29 Shk Konferenca EITI në Peru, Gjiknuri: Me rëndësi transparenca për shfrytëzimin e burimeve natyrore
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri mori pjesë në konferencën dy ditore Globale të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse, e cila u zhvillua në Lima të Perusë. Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) është një iniciative ndërkombëtare e institucionalizuar në vitin 2002, me nismën e Kryeministrit të Britanisë së Madhe. Standardi EITI, nënkupton vendosjen e transparencës së biznesit në industrinë nxjerrëse, në mënyrë që të ardhurat nga ky biznes të kontribuojnë më shumë në zhvillimin e vendit.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, ministri Gjiknuri deklaroi se Shqipëria nga një vend problematik tanimë ka shënuar arritje pasi në dy vitet e fundit ka publikuar disa raporte në përputhje me standardet EITI.
“Në 20 vitet e fundit ekonomia ka ndryshuar por ende industria nxjerrëse dhe industritë e lidhura me mineralet, naftën dhe gazin luajnë një rol të rëndësishëm për Shqipërinë. Transparenca për mënyrën se si këto burime janë duke u përdorur bëhet shumë e rëndësishme”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Z.Gjiknuri kërkoi që nisma EITI të mund të zgjerohet duke përfshirë si aktorë kryesorë shtetet e mëdha me synim rritjen e transparencës. Gjatë diskutimeve të zhvilluara në konferencë, një prej objektivave të ardhshëm të EITI-it në nivel global ka të bëjë me identifikimin e pronarëve të vërtetë të kompanive që shfrytëzojnë burimet natyrore të vendeve anëtare.
“Ka shumë arritje, por ka ende shumë për të bërë. Kjo është një iniciativë shumë e mirë, pavarësisht se është një iniciativë e një grupi të vogël vendesh. Ne këtu bëmë diskutime se si do të rrisim transparencën, si të luftojmë korrupsionin. Transparenca është me shumë rëndësi për të kuptuar se kush janë pronarët e vërtetë të kompanive që shfrytëzojnë burimet natyrore. A do të jemi ne në gjendje që përmes kësaj iniciative të vogël të bëhemi global, duke shtuar shtetet anëtare dhe të imponojmë transparencën se cilët janë pronarët e vërtetë të kompanive që shfrytëzojnë burimet natyrore”, deklaroi z.Gjiknuri.
Gjatë qëndrimit në Peru, Ministri Gjiknuri zhvilloi takime me homologë dhe Drejtuesin e Sekretariatit EITI z. Jonas Moberg. Ky i fundit përgëzoi Shqipërinë për punën e bërë gjatë dy viteve të fundit në publikimin e disa raporteve në përputhje me standardet e transparencës.
EITI në funksion të transparencës, monitoron të ardhurat e kompanive që operojnë në sektorin nxjerrës, si dhe pagesat që kompanitë bëjnë në institucionet shtetërore, të cilat konsiderohen të ardhura për shtetin, nëpërmjet një raporti vjetor, që përgatitet nga një administrator i pavarur.
EITI është implementuar nga 51 vende, me anëtarësimin e Republikës Dominikane dhe Gjermanisë më 23 Shkurt. Gjatë konferencës së organizuar në Lima të Perusë u zgjodh drejtuesi i ri i EITI-t, Fredrik Reinfeldt ish kryeministri i Suedisë në vitet 2008-2014. Më 2 Maj 2013, Shqipëria është deklaruar vend anëtar i Bordit Ndërkombëtar EITI, çka e detyron vendin të ketë një proces efektiv për deklarimin vjetor dhe rakordimin e të gjitha të ardhurave që vijnë nga sektori i industrisë nxjerrëse.