19 Tet INTERVISTA- Me Drejtuesin e Sekretariatit Kombëtar EITI Z.Tërpo
Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI): standardi i Shqipërisë drejt transformimit të industrisë së naftës dhe gazit
Investimet në industrinë e naftës dhe gazit në Shqipëri, një tjetër shtysë për investitorët e huaj që ta shohin Shqipërinë si një vend strategjik për të vendosur kapitalet e tyre investuese, thotë Genci Tërpo, Drejtues i ALBEITI.
Industria e naftës dhe mineraleve është një prej më të rëndësishmeve në ekonominë shqiptare. Një prej eksportuesve kryesorë dhe ndër punëdhënësit më të rëndësishëm, një ndër zhvillimet më të rëndësishme për këtë industri në vitet e fundit është Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI).
Për të kuptuar më shumë rëndësinë e kësaj nisme për industrinë e naftës dhe mineraleve në Shqipëri, Revista Europa ka intervistuar Z. Genci Tërpo, Drejtues i EITI në Shqipëri.
Z.Tërpo në kuadrin e veprimtarisë së punës së Institucionit të Nismës për Transparencë ne Industrinë Nxjerrëse, nëse do ta përshkruanit për publikun e gjerë, në çfarë konsiston kjo nismë për Shqipërinë?
Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) është një iniciativë ndërkombëtare e institucionalizuar në shtator në vitin 2002, me përpjekjet dhe lobimin e fuqishëm që ka realizuar Z. Toni Blair, lançuar për herë të parë në Samitin Botëror të Qëndrueshmërisë së Zhvillimit në Johanesbourg, që në atë kohë kur ai ishte edhe Kryeministër i Britanisë së Madhe.
Nisma EITI lindi si shqetësim për ato vende të varfra ekonomikisht të cilat kanë pasuri të mëdha nëntokësore. Ky shqetësim ka përkuar gjithnjë me faktin që pjesa më e madhe e vendeve që kane burime të mëdha natyrore karakterizoheshin nga problematika të vijueshme në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe social. Në këtë kuadër është shtruar gjithnjë pyetja: ku shkojnë të mirat materiale që vijnë nga industria nxjerrëse përsa kohë ekonomia në këto vende është e ulët?
Në vitin 2003, në Londër, në konferencën e parë ndërkombëtare për EITI-n me pjesëmarrjen e 140 delegatëve, përfaqësues nga qeveritë, shoqëria civile dhe kompanitë e shfrytëzimit të pasurive nëntokësore u hartuan 12 parimet e EITI-t mbi të cilën do të zhvillohej kjo nismë për rritjen e transparencës mbi pagesat dhe të ardhurat që siguronte industria nxjerrëse.
Mbi këtë bazë u ndërtua edhe Nisma Globale EITI që kishte dy qëllime kryesore të organizimit të saj. Një prej të cilave lidhej me faktin se a është e mundur të kontrollohen të ardhurat që prodhohen nga industria nxjerrëse e pasurive nëntokësore? Dhe e dyta: a shkojnë këto të ardhura në dobi të komunitetit e zhvillimit të vendit, apo thjesht, të ardhurat shkojnë në xhepat e të korruptuarve qeveritarë dhe të kompanive?
Iniciativa EITI kërkoi detyrimin e qeverive për të bërë transparencë për mënyrën e përdorimit dhe të shpërndarjes së të ardhurave që sigurohen nga shfrytëzimi i pasurive nëntokësore, pronë e publikut.
Në mars të vitit 2005, në Londër, u mbajt konferenca e dytë e EITI-t, ku u miratuan 12 parimet e hartuara në konferencën e parë në vitin 2003, si dhe u zhvilluan 6 kriteret kryesore që duhet të plotësonin vëndet për të qënë anëtare të Nismës për transparencë në industrinë nxjerrëse (EITI).
Më pas në tetor të vitit 2006, në Oslo, u realizua edhe konferenca e tretë ndërkombëtare e Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse. Aty u krijua Bordi me shumë pjesëmarrës nga shoqëria civile dhe kompanitë, si edhe u krijua për të funksionuar si një ent i pavarur, Sekretariati i EITI, i cili e ka selinë në Oslo në Norvegji. Në mars të vitit 2011, në konferencën e pestë të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse, u miratua edhe një set me 23 kritere, të cilat tashmë njihen me emrin Rregullat e EITI.
Shqipëria është bashkuar në nismën EITI pasi ka kaluar në një proces në disa shkallë duke filluar që nga nënshkrimi i marrëveshjes me qeverinë, hartimi i një plani pune që përcakton objektivat se pse ky vend shpreh interes për të hyrë në EITI, krijimin e një grupi me pjesëmarrës nga shoqëria civile, mekanizma të qeverisë dhe kompanitë që operojnë në fushën e industrisë nxjerrëse (MSG) dhe krijimit të sekretariatit vendor EITI.
Më pas ka kaluar nga vend kandidat ku ka shprehur gatishmërinë për të respektuar të gjitha standartet e vendosura nga EITI dhe është pranuar nga bordi ndërkombëtar i EITI. Ky rrugëtim është përmbyllur me anëtarësimin e Shqipërisë në EITI më 2 maj 2013, që u zyrtarizua pas procesit të mbikqyrjes dhe plotësimit të kërkesave të EITI-t. Pra, Bordi Ndërkombëtar EITI, e shpalli Shqipërinë vend anëtar në përputhje me standartet EITI.
Sekretariati Shqiptar EITI u krijua me vendim të Këshillit të Ministrave më 07.07.2010. Po kështu, me Urdhër të Kryeministrit, më 21.07.2011 u krijua dhe Grupi Ndërinstitucional i Punës, me pjesëmarrjen e shoqërisë civile, kompanive që operojnë në industrinë nxjerrëse dhe qeverisë. Grupi Ndërinstitucional i Punës udhëhiqet nga zv. Ministri i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, i ngarkuar për zbatimin dhe mbikëqyrjen e kësaj nisme në Shqipëri.
Në prill 2011, Shqipëria ka publikuar raportin e saj të parë të pagesave në industrinë nxjerrëse për vitin fiskal 2009. Nga raporti rezulton se ka diskordanca të parëndësishme ndërmjet pagesave të kompanive dhe të ardhurave të deklaruara nga shteti. Në gusht 2011 u publikua raporti i Validimit mbi implementimin e EITI në Shqipëri.
Në qershor 2012 Shqipëria përgatiti raportin e dytë të pagesave për vitin fiskal 2010. Me anëtarësimin e vendit në EITI ndryshoi dhe VKM për Sekretariatin: VKM nr. 993 datë 09.12.15 për organizimin dhe funksionimin e Sekretariatit Kombëtar të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI Shqipëri), në kuadër të anëtarësimit në organizimin ndërkombëtar EITI International.
Përputhja me standardet EITI do të thotë se vendi ka një proces efektiv për deklarimin vjetor dhe rakordimin e të gjitha të ardhurave që vijnë nga sektori i industrisë nxjerrëse. Ky proces u lejon qytetarëve të shohin se sa të ardhura merr vendi i tyre, nga kompanitë e naftës, gazit dhe minierave.
Brenda vitit 2014 Shqipëria publikoi dy raporte EITI. Më tej, më 23 Dhjetor 2015 Shqipëria publikon Raportin EITI për dy vitet fiskale, 2013 dhe 2014, në përputhje me Standartin EITI dhe ku për herë të parë u përfshi dhe Sektori Hidroenergjetik. Më 1 Shkurt 2017 Shqipëria publikoi raportin për vitin fiskal 2015 në përputhje me Standartin e ri EITI.
Gjatë vitit 2017, Shqipëria iu nënshtrua procesit të Validimit Ndërkombëtar nga Bordi Ndërkombëtar EITI me qendër në Oslo, për implementimin dhe performancën e Standarteve EITI. Në muajin shkurt 2018, Bordi Ndërkombëtar EITI doli me vendimin zyrtar që Shqipëria ka bërë një progres domethënës në zbatimin e Standardit EITI.
Në Raportin zyrtar të validimit konstatohet se Shqipëria në 55% të Kapitujve ka ecuri shumë të kënaqshme (ku përfshihet angazhimi i qeverisë, angazhimi i biznesit, kuadri kigjor, kontributi në ekonomi, debati publik etj); në gati 45% të Kapitujve ka ecuri domethënëse (Drejtimi i MSG, angazhimi i shoqërisë civile) dhe vetëm 5% janë vlerësuar si të pamjaftueshme ose pa progres.
Më 15 shkurt 2018, Sekretariati Kombëtar EITI publikoi Raportin EITI 2016 dhe së shpejti në fund të tetorit 2020 do të publikohet raporti për vitin 2017 dhe 2018 sipas Standardit të ri EITI 2019.
Viti 2020 është karakterizuar nga situata e pandemisë së virusit Covid-19 duke sjellë të papritura dhe mënyra të reja të realizimit të veprimtarive edhe për organizmin ndërkombëtar EITI dhe paralelisht edhe për Sekretariatin Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri. Nisur nga vështirësitë që janë hasur në rrafshin global në kuadrin e përftimit të raportimeve dhe procesit të validimit, EITI ndërkombëtar e ka parë të udhës që të përcaktojë shtyrje të afateve të dorëzimit dhe publikimit të Raporteve EITI.
Çfarë synon të realizojë EITI?
EITI synon të zhvillojë dhe të implementojë një mekanizëm sa më efikas për të bërë deklarimin e të ardhurave që përfitohen nga përdorimi i burimeve natyrore nëpërmjet industrisë nxjerrëse, publikimin e këtyre të dhënave në një format të kuptueshëm nga të gjithë dhe mbikqyrjen e tyre në mënyrë që t’i mundësojë publikut të gjerë të kenë informacion përsa i përket të ardhurave si dhe shpenzimet publike, duke kontribuar kështu në një debat publik dhe krijimin e mekanizmave për mirëadministrim të këtyre
të ardhurave në dobi të komuniteteve.
EITI si institucion permanent ka një bord ndërkombëtar, i cili përbëhet nga tre grupe kryesore, shoqëria civile, kompanitë dhe institucionet shtetërore. Standardi EITI, nënkupton vendosjen e transparences së biznesit në industrinë nxjerrëse, në mënyrë që të ardhurat nga ky biznes të kontribuojnë më shumë në zhvillimin e vendit.
Në funksion të transparencës, EITI monitoron të ardhurat e kompanive që operojnë në sektorin nxjerrës, si dhe pagesat që kompanitë bëjnë në institucionet shtetërore, të cilat konsiderohen të ardhura për shtetin, nëpërmjet një raporti vjetor, që përgatitet nga një administrator i pavarur. Raporti vjetor EITI bëhet publik për të gjithë.
Parimet EITI bazohen në besimin se përdorimi i kujdesshëm i burimeve natyrore kontribuon në rritjen ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe reduktimin e varfërisë në vendet e pasura me burime natyrore. EITI ka për qëllim promovimin e transparencës për të parandaluar korrupsionin, si dhe t’i sigurojë qytetarëve një bazë për të kërkuar përdorimin e drejtë të të ardhurave. Gjithashtu, pritet që transparenca të kontribuojë pozitivisht në rritjen e investimeve në këtë sektor.
EITI ka një metodologji fleksibël që siguron një standard global të qëndrueshëm për të gjithë vendet zbatuese. Rregullat EITI përcaktojnë metodologjinë që vendet duhet të ndjekin për t’u bërë anëtarë të EITI-t. Rregulli kryesor i EITI-t, është bashkëpunimi i hapur i qeverisë, shoqërisë civile dhe kompanive të industrisë nxjerrëse. Kriteri standard bazë i EITI-t është publikimi i rregullt i pagesave që kompanitë e minierave, gazit, naftës i bëjnë shtetit si dhe publikimi i të gjitha të ardhurave që qeveria merr nga këto kompani.
Më konkretisht, çfarë përfitohet nga EITI?
EITI si standard ndërkombëtar përcjell përmirësim të klimës së investimeve në çdo vend që implementohet. Koncepti i zhvillimit të transparencës siguron qartazi investitorët dhe institucionet financiare se qeveria dhe vendi zbatues garantojnë kushte optimale në bërjen e biznesit. Standardet EITI përcjellin stabilitet ekonomik dhe politik dhe paralelisht ofrojnë mirëqeverisje dhe përgjegjshmëri.
Në vetvete, kompanitë që investojnë kanë më pak risqe në rrafshin politik dhe minimizohen kërcënimet që vijnë prej mungesës së stabilitetit duke shmangur dhe parandaluar përplasjet në sektorët e industrisë nxjerrëse.
Kompanitë përmes bërjes publike dhe transparente të investimeve në fushën e industrisë nxjerrëse dhe të kontributeve të pagesave të realizuara ndaj strukturave shtetërore ofrojnë evidentim më të qartë të fakteve që pikërisht këto pagesa dhe investime janë të lexueshme dhe të prekshme në vendin ku aplikohen. Ky kontribut është i nevojshëm sepse rëndësia e informacionit transparent, të zgjeruar dhe të certifikuar sipas standardit EITI në fushën publike ofron kushte për qeverisje të përgjegjshme.
Gjithashtu, në aspektin studimor dhe në kuadrin e zhvillimit të projekteve, ky informacion ndihmon më së shumti edhe shoqërinë civile e cila disponon mekanizma kontrollues dhe zhvillues për të përcjellë praktika gjithnjë e më të mira dhe sugjerime ndaj aktorëve shtetërorë dhe biznesit në rrafshin e transparencës në industrinë nxjerrëse.
Zoti Tërpo, çfarë ndikimi ka patur pandemia e COVID-19 në industrinë nxjerrëse në Shqipëri?
Virusi Covid-19 ka patur një ndikim global në ekonomi dhe padiskutim kjo është reflektuar edhe në industrinë nxjerrëse në botë. Gjithashtu, Shqipëria si një vend që është prekur nga pandemia e COVID-19 u ndikua në aspektin e zhvillimit ekonomik. Masat e domosdoshme dhe efikase që u ndërmorën nga qeveria shqiptare në luftën kundër COVID-19 ishin rrjedhojë e protokolleve ndërkombëtare të OBSH të cilat i dhanë përparësi mbrojtjes së jetës. Nga ana tjetër, natyrisht si në çdo vend të botës mbyllja e përkohshme e aktiviteteve e ndaloi apo e uli nivelin e prodhimit nga ana e kompanive që operojnë në fushën e industrisë nxjerrëse. Dua të theksoj se industria nxjerrëse (naftë e minerale) kontribuon në rreth 2.5% të Prodhimit të Brendshëm bruto, duke qenë më i madhi nga të gjithë industritë e tjera në vend.
Industria e përpunimit të naftës u gjend në një situatë të vështirë, ndoshta më të vështirën në historinë e saj, që prej vitit 1929 kur ajo filloi të nxirrej nga nëntoka e Shqipërisë. Rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe mbushja e depozitave për shkak të frenimit të konsumit në mbarë botën, kanë bërë që kompanitë vendase të detyroheshin të ndërpresin aktivitetin e tyre. Ndalimi i aktivitetit ishte i lidhur me rënien e çmimeve të naftës në bursë që arriti nivele të mëdhe humbjeje në rrafshin global.
Industria nxjerrëse, konkretisht nxjerrja e naftës, u paralizua për një periudhë të shkurtër për shkak të shpalljes së gjendjes së forcës madhore nga një rafineri në Spanjë që blente një pjesë të madhe të naftës së prodhuar nga Bankers Petroleum.
Kompanitë e industrisë nxjerrëse me rihapjen prej disa mujash kanë ri-filluar aktivitetin e tyre dhe janë duke u përpjekur të kapin ritmin parapandemik i cili me kalimin e kohës do të ndikojë dukshëm dhe pozitivisht në ekonominë e vendit tone, nisur edhe nga situatat që do të përkojnë me luftën kundër virusit të COVID-19.
Si ka performuar në veprimtarinë e punës ALBEITI në situatën e pandemisë së COVID-19?
EITI në Shqipëri i gjendur në situatën e pandemisë së COVID-19 ka zbatuar me përpikmëri protokollet e kujdesit dhe sigurisë të miratuara nga instancat shtetërore për të garantuar paralelisht edhe realizimin e detyrave.
Natyrisht periudha që vijoi me mbylljen e veprimtarisë së industrisë nxjerrëse e lidh detyrimisht vështirësinë e raportimit të tyre pranë ALBEITIT në kuadrin e realizimit të raporteve të transparencës për vitin 2017-2018 por gjithsesi jemi munduar maksimalisht të përfitojmë një nivel të konsiderueshëm raportimesh për të qenë korrekt dhe me afatet e procesit të validimit gjatë vitit 2021.
Nga ana tjetër, ALBEITI ka zbatuar me përpikmëri planin e punës së vitit 2020 duke përfunduar të gjithë procedurat për fillimin e projekteve të këtij viti. Aktualisht jemi në fazën e implementimit të tyre, të cilat do të përmbushin edhe objektivat që na janë vënë para gjatë këtij viti.
Në gjykimin tuaj, çfarë ndikimi ka industria e gazit dhe e naftës në Shqipëri?
Ka një ndikim të madh në ekonominë e vendit! Të ardhurat që vijnë prej industries së naftës dhe gazit në Shqipëri sjellin pasoja të dukshme dhe pozitive edhe në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të popullsisë.
Shqipëria vlerësohet si një nga vendet më të pasura të Evropës në rezervat hidrokarbure në shelfin kontinental me një rezervë deri në 220 milionë fuçi dhe 5.7 miliard metra kub gaz natyror. Sipas Shoqatës Shqiptare të Energjisë (AEA), Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva deri në 277 milionë fuçi. Zona e naftës Patos-Marinëz-Kolonjë njihet si fusha më e madhe naftëmbajtëse në Evropën kontinentale. Janë nënshkruar disa marrëveshje për eksplorimin e naftës dhe gazit me ndarje prodhimi (MNP), nga të cilat disa kompani janë angazhuar në nxjerrjen e naftës bruto në pjesën jugore të Shqipërisë dhe disa kompani të tjera mjaft serioze të angazhuara në aktivitete eksploruese.
Investimi gjithsej në kërkimin dhe eksplorimin e naftës dhe gazit në vitet e fundit llogaritet të jetë realizuar mbi 1.25 miliardë euro. Në këtë kuadër kjo ka sjellë dhe nxitje të mëtejshme të investitorëve të huaj që ta shohin Shqipërinë si një vend strategjik për të vendosur kapitalet e tyre investuese duke përcjellë automatikisht shtimin e vendeve të punës për shqiptarët dhe përhapjen e investimeve edhe në fusha të tjera të jetës.
Cila është rëndësia e Gazsjellësit Tap në Shqipëri?
TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha nxjerrëse në Shah Deniz II në Azerbajxhan për në tregjet e Evropës. Gazsjellësi TAP tashmë do të krijojë një askes të padiskutueshëm në furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Malin e Zi, Kroacinë, etj.
Dalja e TAP-it në Itali, tregu i tretë për nga madhësia në Europë, siguron shumë mundësi të mëtejshme për transportimin e gazit natyror nga rajoni Kaspik në disa nga tregjet më të mëdha europiane si Italia, Gjermania, Franca, Zvicra, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar.
Zbatimi me sukses i projektit të gazsjellësit TAP ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në përthithjen e investitorëve të tjerë të huaj që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri.
TAP-i është investimi i huaj direkt më i madh në Shqipëri dhe ka rëndësi strategjike për Evropën Juglindore, veçanërisht për Shqipërinë. TAP e ka vendosur Shqipërinë në hartën energjetike. Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka cilësuar TAP si një mundësi për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të rritur prodhimin industrial në Shqipëri, duke ulur kostot e energjisë dhe duke mbështetur biznesin vendas.
Implementimi i projektit të Gazsjellësit TAP-i do të nxisë padiskutim investime të tjera të huaja në vend, ndërkohë që promovon stabilitet. Kjo do të kontribuojë në integrimin tregtar dhe fizik të vendit në Evropë.
TAP-i do të ndihmojë zhvillimin e infrastrukturës energjetike në Shqipëri dhe aktualisht po punon me institucionet shqiptare, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Ekonomisë dhe Financës dhe Albgaz-in për të përgatitur zhvillimin e tregut shqiptar të gazit, sipas Master Planit të Gazit.
Gjithashtu, TAP ndihmon dhe krijon kushte në arritjen e synimit të qeverisë për ta kthyer vendin tonë në një nyje të rëndësishme në Evropën Juglindore për shpërndarjen e gazit. TAP-i do të kontribuojë drejtpërdrejt në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë përmes pagesës së tatimeve që do të paguhen gjatë viteve të veprimtarisë.
Në një këndvështrim tjetër, një kontribut tjetër i rëndësishëm i projektit është dekarbonizimi. TAP do të mundësojë përdorimin e një burimi energjie më të pastër, duke ndihmuar kështu në uljen e shkarkimeve të karbonit dhe mbrojtjen e mjedisit. Gazi natyror i transportuar dhe mundësuar nga TAP mund të kontribuojë në dekarbonizimin e ekonomive.
Nga ana tjetër, përmes zhvillimit të këtij projekti me potencial shumë të lartë janë evidentuar drejtpërsëdrejti edhe investimeve sociale dhe mjedisore (ISM), në Shqipëri që kanë ndihmuar në përmirësimin e jetesës dhe cilësisë së jetës në zonat ku ky projekt ka gjetur zbatim në Shqipëri.
TAP ka investuar në projekte sociale dhe mjedisore në vlera disa milionë euro. TAP-i ka investuar për rikonstruksionin e plotë të disa shkollave, duke i krijuar kushte mësimi moderne dhe duke rritur standardet e sigurisë, siç ka investuar edhe në infrastrukturën që promovon zhvillimin e turizmit dhe ka mbështetur një sërë komunitetesh që janë përballur me situata emergjence natyrore.
Vlen për t’u theksuar se në aspektin e kujdesit ndaj mjedisit, TAP ka kryer një punë mjaft të mirë në kthimin e tokës në gjendjen fillestare dhe fermerët po e shfrytëzojnë sërish tokën.
Për më tepër, TAP ka përmirësuar të dhënat kadastrale në zonat përgjatë gjurmës së projektit, duke ndihmuar më shumë se 12,000 familje në marrjen e certifikatave të pronësisë. Gjithashtu në aspektin e punësimit, Gazsjellësi Tap ka luajtuar dhe vijon të luajë një rol me rëndësi pasi ndihmon dukshëm ofruesit shqiptarë të shërbimeve dhe nënkontraktorët e tyre që të punësojnë në vijim gjithnjë e më tepër shqiptarë në këtë projekt me rëndësi.