EITI dhe Tranzicioni i Energjisë

EITI dhe Tranzicioni i Energjisë

Më 14 Dhjetor 2021, Sekretariati Ndërkombëtar EITI organizoi në format virtual Konferencën dhe Seminarin rajonal Tranzicioni i Energjisë. Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte diskutimi i statusit aktual si dhe politikave të reja për të mundësuar një platformë për vendet zbatuese të EITI-it në Euroazi dhe Azi-Paqësor për përgatitjen e Tranzicionit të Energjisë.

Shqipëria ishte e ftuar për të ndarë shembullin e saj në lidhje me kontributin e dhënë në këtë drejtim, duke qenë një prej pionierëve të përfshirjes së kapitullit të energjisë së rinovueshme në Raportimin e saj.

Pjesëmarrëse në panelin e diskutimeve, Drejtuesja e Sekretariatit Kombëtar EITI Shqipëri, znj. Matilda Kërçaku, u shpreh se ndërsa tranzicioni i energjisë po përfshin gjithnjë e më shumë vende në mbarë botën, ne besojmë se është e rëndësishme që raportimet e ardhshme EITI të përputhen me këtë prirje, në mënyrë që të sigurohet transparencë dhe llogaridhënie, për valën e madhe të investimeve që do të rrjedhin drejt burimeve të reja të rinovueshme.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori Ekzekutiv i Sekretariatit Ndërkombëtar EITI, z. Mark Robinson theksoi rëndësinë e shkëmbimit të ideve dhe eksperiencave të ndërsjella, në mënyrë që të gjitha vendet e rajonit të krijojnë një plan pune me objektiva sa më të qarta në sektorin e energjisë.