Patos

PËRSHKRIM I SHKURTËR

 

Bashkia e re e Patosit kufizohet në veri dhe perëndim me bashkinë Fier, në jug me bashkinë Mallakastër dhe në lindje me bashkinë Roskovec. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Patosit.

 

Qyteti i Patosit përfshihet në rrethin e Fierit. Ai është qyteti i dytë më i madh pas Fierit, për nga numri i banorëve, në Qarkun e Fierit. Qyteti i Patosit ndodhet në juglindje të qytetit të Fierit, në rrugën kombëtare Fier-Tepelenë. Një Qytezë industriale e krijuar rreth vitit 1949 për të strehuar punëtorët dhe inxhinierët që punësoheshin në të quajturën “zona Patos-Marinëz” (një nga zonat më të pasura me naftë të Shqipërisë). Patosi është
kryeqendra e industrisë së nxjerrjes së naftës në Shqipëri.

GJEOGRAFIA

 

Patosi ndodhet 7 km në jugperëndim të qytetit të Fierit i shtrirë përgjatë vargut kodrinor cili ndan Fushën e Myzeqesë nga lugina e lumit Gjanica. Ky varg kodrinor vazhdon në formë harku përgjatë rrugës Patos-Fier duke përngjarë me një amfiteatër natyror. Ai është pjesë e kodrave të Mallakastrës së poshtme të cilat vazhdojnë drejt Jugut deri në lumin Vjosë. Sipërfaqja është 82,55 km2.

 

Lartësia mesatare e tyre është rreth 200-300 m e cila vjen duke u ulur drejt Patosit derisa zhyten në fushën e Myzeqesë. Pika më e lartë e rajonit ndodhet në kodrën e Margëlliçit me kuote 320 m mbi nivelin e detit. Përpara qytetit drejt veriut dhe veri-perëndimit shtrihet fusha e Myzeqesë ndërsa drejt veri-lindjes fusha e Roskovecit.

 

Sipërfaqja sipas relievit ndahet në : Fushore 718 ha dhe Kodrinore 1488 ha. Pranë qytetit degëzohen rruga Fier-Gjirokastër dhe Fier-Berat të cilat kanë ndikuar në shtrirjen dhe zhvillimin e rajonit. Klima është tipike mesdhetare, me dimër të butë dhe të lagësht dhe verë të nxehtë e të thatë. Kjo situatë ndikohet nga masat ajrore detare për shkak tëdistancës relativisht të shkurtër nga deti Adriatik (rreth 25 km).

 

Nga ana lindore dhe jugore, vargmalet e larta e pengojnë depërtimin e klimës së ftohtë kontinentale. Temperatura mesatare vjetore luhatet në 14-15 °C ndërsa temperatura e Janarit rreth 5 °C. Reshjet bien kryesisht në formë shiu ndërsa dëbora është dukuri e rrallë.

 

Gjatë verës bien vetëm 1/10 e reshjeve vjetore gjë që shtron nevojën e ujitjes së tokave bujqësore. Për këtë arsye janë ndërtuar disa liqene artificiale si ujëmbledhësi i Zharrzës, Lalarit, etj.

KULTURA DHE SPORTI

 

Skuadra e futbollit e qytetit quhet “Albpetrol”, e cila arritjen më të mirë ka daljen në finalen e kupës së Shqipërisë me skuadrën “Partizani” në sezonin 93′- 94′, si dhe pjesëmarrjen në kupën e kupave të Evropës
në sezonin 94′- 95′.

 

EKONOMIA

 

Qyteza e Patosit nisi të ndërtohej rreth vitit 1949 për të strehuar punëtorët dhe inxhinierët e naftës. Baseni naftëmbajtës i njohur si “Patos-Marinza” është historikisht zona më e pasur me naftë në Shqipëri dhe sot vijon të prodhojë shumicën dërrmuese të naftës bruto në vendin tonë. Por pavarësisht kësaj, numri i të punësuarve në industrinë e naftës nga kjo zonë është sot shumë herë më i ulët se sa ka qenë dikur.

 

Për shumë vite burimi kryesor ekonomik ka qenë sektori naftënxjerrës, por pasi kanë nisur operimin në tregun e naftës kompanitë e huaja niveli i të punësuarve në këtë sektor ka ndryshuar, duke sjellë një përqendrim gjithnjë e më të madh tek sektori i bujqësisë dhe agrikulturë. Sipas të dhënave tashmë, përveç ish komunës Zharrës, zonat e tjera si Patosi dhe Ruzhdia kanë si burim kryesor ekonomik kultivimin e ullirit dhe tregtimin e nënprodukteve të tij, të cilat favorizohen dhe nga vetë relievi kodrinor i kësaj zone.

 

Më tej është sektori privat i shërbimeve ai që siguron të ardhurat për zonën urbane dhe vitet e fundit kanë nisur aktivitetin në këtë njësi vendore edhe bizneset fasone. Për shkak të relievit malor, në këtë bashki ka zona të largëta me qendrën e bashkisë, popullsia e tyre është reduktuar ndjeshëm për shkak të zhvendosjes drejt qendrave urbane të vendit ose drejt vendeve fqinje. Vitet e fundit, infrastruktura rrugore e zonës urbane dhe fshatrave përreth është përmirësuar ndjeshëm, por sigurisht ka ende shumë punë për t’u bërë në mënyrë që të sigurohet transporti sa më i lehtë i zonave të largëta malore drejt qendrës së bashkisë.

 

Shtrirja gjeografike e Patosit dhe zgjerimi i kësaj njësie vendore sigurisht që i bën më të mëdha sfidat për pushtetin vendor – bashkinë, duke gërshetuar nevojën për përmbushjen e problematikave të qytetit të Ballshit dhe atyre të zonave rurale përreth tij.

 

Një nga problemet kryesore të identifikuara më shpesh nga banorët e kësaj zone lidhet me mbështetjen nga ana e bashkisë së kushteve për tregtimin e produkteve të tyre, kryesisht ullirit dhe vajit të ullirit. Promovimi i këtyre produkteve karakteristike për zonën, sigurisht që do të bënte që edhe sipërfaqet e mbjella të shtoheshin, por edhe ekonomia do të rritej.

 

Një ndër sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet qeverisja vendore është dhe pastrimi dhe rehabilitimi i shumë nga zonave të braktisura naftënxjerrëse, si dhe marrja e masave për parandalimin e ndotjeve nga puset ekzistuese. Në këtë kuadër, banorët e kësaj bashkie kane identifikuar si sfidë dhe rolin më të mirë bashkërendues të marrëdhënieve mes pushtetit vendor dhe kompanisë koncesionare që shfrytëzon fushën naftëmbajtëse.

 

Gjithashtu, një sfidë tjetër me të cilën do të përballet qeverisja vendore – bashkia është lëvrimi nga pushteti qendror dhe miradministrimi i rentës minerare nga nxjerrja e naftës në këtë zonë, nga të cilat bashkia mund të sigurojë të ardhura prej miliona eurosh. Transparenca dhe mirëmenaxhimi i këtyre të ardhurave shërbejnë si një mekanizëm për përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve të kësaj bashkie.

 

Një ndër sfidat e tjera të identifikuara nga komuniteti i kësaj zone lidhet me ngritjen dhe përmirësimin e infrastrukturës së godinave arsimore të zonës, çerdhe, kopshte dhe shkolla, të cilat do të ndihmojnë nëpërmirësimin e cilësisë së arsimit në zonë.

 

Një aspekt tjetër që kërkon vëmendjen e pushtetit vendor është dhe rritja e numrit të familjeve të pastrehagjatë viteve të fundit, në mbështetje të të cilave duhen parashikuar dhe ndërtuar banesa sociale.

 

POPULLSIA

 

Sipas Censusit të vitit 2011 bashkia e re Patos ka një prej 22.959 banorësh ndërsa në regjistrin civil rezultojnë banues 42.738 banorë. Territori i bashkisë së re është vetëm 82,5 km2. Në bazë të të dhënave të regjistrit civil densiteti i popullsisë është 518 banorë për km2 ndërsa në bazë të censusit densiteti i popullsisë është 278,3 banorë për km2.

 

SHOQËRIA CIVILE

 

Aktiviteti i shoqërisë civile mbulohet nga organizata me karakter kombëtar ose rajonal.

NJËSITË ADMINISTRATIVE

STATISTIKA SOCIAL – DEMOGRAFIKE TË RAJONIT TË PATOSIT

LISTA E KOMPANIVE QË VEPROJNË NË RAJONIN E PATOSIT

Burimi: Raporti EITI 2012, 2014 dhe AKBN 2014, Volumi II

Burimi: Raporti EITI 2012, 2014 dhe AKBN 2014, Volumi II

PROJEKET E INVESTIMEVE NË KOMUNITETIN E PATOSIT DHE FIERIT