kanë zgjedhur punësimin sezonal në Maqedoninë fqinje, me të ardhurat e të cilëve mbijeton një pjesë e mirë e popullatës.
Në të gjithë bashkinë e re rezultojnë të regjistruara 234 biznese, të cilat e kryejnë aktivitetin e tyre kryesisht në shërbime. Një pjesë e vogël e bizneseve merren me kultivimin e troftës.
Bashkia e Përrenjasit ka potenciale të pashfrytëzuara për turizëm natyror. Me historinë e pasur të zonës së Rrajcës, ku ndodhet shkëmbi i Skënderbeut dhe legjenda për Sofrën e tij si dhe me bukuritë natyrore të Sopotit, zona mund të kthehej në një destinacion për vizitorë vendas dhe të huaj.
Etnografia e pasur me këngët dhe vallet karakteristike të zonës do të ndihmonin për këtë qëllim, por mungesa e infrastrukturës rrugore i bën këto resurse të paarritshme nga turistët.
FLORA
1857 lloje bimësh spontane, enëzore,të cilat përfaqësojnë 58 % të flora e Shqiptare ose 16 % të florës së Evropës e renditin Librazhdin në një ndër rrethet më të pasura te vendit me bimë të llojeve të ndryshme.
Gjenden të gjitha katet bimore dhe mbulesa bimore zë rreth 72 % të territorit të Rrethit të Librazhdit.
EKONOMIA
Qyteti i Përrenjasit ka pasuri të shumta minerare e në baze të tyre janë ngritur miniera për përpunimin e tyre si ajo e hekur-nikelit në Perrenjas-Fshat, Miniera e Nikel-Silikatit në Pishkash,e Sektori Minerar i Bushtricës dhe Skroskës.
Në fillim te viteve ’90 është zhvilluar dhe sektori privat të të cilën rendësi të madhe kanë bizneset e vogla kryesisht në sektorin e shërbimeve, blegtori, bujqësi gjithashtu dhe në shfrytëzimin e pyjeve.