23 Jan Për rritjen e sinergjisë me Investitorët Ndërkombëtarë në proçesin e Trasparencës – Takim me Drejtorin e ri të Përgjithshëm të SHELL Upstream Albania, z. Rohan D’Souza
Në datën 22 Janar 2019 në ambjentet e Sekretariatit Kombëtar EITI, u zhvillua një takim me përfaqësuesit e SHELL Upstream Albania B.V. (degë e Royal Dutch Shell), kryesuar nga Drejtori i ri i Përgjithshëm në Shqipëri, z. Rohan D’Souza.
Shoqëria Anglo- Holandeze Royal Dutch SHELL plc. është aktualisht shoqëria më e madhe në botë e naftës dhe gazit, e vlerësuar nga aktivet, fitimet dhe kapitalizimin e tregut.
Në progresin pozitiv të aktivitetit në Shqipëri të studimit sizmik, eksplorimit dhe vlerësimit në zonën e Shpiragut, me një potencial nxjerrës 800-1,300 fuçi/ditë të naftës 35 – 37 gradë API, në vitin 2013 SHELL Albania B.V. zgjeroi në 75% interesat në marrëveshjen hidrokarbure.
Gjatë takimit Drejtori i Sekretariatit Kombëtar EITI, z. Ardit Kamberi, vlerësoi angazhimin dhe bashkëpunimin për rritjen e sinergjisë në proçesin e Transparencës ndërmjet strukturave shtetërore dhe investitorëve ndërkombëtarë prestigjoze si kompania Shell, si një garanci për promovimin e një klime atraktive dhe transparente për investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në Shqipëri.
Z. D’Souza theksoi faktin se Royal Dutch Shell ka qënë një nga mbështetësit e parë të iniciatives ndërkombëtare për Transparencë EITI, si dhe në aktivitetin në Shqipëri përveç aktivitetit komercial me impakt pozitiv edhe në buxhetin e shtetit, ka në fokus edhe investimet në projekte në favor të komuniteteve, duke përfshirë programe Edukimi dhe Trainimi profesional, Sigurisë në rrugë, Kujdesit shëndetësor, si dhe suportin për zhvillimin e SME-ve.
Gjatë takimit u diskutua në frymë mirëkuptimi të plotë, për forcimin e angazhimit dhe bashkëpunimit konkret në kuadër të MSG-EITI, në aktivitete dhe programe të përbashkëta në fusha me interes reciprok, kryesisht në Informimin publik mbi avantazhet e transparencës në Industrinë Nxjerrëse, Involvimin më të madh në këtë proçes të Shoqërisë Civile, si dhe vleresimin dhe publikimin e impakteve sociale dhe mjedisore, që burojnë nga përdorimi efektiv i të ardhurave nga renta, për interesin publik dhe në mënyrë të veçantë në favor të komuniteteve lokale.