Minierat: Shteti, ky humbës i madh

Minierat: Shteti, ky humbës i madh

Revista Monitor, 20.07.2014

Flet Dorina Çinari, drejtuese e Sekretariatit Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse

Disiplinimi i industrisë minerare në Shqipëri duket si një sfidë që do të jetë e vështirë që të fitohet, për shkak të një morie problematikash që e karakterizojnë. Masat që duhet të merren janë urgjente dhe për më tepër nevojiten për të mbushur arkën e shtetit, e cila ka fituar shifra minimaliste. Raporti i fundit (por i vonuar) mbi transparencën në industrinë nxjerrëse jep një panoramë jo shumë optimiste.

Dikur ka qenë krenaria e ekonomisë “modeste” shqiptare, por edhe pse nëntoka vazhdon të jetë zemërgjerë, arka e shtetit nuk po arrin të përfitojë aq sa është potenciali. Të ardhurat nga industria nxjerrëse për vitin 2011 përbënin vetëm 2% të buxhetit të shtetit. Natyrisht 2011-a tingëllon si një vit i largët dhe ndoshta mund të duket se i mungon kohezioni, por në fakt bëhet fjalë për një raport që ka mundur të botohet vetëm në fund të muajit qershor 2014. Edhe kjo “vonesë” është një histori më vete. Vendi ynë është pjesë e nismës botërore për Transparencën në Industrinë Nxjerrëse dhe, si e tillë, duhet të përmbushë disa detyrime, ndër të tjera edhe hartimin e raporteve që japin një pasqyrim real të kësaj industrie. Por, pas vitit 2012, institucionet përgjegjëse e “harruan” këtë detyrë, mospërmbushja e së cilës rrezikonte përjashtimin.

Ky nuk është një raport që thjesht “mbush faqet”, por që ndihmon në rritjen e transparencës në këtë industri që është përfolur jo pak për nivelin e lartë të abuzimit, korrupsionit, mungesës së sigurisë, nivelin e ulur të standardeve, mungesën e investimeve nga ana e koncesionarëve etj. Në një intervistë për “Monitor”, Dorina Çinari, drejtuese e Sekretariatit Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse flet për ndikimin e kësaj nisme, gjetjet e raportit të fundit (2011), si dhe për masat që duhet të merren për të “shpëtuar” këtë sektor, potenciali i të cilit është tejet i madh.

Industria minerare vazhdon të haset me një sërë problematikash. Çfarë ndikimi ka dhënë në rritjen e transparencës pjesëmarrja e Shqipërisë në nismën EITI?

Burimet natyrore si nafta, gazi, rezervat minerare janë pasuri kombëtare. Nxjerrja dhe shfrytëzimi i këtyre pasurive çon në rritje ekonomike dhe zhvillim social. Megjithatë kur këto pasuri keqadministrohen, ato gjenerojnë korrupsion dhe konflikte. Sa më shumë transparencë të bëhet në atë se si një vend administron pasurinë e vet natyrore, aq më shumë është mundësia që nga shfrytëzimi i këtyre pasurive të përfitojnë të tërë. Mbi këtë koncept ka ngritur veprimtarinë e vet EITI ose Nisma Globale për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse. Objektivi i EITI është: Të zhvillojë dhe zbatojë një mekanizëm për të bërë a) deklarimin e të ardhurave që vilen nga përdorimi i burimeve natyrore nëpërmjet industrive nxjerrëse; b) publikimin e këtyre të dhënave në një format të kuptueshëm nga të gjithë dhe c) mbikëqyrjen e tyre në mënyrë që t’u mundësojë të gjithë shqiptarëve që të kenë të gjithë informacionin për sa u përket të ardhurave si dhe shpenzimeve publike, duke kontribuar në një debat publik dhe në krijimin e mekanizmave për miradministrimin e këtyre të ardhurave në dobi të komuniteteve.

Shqipëria, deri sot, ka publikuar tre raporte EITI për vitet fiskale 2009, 2010 dhe më 27 qershor 2014, publikoi raportin EITI 2011. Brenda vitit 2014, Shqipëria duhet të paraqesë edhe raportin EITI 2012.

Raportet e para EITI kanë prodhuar të dhëna shqetësuese. Në vitin 2009 raportohet se buxheti i shtetit ka përfituar në masën 1% në të ardhurat e veta fiskale nga këto industri, në vitin 2010 në masën 1,2% dhe tani në vitin 2011 në masën 1,83%. Pra, kaq është volumi që këto industri me problematikat e tyre kontribuojnë në të ardhurat fiskale të vendit. Gjithashtu, raportohet që në këto vite asnjë lek në formën e rentës minerare nuk i është transferuar pushteteve lokale në mënyrë që komunitetet në këto vende të mund të përfitojnë nga shfrytëzimi i tokës mbi të cilën banojnë, edhe pse ligji përcakton që 25% e rentës së grumbulluar u shkon pushteteve lokale për zbutur efektet sociale, ekonomike dhe ambientale. Është interesant se si këto gjetje nga raportet e mëparshme të EITI për Shqipërinë nuk kanë prodhuar debatin e pritshëm publik.

Përse kemi një vonesë në hartimin e këtyre raporteve. Flasim për një raport të vitit 2011 kur jemi në vitin 2014?!

Sipas standardit EITI, një raport EITI për një vit fiskal duhet të publikohet maksimalisht deri më 31 dhjetor të vitit + 2. Në të kundërt vendi që aderon në EITI e humbet statusin e fituar dhe kalon në “pezullim”. Raporti EITI 2011 duhej të ishte publikuar maksimalisht deri më 31 dhjetor 2013. Raporti EITI është një proces shumë i gjatë dhe kompleks, i cili kërkon financim serioz, kërkon angazhimin e plotë të mbi shtatë institucioneve qeveritare për të raportuar në mënyrë të detajuar mbi çdo kompani dhe çdo pagesë, të rreth 70 operatorëve më të mëdhenj industrialë dhe një punë kolosale rakorduese, e cila ka sfidat e veta shqiptare. Gjatë 2013-s, i cili ishte vit elektoral e me karakteristikat e tij, nuk u bë asnjë përpjekje për të mundësuar përgatitjen dhe publikimin e raportit EITI. Duke qenë se Shqipëria nuk respektoi standardin me paraqitjen e Raportit EITI 2011 brenda vitit 2013, në janar 2014, bordi i EITI Ndërkombëtar, diskutoi masën e pezullimit të Shqipërisë nga anëtarësimi në EITI. Falë një koordinimi të menjëhershëm e dinjitoz nga ana drejtuesve të Ministrisë së Energjisë, Sekretariatit Shqiptar EITI dhe me mbështetjen e fortë nga Banka Botërore, e cila mundësoi financimin e projektit, u rikuperuan me shpejtësi aktivitetet e nevojshme dhe iu kërkua zyrtarisht EITI Ndërkombëtar shtyrja e afatit për publikimin e raportit EITI 2011. Ne na u dha afat deri më datën 30 qershor 2014. Raporti EITI 2011 u publikua brenda afatit dhe në përputhje me standardet e reja EITI.

Të ardhurat në buxhetin e shtetit vazhdojnë të paraqiten shumë të ulëta. Si funksionon monitorimi juaj, a ka kryqëzim shifrash mes atyre që vetëdeklarohen nga kompanitë dhe procesit tuaj të auditit?

Raportet EITI nuk janë raporte auditimi. Raportet EITI bazohen në vetëdeklarim dhe janë raporte rakordimi, ku kompanitë operuese në këtë sektor deklarojnë çfarë ata i paguajnë shtetit (taksë, rentë, etj.) dhe këto të dhëna rakordohen me të ardhurat e deklaruara nga shteti. Shteti konfirmon nëse janë kryer këto pagesa dhe në rast të mospërputhjeve fillojnë investigimet e institucionit tonë se ku kanë shkuar paratë, pasi kjo mospërputhje nënkupton abuzime dhe korrupsion. Në tre raportet që janë publikuar në 2009, 2010 dhe 2011 nuk kanë rezultuar mosrakordime të kësaj natyre. Pra, çdo para e paguar nga një operator është regjistruar në buxhetin e shtetit.

Cilët mendoni se janë hapat që duhen ndërmarrë për të minimizuar efektin e informalitetit në industrinë nxjerrëse?

Duhet ndërhyrë në disa drejtime. Së pari, duhet të kemi të qartë se cilat janë potencialet e të ardhurave nga këto industri, e cila pastaj të shërbejë si bazë për të ndërtuar mekanizmat e planifikimit, kontrollit dhe të auditit. Ne kemi filluar punën për përgatitjen e një studimi mbi potencialet e të ardhurave të Shqipërisë nga Burimet Natyrore. Studimi do të financohet nga Banka Botërore dhe do të sjellë në Shqipëri ekspertizë të nivelit të lartë. Studimi pritet të finalizohet brenda këtij viti. Gjatë përgatitjes së Raportit EITI 2011 kuptuam që është shumë e vështirë të kemi raport të plotë të të ardhurave totale të qeverisë nga sektori nxjerrës për vitin 2011. Sistemet aktuale të menaxhimit financiar nuk mund të identifikojnë dhe llogarisin veçmas të ardhurat e gjeneruara nga industria nxjerrëse në tërësi për secilën prej taksave. Pra, sektori vuan mungesën e një sistemi të integruar të menaxhimit të informacionit. Nuk mund të luftohet informaliteti nëse nuk ka informacion të plotë, të dhëna të besueshme që mundësojnë analizat, krahasimet. Gjithashtu, ka nevojë për përforcime ligjore lidhur me deklarimet e kompanive që operojnë në industrinë nxjerrëse. Tashmë, Bashkimi Europian ka aprovuar një direktivë të re për kontabilitetin dhe transparencën. Shqipëria mund të kërkojë që këto principe të ngjashme, bazuar në këto kërkesa, shoqëritë e licencuara mund të paraqesin pagesat për raportimin EITI në një aneks të pasqyrave financiare. Këto kërkesa mund të zgjerohen më tej, duke përfshirë informacione të tjera të dobishme për statistikat e sektorit, të tilla si sasia e prodhimit, investimet, pagesat për mjedisin etj., që mund të mblidhen dhe përpunohen çdo vit, dhe të ofrojë bazat për raportimin e statistikave dhe faktet mbi industrinë. Gjithashtu, Ministria duhet të ndjekë me rigorozitet zbatimin e ligjit për përgatitjen dhe auditimin e pasqyrave financiare nga shoqëritë e licencuara në industrinë nxjerrëse.

Le t’u kthehemi gjetjeve…

monitor 638.inddPor, le të shohim faktet që ka nxjerrë në “dritë” raporti mbi këtë industri, ku ka qenë dhe çfarë panorame ofruan.

Në Shqipëri, sektori nxjerrës përfaqësohet nga industria e naftës dhe ajo minerare, ku në përgjithësi veprojnë subjekte me shkallë të vogël dhe të mesme aktiviteti, të përqendruar kryesisht te kromi, bakri dhe nxjerrja e nikelit.

Në vitin 2011, sektori nxjerrës përbënte rreth 1.7% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Eksportet u llogaritën në 49,752 miliardë lekë ose 25% e totalit.

Po për të njëjtën periudhë, KBN raportoi se prodhimi i naftës bruto ishte 894,500 tonë, me një vlerë prej 456.5 milionë dollarësh. Ky prodhim është nxjerrë kryesisht nga fusha e Patos-Marinzës (85% e prodhimit), nga “Bankers Petroleum”. Eksporti i naftës së papërpunuar në vitin 2011 ishte 69.4% e naftës së prodhuar gjithsej, me një vlerë prej 317 milionë dollarësh. Të dhënat nga dogana tregojnë se Italia ka qenë destinacioni kryesor, e ndjekur nga Spanja dhe Malta. Prodhimi i përgjithshëm i gazit u raportua në 15 milionë Nm3,5.

Në sektorin e hidrokarbureve pas vitit 2011 ka pasur disa zhvillime të rëndësishme. Licenca të reja në kërkim iu dhanë kompanisë “Emanuelle Adriatic Energy Limited” në blloqet detare të detit monitor 638.inddAdriatik, nr. 2, 3 dhe 4. Në shkurt 2012, “Petromanas Energy Inc” (shoqëria “mëmë” e “Petromanas Albania GmbH”) hyri në një marrëveshje me një filial tërësisht në pronësi të “Royal Dutch Shell plc”, sipas së cilës “Shell” bleu 50% të interesave pjesëmarrëse në të drejtat e kërkimit në blloqet tokësore 2-3, në këmbim të pagesave dhe shpenzimeve të kryera deri në shumën 50.3 milionë dollarë. Në qershor të vitit 2013, “Shell” bleu edhe 25% interesa shtesë në blloqet 2-3. Në fund të vitit 2013, “Petromanas Energy Inc” dhe “Royal Dutch Shell Pic” shpallën rezultate pozitive të testeve në pusin nr. 2 të Shpiragut me një kapacitet ekuivalent nga 1,500 deri në 2,200 fuçi naftë në ditë.

Në vitin 2013, “Albpetrol” i kaloi shoqërisë “Phoenix Petroleum” sh.a. të drejtat e shfrytëzimit dhe prodhimit në Pekish-Murriz, Frakullë, Panajë, Povelçe, Divjakë, Ballaj-Kryevidh, Finiq-Karne, Amonicë dhe Drashovicë.

Në bazë të ligjit shqiptar, të gjitha depozitat e naftës që ndodhen në gjendjen e tyre natyrore në shtresat tokësore brenda juridiksionit të Shqipërisë, janë pronë ekskluzive e shtetit shqiptar. Ligji lejon Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë të nënshkruajë Marrëveshje Hidrokarbure, sipas së cilës shoqërisë së naftës mund t’i jepet e drejta ekskluzive për të kërkuar dhe për të prodhuar naftë dhe gaz për një periudhë kohe të kufizuar. Por, kjo “sjellje” pritet të ndryshojë sepse (javën e kaluar) ligjvënësit miratuan disa ndryshime të rëndësishme në ligjin mbi hidrokarburet. Në këtë raport natyrisht nuk janë reflektuar këto ndryshime.

Nafta

Kërkimi i naftës në Shqipëri filloi në vitin 1918. Që nga ajo kohë, u zbuluan fusha naftëmbajtëse në 11 zona tokësore, duke përfshirë: Drashovicë (1918), Patos (1927), Kuçovë (1928), Marinzë (1957), Visoka (1963), Gourisht-Koçul (1965), Ballsh-Hekal (1966), Finiq-Krane (1973), Çakrran-Mollaj (1977), Delvinë (1989) dhe Sqepur (2001).

Gazi

Kërkimi i gazit në Shqipëri filloi në vitin 1955. Fusha e parë gazmbajtëse u zbulua në Divjakë (1963), e ndjekur nga Frakulla (1965), Ballaj–Kryevidhi (1983), Povelça (1987), Panaja (1988), dhe Ad-4 (në det – 1994).

Minierat, një histori shkëlqimi dhe rënieje

Shqipëria ka një histori të gjatë në sektorin minerar me depozita të mëdha të mineraleve të kromit, nikelit, bakrit dhe gurit gëlqeror. Rezervat e kromit janë vlerësuar rreth 36.9 milionë tonë dhe rezervat e bakrit rreth 27 milionë tonë. Reformat në industrinë minerare paraqesin sfida të konsiderueshme për qeverinë.

Sektori, i dominuar më parë nga ndërmarrjet shtetërore, filloi të hapej ndaj investimeve private në vitin 1994. Objektet minerare 14 të dhëna me koncesion deri më tani janë: miniera e kromit në Bulqizë dhe shkrirësit e ferro-kromit në qytetet e Burrelit dhe Elbasanit; minierat e kromit në Kalimash, Rrethin e Kukësit, Vlahnë, Rrethin e Hasit dhe fabrika e pasurimit në Kalimash; minierat e bakrit në Munellë, Lak-Rosh, Karma 2, si dhe fabrika e pasurimit në Fushë Arrëz; miniera e bitumit në Selenicë, miniera dhe furra e shkrirjes së bitumit në Vlorë.

monitor 638.inddSi një vend tradicional minerar, Shqipëria numëron, në rritje, shumë shoqërive të vogla dhe të mesme minerare dhe vetëm disa shoqëri minerare të mëdha.

Në nëntor të vitit 2011, AKBN raportoi 752 leje minerare nga të cilat 673 ishin me leje prodhimi, kryesisht në Bulqizë, Krujë, Berat, Tiranë dhe Librazhd.

Aktualisht, MEI është në proces të krijimit të një portali të shoqërive të licencuara, i cili do të japë informacion të përditësuar mbi mbajtësit e licencave, kushtet, dhe nëpërmjet një harte dixhitale ndërvepruese, për çdo zonë dhe ato të lira.

Sipas raportit EITI, në vitin 2011, shoqëritë raportuan aktivitetin e tyre për 461 leje minerare nga 673. Aktiviteti prodhues i raportuar nga të licencuarit tek AKBN për vitin 2011 arrin shumën 217.5 milionë dollarë.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga AKBN, prodhimi i kromit në vitin 2011 kishte një vlerë prej 143 milionë dollarësh. Bulqiza kontribuoi me rreth 70% të prodhimit total të kromit, vlerësuar në shumën 100 milionë USD. Eksportet nga sektori minerar në vitin 2011 ishin në vlerën 180.5 milionë dollarë, ose 83% të vlerës totale të prodhimit.

Kromi kontribuoi me 66% të vlerës totale të mineraleve të prodhuara (Figura 4, në faqen 10). Eksportet e kromit kishin vlerën 115 milionë dollarë ose 81% të prodhimit në vitin 2011. Të dhënat e doganave tregojnë se eksportet e kromit në 2011-n kishin destinacion kryesor Kinën, Holandën, Austrinë dhe Zvicrën.

Albchrome (ACR – më parë Albanian Chrome), që operon në minierën e Bulqizës, ishte shoqëria më e madhe nxjerrëse e kromit në Shqipëri në 2011. Shumë shoqëri të mesme dhe të vogla (më shumë se 200 licenca) kanë nxjerrë krom nga Bulqiza, Tropoja, Hasi, Kukësi etj.

Eksportet e bakrit në vitin 2011 kishin vlerën 42 milionë dollarë, pesë herë më shumë se prodhimi në vitin 2011. Ndryshimet ndërmjet sezoneve të prodhimit dhe shitjes shpjegohen me luhatjet e çmimit ndërkombëtar të bakrit nga viti në vit. Turqia dhe Kina ishin destinacionet kryesore të eksportit për këtë mineral.

“Beralb” ishte e vetmja shoqëri industriale në nxjerrjen e bakrit në vitin 2011, duke përbërë 99% të vlerës së prodhimit të bakrit në vitin 2011. “Beralb” zotëron licenca prodhimi për minierat e Munellës, Lak Roshit, Karmës dhe Fushë-Arrës, të gjitha të vendosura në krahinën e Pukës.

Nikeli nxirret më shumë në formën e hekur-nikelit dhe nikel-silikatit, në Elbasan, Pogradec dhe Librazhd. Prodhimi në vitin 2011 u gjenerua nga shoqëri minerare me shkallë të vogël dhe të mesme aktiviteti. Ndërsa një numër i madh shoqërish të vogla vepronin në nxjerrjen e gurëve gëlqerorë dhe materialeve të tjera të ndërtimit në vend.

“Antea Cement”, me veprimtari në Krujë, ishte prodhuesi më i madh në këtë mineral në vitin 2011. Kontributi i kësaj shoqërie ishte në 19% të vlerës totale të prodhimit.

Arkëtimi në shifra minimale

Raporti bën të ditur se në total, në vitin 2011, sektori i naftës dhe gazit së bashku me “Albpetrolin” kontribuuan në buxhetin e shtetit me 4,706 milionë lekë (47 mln USD). Kjo shifër përbënte 10% të totalit të naftës së prodhuar në vitin 2011, raportuar në vlerën 456.5 milionë USD.

monitor 638.inddSektori i naftës dhe i gazit gjeneroi 7,523 milionë lekë të ardhura ose 81% të totalit të të ardhurave totale. Nga ky fluks të ardhurash, ndarja e prodhimit të naftës prej 3,558 milionë lekësh u arkëtua nga “Albpetrol” për licencat e prodhimit nën administrimin e tij, ndërsa (si i licencuar) pagoi rentë minerare, tatim mbi fitimin dhe dividend në shumën 741 milionë lekë.

Ndërsa sektori minerar gjeneroi 1,793 milionë lekë (17.9 milionë USD) ose 19% të të ardhurave totale prej 9,316 milionë lekësh. Ky kontribut përbënte 8% të prodhimit total të mineraleve në vitin 2011, raportuar në 217.5 milionë dollarë.

Por, shteti shqiptar, merr pjesën e tij nga vlera e krijuar nga industria nxjerrëse nëpërmjet: taksimit të veprimtarisë hidrokarbure dhe minerare; tarifave/komisioneve dhe dividendëve nga pronësia në “Albpetrol sh.a”.

Sektori nxjerrës në Shqipëri kontribuoi me 6.3% në tatimin mbi fitimin e mbledhur gjatë vitit 2011, nga ku sektori minerar kontribuoi pjesën më të madhe me 5.5%. Tatimi mbi fitimin prej 0.16 miliard Lek (0.8%) është paguar nga Albpetrol. Tatimi mbi fitimin në vitin 2011 u aplikua në masën 10% të fitimit neto. Tatimi mbi firmën përllogaritet në 30 – 55% mbi fitimin e tatueshëm bazuar në nivelin e prodhimit. Në përcaktimin e fitimit të tatueshëm, shoqëria e licencuar lejohet të zbresë shpenzimet

kapitale dhe operative sipas specifikimeve në kushtet e marrëveshjes. Si rezultat i këtyre zbritjeve asnjë nga shoqëritë e naftës dhe gazit gjatë vitit 2011 nuk rezultoi me tatim fitim të pagueshëm. Në 2012, ky dekret u ndryshua. Pas ndryshimit tatim fitimi përllogaritet në 50% mbi fitimin e tatueshëm.

Sa i përket rentës minerare, në vitin 2011 përbënte 23.2% të taksave të tjera, ku kontributi i sektorit të hidrokarbureve ishte 21.8% dhe i sektorit minerar 1.4%. Sipas këtij ligji, renta minerare për prodhimin e

hidrokarbureve është aplikuar në masën 10%, ndërsa sektori minerar paguan 4-7% të të ardhurave nga prodhimi.

Në bazë të ligjit të vitit 2008, i ndryshuar, 25% e rentës minerare që mblidhej nga çdo njësi e qeverisjes vendore (NjQV) do të ndahej për çdo njësi të qeverisjes lokale në

raport me kontributin e saj, sipas kushteve të ligjit vjetor për buxhetin.

Në vitin 2011, 25% e rentës minerare totale të mbledhur arriti shumën 1,240 milionë lekë. Sipas Ministrisë së Financave, në vitin 2011, të ardhurat nga renta minerare ishin regjistruar në buxhetin e shtetit në grup dhe nuk janë mbajtur regjistrime të sakta mbi rentën e gjeneruar nga secila njësi e qeverisjes vendore. Ministria e Financave raportoi se nuk kishte bërë asnjë transferim rente. Ligjet e mëpasshme të buxhetit për vitet 2012, 2013 dhe 2014 kanë parashikuan kushte specifike për shpërndarjen e rentës minerare, sipas së cilave njësitë e qeverisjes vendore do të merrnin rentë kur kjo tejkalon shumën e transfertave të pakushtëzuara nga buxheti i shtetit. Në vitin 2012, renta e shpërndarë u kufizua në 20% të transfertës së pakushtëzuar, në 2013-ën kufizimi u rrit në 50%. Kështu pjesa e transferueshme varion nga 1% në 50% të transfertës së pakushtëzuar.