07 Jan ESE mbi Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri
Rakip Belishaku – Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave
A është industria nxjerrëse “nyja gordiane” e ekonomisë së Shqipërisë?
Në 25 vitet e fundit ekonomia e Shqipërisë ka qënë më tepër një funksion i inercisë sesa i një planifikimi konkret të zhvillimit të saj në baza shkencore. Dua të them që gjithë këto vite nuk kemi pasur një strategji të qartë të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë. Strategji e cila do ti rezistonte tundimit të cdo qeverie për të zhbërë gjithçka e për t’ia nisur nga e para. Theksi është venë tek bujqësia, turizmi e herë të tjera tek ndërtimi e industria fasone dhe pak herë është menduar me logjikë të ftohtë për sektorin më potencial të Shqipërisë, që është industria nxjerrëse e naftës dhe mineraleve të ngurta.
Shqipëria është e bekuar me pasuri minerale të shumta duke filluar nga nafta , gazi dhe qymyr guri si lendë djegëse dhe mineralet e ngurta ku peshën kryesore e zënë kromi, bakri e hekur-nikeli. Megjithatë këto janë vetëm maja e ajzbergut e nëntokës shqiptare. E shpjeguar në terma të tjerë këto minerale të lëngëta apo të ngurta janë ato të cilat janë shfrytëzuar këto 25 vjetë dhe të cilat kanë qënë tërheqëse për investitorët pasi kanë pasur kosto të ulët të nxjerrjes duke përdorur infrastrukturën e trashëguar dhe duke nxjerrë fitime të majme nga vlera e tyre e lartë në tregjet botërore. Megjithatë pjesa më e madhe e mineraleve po “fle” ne pritje të riorganizimit dhe ringritjes së një industrie nxjerrëse, e bazuar në projekte të mirëfillta shkencore dhe investime të mençura.
Kemi rezerva të mëdha të qymyrgurit në Memaliaj, Vërdovë-Dardhas Priskë-Mushqeta, Babien-Krosnisht-Qenskë, Mborje-Drenovë, të cilat tashmë janë miniera të braktisura. Nëse do të ngriheshin termocentrale që përdorin qymyrgurin si lëndë djegëse leverdia e nxjerrjes së qymyrgurit do ishte e konsiderueshme, duke sjellë pse jo dhe uljen çmimit të energjisë elektrike. Për skeptikët dua të përmend që Australia pjesën më të madhë të energjisë elektrike e prodhon nga qymyrguri. E nesë do të rezultonte efikase nga pikëpamja energjitike dhe mjediore pas studimeve, qeveria mund të jepte leje të një tipi të veçantë. Domethënë, nëse një kompani është e interesuar të ndërtojë një termocentral me qymyrguri nuk duhet ta importojë atë, por të përdor qymyrgurin vendas. Kjo gjë do të rezultonte në hapjen e vendeve të punës në zonat ku ndodhen minierat dhe rritjen e kontributeve në shtet nga taksat.
Gjithashtu me interes ekonomik është vënia në shfrytëzim industrial të gjithë vendburimeve të gurit gëlqeror, mermereve, kripës së gurit, oliviniteve, gipseve, xhamit vullkanik,. Aktualisht edhe pse me potencial për të furnizuar tregjet e Europës, Shqipëria importon çdo vit me mijëra ton produkte të përpunuar të argjilës dhe gipsit. Nevojiten investime në karriera për nxjerrjen e tyre, por edhe fabrika të cilat do të bënin përpunimin duke disafishuar vlerën e produktit. Bitumi i Selenicës dhe rërat bituminoze që gjenden në disa vendburime mund të shkëlqejnë si produkt eksporti për tregjet europiane. Sa për kujtesë, në fillim të shekullit të 20 rrugët e Vjenës dhe Parisit u shtruan me bitumin e Selenicës.
Për t’ju rikthyer dhe një herë produkteve minerale më të rëndësishmë për momentin që janë nafta, kromi dhe bakri. Përpors luhatjeve të herëpashershme të çmimit të tyre në bursat botërore, kompanitë që merren me shfrytëzimin e tyre janë një histori suksesi përsa i përket normave të fitimit dhe rritjes të përvitshme të prodhimit. Normalisht që nuk është sektor pa probleme, pasi nevojiten investime kolosale për të mbatjur këto ritme zhvillimi por mbi të gjitha për të pasur një zhvillim të qendrueshëm të këtyre vendburimeve gjë e cila u intereson të gjithëve, popullit që është pronari i tyre, shtetit si mbikqyrës dhe kontrollor i kompanive dhe investitorëve të përgjegjshëm që kërkojnë vazhdimësi të investimeve dhe ruajtjen e reputacionit. Lypset një rol më i madh i shtetit si rregullator dhe si partner në zhvillim e burimeve natyrore dhe industrisë nxjerrëse si potenciali kryesor për zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin standartit të jetës së qytetarëve.