Komente mbi Raportet e EITI-t për vitet 2013 dhe 2014

Komente mbi Raportet e EITI-t për vitet 2013 dhe 2014

Përparim Alikaj
Përfaqësues i FIAA  në MSG

Raporti logoPublikimet e raporteve të EITI-t për vitet 2013 dhe 2014 në Dhjetor të vitit 2015 ishin një sukses i madh për Inisiativën e Transparencës së Industrisë Nxjerrëse të Shqipërisë (ALBEITI), mbasi u grumbulluan dhe përpunuan të dhënat voluminoze të aktivitetit të industrisë nxjerrëse të dy viteve për një numur të madh kompanish nga fusha e shfrytëzimit të mineraleve, naftës e gazit, si dhe u bë krahasimi i tyre me vitet e mëparëshme. Shqipëria ka kandiduar në EITI që prej vitit 2009, por në vitin 2013 u bëmë anëtarë me të drejta të plota në këtë Forum. Një arritje e risi nga ana jonë ishte zgjerimi i mbulimit të EITI-t në Industri, duke përfshirë për herë të pare sektorin e Hidroenergjisë në këto raporte.

Raportet jo vetem paraqesin me shkallë të lartë vërtetësie transparencën e Industrisë Nxjerrëse në Shqipëri, por nëpërmjet analizimit e përshkrimi të detajuar japin nivelin e kësaj industrie në vendin tonë për vitet 2013 dhe 2014. Si të tillë, ata kanë vlerë të madhe informative e vendim-marrëse edhe për investitorët e huaj që kanë ndërmend të investojnë në Shqipëri. Paraqitja i këtij  informacioni sipas llojit të aktiviteteve të industrisë nxjerrëse e llojit të mineralit për çdo kompani, përbën një dokument me vlerë edhe për investitorët e huaj që operojnë në Shqipëri, të cilin  mund t’a ekspozojnë si material mbështetës të aktivitetit të tyre.

Raportet paraqesin gjithashtu në formën e rekomandimeve problemet që mbeten për t’u zgjidhur në të ardhmen për implementimin më të mirë të EITI-t në Shqipëri, duke vënë theksin në bashkëpunimin e vazhdueshëm konstruktiv midis ALBEITI-t, Organeve Shtetërore, Grupeve të Interesit e Shoqërisë Civile.