22 Jan Fakte – Raporti EITI 2013 – 2014
Energjia dhe burimet në Shqipëri
Shqipëria është e pasur në burime të cilat mund të plotësojnë nevojat e brendshme në energji dhe në shumicën e viteve (deri në vitin 1989), ka qenë një eksportues neto i energjisë elektrike dhe nënprodukteve të naftës.
Shqipëria është e pasur në burime si naftë, gaz, qymyr, dru, bitum dhe ka potencial të lartë hidro-energjitik etj. të cilat kontribuojnë në mënyra të ndryshme për të plotësuar kërkesat për energji në vend.
Sektori i energjisë dhe burimeve në Shqipëri dominohet nga:
- sektori i naftës,
- sektori hidro-energjisë dhe
- sektori i minierave dhe guroreve.
Bazuar në rezultatet paraprake të publikuara nga INSTAT1, sektori i energjisë dhe burimeve përbënte 7% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) në vitin 2013 dhe 2014. Sektori i naftës dhe ai minerar së bashku përbënin 5% të PBB-së, ndërkohë që sektori i energjisë elektrike kontriboi me rreth 2% të PBB-së në të dy vitet.
Nafta e papërpunuar përbënte burimin kryesor të energjisë së prodhuar në Shqipëri duke përfaqësuar 67.7% të burimeve primare të energjisë së prodhuar në vitin 2014 (2013: 59.1%) ndjekur nga sektori i energjisë elektrike me rreth 20% të burimeve primare të energjisë së prodhuar në vitin 2014 (2013: 29.3%).
Statistikat e Qeverisë nuk mundësojnë shifra të sakta të të ardhurave totale që Qeveria gjeneron nga sektori nxjerrës. Megjithatë, po të kemi parasysh të ardhurat e gjeneruara nga flukset kryesore të të ardhurave (renta minerare, tatimi mbi fitimin, ndarja e prodhimit e naftës, bonuset e nënshkrimit, dhe pagesat e tjera të industrisë), industria nxjerrëse dhe sektori hidro-energjitik kanë kontribuar jo më pak se 12.9 bilion lekë ose 3.9 % e të ardhurave totale në Buxhetit e Shtetit në vitin 2013. Në vitin 2014, sektori nxjerrës dhe sektori i hidro-energjisë ka kontribuar jo më pak se 12.7 bilion lekë ose 3.5% të të ardhurave në Buxhetin e Shtetit (referoju tabelës më poshtë).
Renta minerare përbën fluksin kryesor të të ardhurave nga sektori nxjerrës i naftës, gazit dhe minerar në Buxhetin e Shtetit. Renta e mbledhur në vitin 2014 ishte 3% më pak se në vitin 2013. Renta minerare pësoi ulje, panvarësisht rritjes së prodhimit të naftës dhe atij minerar. Ky trend është pasojë e rënies së ҫmimeve të naftës dhe mineraleve në tregun ndërkombëtar.
Ndarja e prodhimit të naftës përbën grupin e dytë më të madh të të ardhurave të mbledhura nga sektori i naftës. Shoqëritë private të naftës paguan në natyrë gjithë sasitë e prodhimit të naftës prej 75,825 ton në vitin 2013 dhe 94,304 ton në vitin 2014. Vlerat e treguara më sipër për të ardhurat nga ndarja e prodhimit të naftës janë matur me ҫmimin mesatar të shitjeve vjetore zbatuar nga Albetrol prej 441 $/ton në vitin 2013 dhe 396 $/ton në vitin 2014. Shumat në dollar janë përkthyer në Lek me normën mesatare vjetor sipas Bankës së Shqipërisë, respektivisht 1 dollar i barabartë me 105,7 Lek në vitin 2013 dhe 1 dollar i barabartë me 105.5 Lek në vitin 2014.
Në vitin 2013 Buxheti i Shtetit arkëtoi të ardhura prej 15,439 miliard Lek nga privatizimi i hidrocentraleve të Ulzes, Shkopetit dhe Bistricës 1 dhe 2, të cilat vepronin nën administrimin e KESH deri në mes të vitit 2013. Për shkak të natyrës që ka kjo e ardhur nuk është përfshirë në tabelën më sipër. Nëse kjo shumë do të përfshihej në të ardhurat e përmbledhura më sipër, kontributi në Buxhetin e Shtetit do të rritej nga 3.9% deri në 8.7%.
Burimi – Administrata Doganore Shqiptare2
Eksportet nga sektori nxjerrës janë rritur ndjeshëm me mbi 100% në katër vitet e fundit.
Në vitin 2013 eksportet nga sektori nxjerrës arritën në 96.7 miliard lekë ose 39% të totalit të eksporteve. Në vitin 2014, eksportet ranë në 82.2 milliard lekë ose 32% të totalit të eksporteve.
Siç tregohet në grafikun 4, kjo rënie i atribuohet rënies së eksporteve të naftës bruto të cilat zinin peshën më të lartë të eksporteve nga sektori nxjerrës në katër vitet e fundit me rreth 64% deri në 75%.
Nafta e papërpunuar u eksportua kryesisht në Itali, Spanjë dhe Maltë. Ndërsa Kina ishte importuesi kryesor i mineralve të kromit dhe bakrit prodhuar në vend.
1. Llogaritë Vjetore Kombëtare (metoda e prodhimit) në vitet 2008-2014 publikuar në www.instat.gov.al
2. Administrata Doganore Shqiptare dërgoi këtë informacion zyrtarisht tek AlbEITI dhe më tej për përgatitjen e këtij raporti.