19 Apr EITI, Transparenca në perdorimin e burimeve natyrore-nga Anisa Deda
Vendi ynë vlerësohet si një vend i pasur në burime natyrore, naftë, gaz dhe minerale. Burimet natyrore mund të sjellin përfitime në masë të madhe në cilësinë e jetës për qytetarët dhe të nxisin zhvillimin ekonomik dhe të qëndrueshëm të vendit. Mirëqeverisja e burimeve natyrore con në rritjen e të ardhurave për vendin, zhvillimin e komunitetit, rritjen e mirëqënies. Nuk ka formulë standarde për menaxhimin e suksesshëm të burimeve natyrore, por transparenca është thelbësore, qartësisht integrale.
Transparenca në menaxhimin e burimeve natyrore është në themel të parimeve të EITI.
EITI, Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse është një standard global i cili promovon transparencën, menaxhimin e hapur dhe të përgjegjshëm të burimeve natyrore. Secili vend implementues mbështetet nga një koalicion i përbërë nga përfaqësues të qeverisë, kompanive dhe shoqërisë civile që punojnë së bashku. EITI promovon transparencën në të ardhurat e qeverisë të grumbulluara nga industritë nxjerrëse, duke përfshirë të gjithë palët, qeverinë, kompanitë dhe shoqërinë civile në procesin e monitorimit. Eksperienca e vendeve zbatuese EITI tregon, se përfitimet e vendit nga përfshirja në këtë nismë kanë qenë të mëdha.
Transparenca luan një rol të rëndësishëm për qeverinë dhe qytetarët për të përfituar nga pasuritë e burimeve natyrore. Vënia në dispozicion e informacionit që është relevant, i saktë dhe koherent është gjithnjë i rëndësishëm për të udhëhequr drejt vendimmarrjes së duhur.
Transparenca është e rëndësishme për qeverinë, pasi e con vendin në një klimë të përmirësuar të investimeve si dhe promovon stabilitet më të madh ekonomik dhe politik.
Në Industrinë Nxjerrëse investimet janë intensive për nga ana e kapitalit dhe në mënyrë që të gjenerohen fitime është e nevojshme qëndrueshmëri afatgjatë dhe transparencë në sektor në kuadër të një konkurence të ndershme.
Përfitimet për shoqërinë vijnë nga rritja e sasisë së informacionit në fushën publike për ato të ardhura që qeveritë menaxhojnë në emër të qytetarëve. Transparenca u jep mundësi qytetarëve, sidomos banorëve të zonave ku operon industria nxjerrëse, që të kërkojnë të drejtat e tyre, u siguron qytetarëve një bazë për të kërkuar përdorimin e drejtë të të ardhurave në mënyrë që të përmirësojnë jetesën.
Si rezultat, transparenca ndihmon në krijimin e besimit ndërmjet qytetarëve, qeverive dhe investitorëve.
Në Raportin EITI pasqyrohet aktiviteti në sektorët e naftës, gazit, minierave dhe hidroenergjisë, të ardhurat që vilen nga përdorimi i Burimeve natyrore, duke i mundësuar të gjithë qytetarëve të kenë informacion të plotë përsa i përket të ardhurave si dhe shpenzimeve publike, duke kontribuar kështu në një debat publik dhe në krijimin e mekanizmave për mirëadministrim të këtyre të ardhurave në dobi të komuniteteve.
Zbatimi i EITI ka dhënë kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e qeverisjes së sektorit nxjerrës në shumë vende implementuese. Nëpërmjet procesit të raportimit EITI vende të ndryshme kanë ndërtuar mekanizma për aksesimin e informacionit, për të qenë sa më transparent. Kështu në Kazakistan kompanitë raportojnë online të dhënat për EITI dhe informacioni mund të aksesohet përmes portalit tatimor të vendit.
Kryebashkiakët në Madagaskar përdorin Raportet EITI për të kërkuar pjesën e tyre të të ardhurave për komunitetet lokale. Që nga viti 2011, kryebashkiakët e komuniteteve ku operon industria nxjerrëse në Madagaskar kanë përdorur raportimin e EITI për të siguruar që të ardhurat që u takojnë komuniteteve të tyre lokale janë paguar në mënyrë efektive.
Mbretëria e Bashkuar ka themeluar regjistrin më të madh kombëtar publik në botë për Pronarët Përfitues, ose “persona me kontroll të rëndësishëm”. Ky regjistër i hapur dhe i kërkueshëm mbulon të gjithë sektorët dhe tashmë është aksesuar më shumë se 2 miliard herë. Bërja e këtij informacioni publik ka lejuar organizatat e shoqërisë civile në Mbretërinë e Bashkuar të bëjnë vlerësimet e tyre dhe ngritur problematikat tek autoritetet, duke ndihmuar kështu në përmirësimin e besueshmërisë së të dhënave.
Ukraina krijoi regjistrin e parë publik në botë për Pronarët Përfitues të personave juridik, si dhe një regjistër të pasurisë për zyrtarët qeveritarë. Në vitin 2014, qeveria miratoi legjislacionin mbi dhënien e informacioneve shpjeguese për Pronësinë Përfituese për të gjitha kompanitë. Që atëherë, rreth 70% e kompanive kanë raportuar pronarët e tyre përfitues, duke përfshirë kompanitë në industritë nxjerrëse. Të dhënat mund të aksesohen publikisht përmes një regjistri të unifikuar të kompanive të mbajtur nga Ministria e Drejtësisë.
Shqipëria si vend anëtar ne EITI që nga viti 2013, ka publikuar deri më tani raportin EITI, për tetë vite fiskale 2009 – 2016. Këto raporte japin një pamje të aktiviteteve në sektorin nxjerrës të naftës, gazit, mineraleve dhe sektorin të hidro-energjisë, rakordimin e flukseve kryesore paguar nga shoqëritë e licensuara dhe mbledhur nga agjencitë qeveritare në këto sektorë, kontributin e kësaj industrie në Buxhetin e Shtetit dhe ekonominë në vend.
Nëpërmjet raporteve EITI tanimë shumë të dhëna rreth zhvillimeve të industrisë janë publike dhe të aksesueshme nga të gjithë. Aktualisht 63% e vendeve implementuese EITI, të validuara, kanë publikuar informacione të plota ose të pjesshme për dhënien ose transferimin e licencave. Këto të dhëna janë të aksesueshme online në dispozicion të publikut.
95% e vendeve implementuese EITI, të validuara, kanë publikuar informacion mbi prodhimin në sektorin nxjerrës si dhe 84% e vendeve të validuara kanë publikuar të dhëna mbi eksportet për vit fiskal.
67% e vendeve implementuese EITI, të validuara, kanë publikuar informacion mbi shpenzimet sociale nga kompanitë nxjerrëse dhe 100% e vendeve EITI të validuara kanë publikuar informacion për kontributin e sektorit nxjerrës në ekonomi, duke përfshirë të dhëna mbi punësimin dhe një vlerësim të aktivitetit të sektorit joformal. Më shumë se 110 miliardë dollarë të ardhura jane të publikuara përmes raporteve EITI në vitin 2017.
Aktualisht në të gjitha vendet anëtare EITI po punohet për deklarimin e Pronarëve të Vërtetë Përfitues (Beneficiary Ownership), pjesë e Standartit EITI, si dhe disa vende ku përfshihet dhe Shqipëria, kanë nisur raportimin për Procedurat e Tregtimit të lëndëve të para për kompanitë me kapital publik (Commodity Trading), dhe me publikimin e këtyre informacioneve të rëndësishme pritet që EITI të jetë në ballë të shumë debateve publike.