Në proçesin e finalizimit të Raportit vjetor zyrtar EITI 2016

Në proçesin e finalizimit të Raportit vjetor zyrtar EITI 2016

Në 6 Dhjetor 2017, nga ana e Sekretariatit Kombëtar EITI, u organizua një Takim pune në ambjentet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, lidhur me proçedurat e përgatitjes përfundimtare të materialit të Raportit vjetor EITI 2016.

Në takim morrën pjesë Zëvëndësministri dhe njëkohësisht Kryetari i MSG, z. Enis Aliko;  Drejtuesi i Sekretariatit Kombëtar EITI, z. Ardit Kamberi, si dhe përfaqësues të Drejtorive të linjës në MIE,  përfaqësues  të Institucioneve në vartësi,  Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), Shërbimit Gjeologjik Shqiptar (SHGSH), përfaqësues të Sekretariatit Kombëtar EITI, si dhe përfaqësues të Administratorit të Pavarur, Deloitte Audit Albania, të kontraktuar nga Sekretariati EITI për përgatitjen e Raportit vjetor.

Organizimi i këtij takimi kishte në fokus diskutimin lidhur me  kërkesat e Administratorit të Pavarur Deloitte Audit Albania,  në lidhje me problematikat e hasura në mbledhjen e të dhënave EITI, të raportuara zyrtarisht nga Drejtoritë përkatëse të MIE, si dhe AKBN-së, SHGJSH-së etj.

Gjatë diskutimeve në takim u ngrit shqetësimi lidhur me disa vonesa në proçedurat e Raportimit nga Institucionet shteterore, si dhe Subjektet private.

Ndërkohë, në diskutimet e pjesëmarrësve në Takim, u sygjerua që të koordinohet puna për shfrytëzimin nga Administratori i Panvarur i të dhënave të cilat gjenden në publikimet online, në faqet zyrtare të Institucioneve, duke evidentuar për analizë vetëm zërat dhe specifikimet  ku ka paqartësi dhe mungesë rakordimi.

Në përfundim të Takimit të punës, nga ana e Zv. Ministrit z. Aliko,  si dhe Drejtorit të Sekretariatit Kombëtar EITI, Z. Kamberi, u kërkua  që  materiali i detajuar të azhornohet  përfundimisht nëpërmjet Administratorit të Pavarur, në bashkëpunim me Drejtoritë e linjës MIE,  Institucioneve në vartësi, si dhe organet tatimore dhe doganore, brënda mesit të muajit Dhjetor 2017.

Në takim u theksua dhe rëndësia e monitorimit rigoroz të realizimit të  të ardhurave lokale,  që burojnë nga renta minerare, për komunitetet ku shfrytëzohen burimet natyrore, si dhe vlerësimi i impaktit të  drejtëpërdrejtë social në këto komunitete.

Në këtë kontekst, duhet të rritet niveli i bashkëpunimit interaktiv me organet e pushtetit vendor, për finalizimin e proçesit të monitorimit dhe analizimit të përfitimit real në nivel lokal të të ardhurave nga  shfrytëzimi i burimeve minerare dhe hidrokarbure, si një nga prioritetet e aktiviteti EITI në Shqipëri.

Proçesi i Raportimit EITI në Shqipëri në aspektin Ligjor është rregulluar mbi bazën e dy Ligjeve kryesore, Ligjit për Naftën dhe Gazin (ndryshuar në Mars 2015), si dhe Ligjit për Hidrokarburet (ndryshuar në Tetor 2014).

Për proçesin e përgatitjes së Raportit EITI 2016 aktualisht  janë përzgjedhur në Sektorin Minerar,  në konformitet me volumin e prodhimit të kryer,  rreth 130 shoqëri minerare (të cilat përbëjnë rreth 89 % të volumit të prodhimit të kryer në nivel vendi); të gjitha shoqëritë që kanë marrëveshje Hidrokarbure, si dhe rreth 12 shoqëri të cilat ushtrojnë aktivitet konçesionar në sektorin e Elektro –Energjisë.

Deri në momentin aktual Sekretariati Kombëtar EITI, ka publikuar 6 Raporte zyrtare vjetore,  duke inkluduar 7 vite (2009-2015).  Publikimi zyrtar i Raportit EITI 2016 përgatitet të dalë në fillimin e muajit Shkurt 2018, duke u fokusuar në promovimin e Transparencës dhe Mirëadministrimin e burimeve natyrore të vendit.