EITI zbulon planet e punës për vitin 2015

EITI zbulon planet e punës për vitin 2015

Ky artikull u publikua fillimisht në faqen e internetit të Sekretariatit Ndërkombëtar EITI (eiti.org), e Mërkurë, 14 Janar 2015

Mbështetja tek përvoja dhe praktikat më të mira, nxitja për zbatimin e duhur të Standardit EITI dhe mbështetja ndaj vendeve për të kaluar nga transparenca tek llogaridhënia dhe debati i informuar publik, janë disa nga prioritetet kyçe të Nismës për Transparencë në Industritë Nxjerrëse (EITI) në vitin 2015.

Në mesazhin e tij për Vitin e ri, Kreu i Sekretariatit të EITI-it, Jonas Moberg, shtoi se pjesë e planit të punës për këtë vit do të jetë konsolidimi i EITI-it si një standard global duke synuar pozicionimin e tij strategjik, shtrirje më të gjerë, zhvillimin e rrjetit dhe ndërveprueshmërinë e të dhënave.

Ai shtoi se viti i ri do të sjellë rritje të numrit të vendeve zbatuese dhe kompanive mbështetëse, si dhe më shumë përpjekje në këto vende për forcimin e sistemeve të të dhënave, nxitjen e debatit publik dhe krijimin e besimit.

Ai bëri të ditur se dyzet e tetë vende, prej të cilave 31 janë në përputhje me Kërkesat EITI, janë duke zbatuar aktualisht EITI-n. “Kolumbia, Myanmar, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë disa nga vendet që i janë bashkuar Nismës në vitin 2014. Zbatimi i EITI mund të bëhet në shumë situata të ndryshme dhe tani ne kemi 48 arsye të ndryshme për zbatimin e tij, 48 modele të ndryshme, dhe 1 Standard. Raportet vjetore të veprimtarisë, të cilat kërkohen për herë të parë këtë vit, japin shembuj konkretë të përpjekjeve të ndërmarra për të përmbushur dhe/ose për të ruajtur pajtueshmërinë me Kërkesat EITI dhe dokumentojnë ndikimin e EITI në secilin prej vendeve zbatuese.

“Myanmar po e përdor proçesin EITI si një forum për reformat e saj të mëdha në këtë sektor, përfshirë deklarimin e pronësisë së dobishme, transparencën e kontratatave dhe fondet e pasurisë sovrane. Peru-ja po e përdor raportimin EITI për të dhënë llogari mbi 50 për qind të të ardhurave që shkojnë drejtpërdrejt për shtetet. Ndërsa një nga prioritetet e EITI në Nigeri është thellimi i njohurive për mënyrën e shpenzimit të parave të fituara nga nafta. Kohët e fundit është kryer edhe një auditim për shpërndarjen e shpenzimeve të burimeve të industrive nxjerrëse i cili synon të zbulojë se si janë ndarë të ardhurat nga sektori nxjerrës, ku janë transferuar dhe se si janë shfrytëzuar ato nga ana e agjencive federale, shteti, dhe pushteti lokal”, shtoi ai.

Moberg la të kuptohet se pavarësisht faktit që ka 48 proçese të ndryshme EITI, për të gjitha vendet zbatuese dalin tema të përbashkëta në të cilat ato duhet të përqëndrohen. “Një shembull i tillë është pronësia e dobishme. Njëmbëdhjetë vende janë pjesë e një projekti pilot për zbulimin e identitetit të pronarëve të vërtetë që fshihen mbas kompanive nxjerrëse që operojnë në vendet e tyre. Qëllimi i këtij projekti është të vlerësohet fizibiliteti për të kërkuar deklarimin e pronësisë së dobishme përmes EITI-t, përfshirë shqyrtimin e praktikave ekzistuese të deklarimit në vendet zbatuese që marrin pjesë në projektin pilot dhe identifikimin e qasjeve të duhura për deklarim. Edhe vende të tjera kanë shprehur interes dhe po ndërmarrin veprime në lidhje me pronësinë e dobishme jashtë objektit të projektit pilot.

“EITI po kthehet gjithnjë e më shumë në një forum ku qeveritë, kompanitë, dhe shoqëria civile takohen për të rënë dakord mbi një axhendë të përbashkët për qeverisje më të mirë të burimeve natyrore. Mbi 1000 individë formojnë së bashku 48 koalicione kombëtare të EITI dhe Bordin Ndërkombëtar EITI, dhe rreth 350 njerëz në të gjithë botën punojnë çdo ditë në sekretariatet EITI për zbatimin e tij. Mbështetje ndërkombëtare për EITI kanë ofruar edhe nëntëdhjetë e një kompani të përfshira në shfrytëzimin e naftës, gazit dhe minierave, ndërkohë që tetë kompani kanë premtuar mbështetjen e tyre gjatë vitit 2014. Bordi EITI ka miratuar gjithashtu edhe një protokoll të ri për shoqërinë civile që përshkruan pritshmëritë në lidhje me pjesëmarrjen e shoqërisë civile në proçeset EITI”.