01 Nën Konferenca Ndërkombëtare për Përfituesit Realë, 23-24 Tetor 2017, Jakarta, Indonezi
Qeveria e Indonezisë dhe Sekretariati Ndërkombëtar EITI organizuan, Konferencën Ndërkombëtare për Përfituesit Realë në 23-24 Tetor 2017, në Jakarta të Indonezisë, në një përpjekje globale për të luftuar shmangien e taksave dhe korrupsionin. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues nga 52 shtete, për tu angazhuar dhe diskutuar mbi hapat e nevojshme që duhen ndërmarrë në transparencën për Përfituesit Realë të kompanive në industrinë e naftës, gazit dhe minerareve. Në workshop-et e zhvilluara në kuadër të këtij eventi, morën pjesë mbi njëqind lektorë dhe 300 ekspertë nga më shumë se pesëdhjetë vënde.
Në këtë Konferencë, Shqipëria mori pjesë me delegacionin e saj me përfaqësues nga Sekretariati Kombëtar EITI Shqipëri dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Përveç pjesëmarrjes në sesionet plenare, përfaqësuesit e delegacionit shqiptar zhvilluan takime shumëpalëshe, ku u diskutua mbi eksperiencën e Shqipërisë dhe ecurinë e saj në zbatimin e Standartit EITI.
Kryetari i Bordit EITI, Frederik Reinfeldt në fjalën e tij vuri në dukje se EITI është kthyer në një nismë për nxitjen e promovimit të transparencës për Përfituesit Realë. Ai theksoi se në shumë vende të pasura me burime natyrore, identiteti i pronarëve të vërtetë të kompanive të cilave u janë dhënë të drejtat për nxjerrjen e naftës, gazit dhe mineraleve janë të paidentifikuar plotësisht. Ai nënvizoi se nga viti 2020, ftohen të gjitha kompanitë e naftës, gazit dhe ato minerare, të liçensuara në vendet EITI, të raportojnë emrin, kombësinë dhe vendqëndrimin e Pronarëve Realë si dhe të identifikojë personat e përfshirë politikisht. Ai tha se ky është një objektiv ambicioz dhe kjo konferencë u organizua për të shkëmbyer informacione praktike se si të arrihet ky objektiv.
Ministri i Zhvillimit dhe Planifikimit Kombëtar të Indonezisë, Bambang Permadi Soemantri Brodjonegoro përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit në konferencë dhe nënvizoi faktin se Panama Papers kishin rritur ndjeshmërinë e publikut pasi ato kishin përfshirë një numër të konsiderueshëm personash nga Indonezia.
Në këtë event u ndanë çmime për katër vënde që kishin bërë përparim të qëndrueshëm në adresimin e transparencës për Përfituesit Realë.
Republika e Kirgistanit, mori çmimin e parë, pasi ka miratuar ndryshimet e fundit të ligjeve për zbulimin e Përfituesive Realë. Gana u përshëndet për ndryshimin e nenit në krijimin e një regjistri për Përfituesit Realë që mbulon të gjithë sektorët. Ukraina, gjithashtu u përshëndet për krijimin e regjistrit të parë të Përfituesëve Realë dhe një regjistri të pasurive për zyrtarët qeveritarë. U përshëndet gjithashtu Mbretëria e Bashkuar, për krijimin e regjistrit më të madh kombëtar publik në botë, të personave me influencë.
Gjatë konferencës u zhvilluan disa workshop paralele, të fokusuara mbi tematika specifike si; Si të përcaktohen personat e ekspozuar politikisht dhe deklarimi i pasurive; Si qeveria dhe shoqëria civile të punojnë sëbashku për të nxitur transparencën për Përfituesit Realë; Si të ndërtojmë një Regjistër të Përfituesve Realë; Si të përdoren dhe analizohen të dhënat e Përfituesve Realë; Si të krijojmë një kuadër ligjor dhe rregullator për transparencën e Përfituesve Realë, etj.
Drejtuesi i Sekretariatit Ndërkombëtar EITI Jonas Moberg, nënvizoi ishte se çfarëdo zgjidhje të gjendet, ato duhet të jenë të zbatueshme dhe ne duhet të sigurojmë që çdo regjistër të parandalojë dhe jo ta mbrojë korrupsionin dhe të dhënat duhen të përdoren dhe të jenë të dobishme, ndryshe e gjithë kjo punë do jetë e kotë.
Si pjesë e angazhimit në këtë Nismë globale dhe në funksion të publikimit brenda viti 2020 të Përfituesve Real, Shqipëria në Janar të vitit 2017 ka publikuar Udhëzuesin për hapat që do të ndiqen dhe është duke draftuar projektligjin mbi Përfituesit Realë.