Flukset e parasë në industrinë nxjerrëse

Flukset e parasë në industrinë nxjerrëse

EITI Albania është Nisma për Transparencë në Industritë Nxjerrëse e cila kryen veprimtarinë e saj në kuadër të antarsimit në Organizatën Botërore për Transparencë në Industritë Nxjerrëse, EITI International e cila synon të ndërgjegjësoj të gjitha vëndet e pasura me burime natyrore (nafta, gazi, mineralet e ndryshme, guroret etj.), për rëndësinë ekonomike dhe sociale që sjell kjo industri, për të ardhurat që vilen dhe si administrohen ato.

Në kuadër të objektivave të antarsimit në këtë organizëm ndërkombëtar, i dedikuar tërësisht transparencës për Publikun, EITI Albania publikoi raportin e tretë EITI të Transparencës për Vitin Fiskal 2011.

Ky raport përmbledh informacion mbi rakordimin e të ardhurave fiskale dhe jo fiskale nga industria nxjerrëse në Shqipëri si pjesë e implementimit të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) në Shqipëri. Në këtë kuadër, kompanitë dhe qeveria Shqiptare, përkatësisht kanë raportuar pagesat dhe të ardhurat nga industria nxjerrëse për rentën minerare, tatimin mbi fitimin, ndarjen mbi prodhimin naftës, bonuset e nënshkrimit dhe pagesa të tjera të lidhura me industrinë nxjerrëse. Për më shumë ky raport përfshin të ardhurat e rakorduara, të mbledhura nga kompania shteterore Albpetrol, në lidhje me kompanitë nën administrimin e tij dhe të ardhurat që Albpetrol kontribuon në buxhetin e shtetit.

Ky është raporti i tretë që publikohet nga Nisma për Transparencë dhe perfshin pagesat dhe të ardhurat gjatë vitit 2011. Dy raportet e tjerë janë publikuar më herët, përkatësisht për vitet 2009 dhe 2010.

67 kompani nxjerrëse dhe 7 institucione shtetërore janë përfshirë në këtë proces rakordimi. Raporti EITI 2011 është përgatitur referuar standartit të ri EITI 2013.

Raporti ka prodhuar të dhëna të disagreguara për çdo kompani dhe për çdo burim të ardhurash.

Të ardhurat e gjeneruara nga industria nxjerrëse për vitin 2011 janë në total 9,316 milion Lek. Sektori i naftës dhe gazit, dhe sektori minerar gjeneruan përkatësisht 81% dhe 19% të këtyre të ardhurave. Këto të ardhura përfshijnë prodhimin e naftës në vlerën 3,558 milion Lek të mbledhur nga Albpetrol për liçensat e prodhimit nën administrimin e tij. Albpetrol, si shoqëri e liçensuar, pagoi rentë minerare, tatim mbi fitimin dhe dividend në shumën 741 milion Lek në total.

Raporti EITI 2011 u prodhua nga administratori i pavarur duke përdorur Standartin Ndërkombëtar të Auditimit të aplikueshme ndaj shërbimeve të këtij lloji (ISRS) 4400: “Angazhime për të vijuar sipas proçedurave të rëna dakord në lidhje me informacionin financiar”.

Përgatitja e këtij raporti u mbështet nga Banka Boterore dhe ky raport u rakordua nga Deloitte Albania.

Më shumë informacion rreth EITI në Shqipëri do të gjeni në adresën www.albeiti.org

Për të lexuar raportin e plotë klikoni këtu.