03 Pri Nënshkrim Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin ndërmjet Sekretariatit Kombëtar EITI- Shqipëri dhe Prezencës së OSBE në Shqipëri
Në datën 2 Prill 2019 në ambjentet e OSBE në Tiranë, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit për Bashkëpunimin ndërmjet Sekretariatit Kombëtar Alb-EITI dhe Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, OSBE – Prezenca në Shqipëri.
Memorandumi u nënshkrua nga Ambasadori i OSBE në Shqipëri, z. Bernd Borchardt dhe Drejtori i Sekretariatit Kombëtar EITI Shqipëri, z. Ardit Kamberi.
Platforma e bashkëpunimit institucional konsiston në Nxitjen e Transparencës dhe sensibilizimi Publik për Mirëqeverisjen e Burimeve Natyrore/ Industrisë Nxjerrëse, në Ndërtimin e Kapaciteteve të autoriteteve të pushtetit vendor dhe nxitjen e praktikave të përgjegjëshme të biznesit sektorial konform standarteve ndërkombëtare.
Dokumenti i Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar nga palët, ka në fokus krijimin e një kuadri për zgjerimin e bashkëpunimit efektiv dhe ndërveprimit ndërmjet Prezencës të OSBE dhe AlbEITI-t, me qëllim realizimin e aktiviteteve të përbashkëta: seminareve teknike/ Konference kombëtare për menaxhimin, shpërndarjen dhe transparencën e të ardhurave në nivel vendor, si dhe rritjen e shkëmbimit të informacionit dhe ekspertizës teknike së nevojëshme, për studimin e të ardhurave në nivel lokal dhe impaktin mjedisor dhe social nga aktiviteti i industrisë nxjerrëse në Shqipëri.