Nafta dhe Gazi – Raporti EITI 2013-2014

Nafta dhe Gazi – Raporti EITI 2013-2014

Nafta dhe Gazi

Raporti EITI 2013-2014

Në vitin 2013 dhe 2014, sektori i naftës dhe gazit numëroi pesë shoqëri në prodhimin e naftës dhe gazit në pjesën jugore të Shqipërisë dhe gjashtë shoqëri të angazhuara në kërkimin e naftës. Shteti u përfshi në sektor përmes zotërimit direkt të shoqërisë Albpetrol, e angazhuar në kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit. Albpetrol ka të drejta prodhimi, si i liçensuar parësor, në të gjitha fushat ekzistuese të naftës. Me qëllim përmirësimin e efikasitetit në prodhim, Albpetrol i ka deleguar të drejtat e tij tek shoqëritë private të naftës nëpërmjet marrëveshjeve hidrokarbure.

Prodhimi i naftës bruto është rritur më shumë se dyfish që nga vitit 2003, kur Shoqëritë private të naftës filluan punën në sektor. Në vitin 2013, AKBN raportoi prodhim të naftës bruto prej 1,203,637 ton vlerësuar me 530 milionë USD. Prodhimi në vitin 2014 u rrit në 1,386,124 ton me një vlerë të përllogaritur në 549 milion USD. Bankers Petroleum që operon fushën naftë-mbajtëse të Patos-Marinzës, gjeneroi mbi 87% të totalit të prodhimit të naftës bruto në vitin 2013 dhe 2014. Prodhimi i Albpetrol përbënte rreth 3% të prodhimit total të naftës në të dy vitet. Kontributi i sektorit të naftës dhe gazit në Buxhetin e Shtetit përllogaritet jo më pak se 3% në vitin 2013 dhe jo më pak se 2.7% në vitin 2014. Panvarsisht rritjes së prodhimit të naftës në vend, të ardhurat nga renta minerare u ulën me rreth 6% në vitin 2014 krahasuar me vitin 2013. Kjo rënie i atribuohet kryesisht rënies së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, që çoi në rënien e të ardhurave nga renta minerare, e cila përfaqëson zërin kryesor të të ardhurave në Buxhetin e Shtetit nga nafta.

Panvarësisht rritjes së prodhimit, numri punonjësve në këtë sektor ra me 23% në katër vitet e fundit. Kjo rënie erdhi si rezultat i transferimit të operacioneve të prodhimit nga Albpetrol tek shoqëritë private të naftës. Sektori privat nuk mundi të tërheqë fuqinë punëtore që u larguar nga Albpetrol për shkak të transferimit të operacioneve. Në vitin 2014, sektori nxjerrës i naftës dhe gazit punësuan rreth 3,109 punonjës duke kontribuar me rreth 0.3% në forcën punëtore të përgjithshme të regjistruar sipas INSTAT në vitin 2014. Albpetrol mbetet punëdhënësi më i madh në këtë sektor në vitin 2014, me rreth 2,062 të punësuar, ose 66% të punësimit total në sektorin nxjerrës të naftës dhe gazit.

Në vitin 2013, nafta bruto e prodhuar përbënte 98% të kërkesës së brendshmë për konsum matur në naftë bruto. Në vitin 2014, ky raport u rrit në 108%, duke tejkauar më 8% kërkesën e brendshme për konsum matur në naftë bruto. Bazuar në këto të dhëna, mund të supozohet se në qoftë se prodhimi vendas i naftës bruto do të përpunohej në Shqipëri, prodhimi vendas do të ishte shumë pranë përmbushjes së kërkesës së brendshme për konsum.

Nafta e prodhuar në vend kryesisht është eksportuar për t’u rafinuar jashtë vendit. Konsumi i brendshëm për nënproduktet e naftës përmbushet përmes importit. Bazuar në të dhënat e raportuara nga Administrata Doganore Shqiptare, eksportet e naftës bruto ishin rreth 104% të naftës së prodhuar në vitin 2013. Ky raport ra në 77% të naftës së prodhuar në vitin 2014, kur nafta bruto e përpunuar përmes rafinerive vendase arriti në 22%.