PËRSHKRIM I SHKURTËR
Rrethi i Bulqizës shtrihet në pjesën lindore të Republikës së Shqipërisë dhe kufizohet, në lindje me Dibrën e Madhe (në Maqedoni), në veri me Rrethin e Dibrës, në perëndim me Rrethin e Matit dhe Rrethin e Tiranës dhe në jug me Rrethin e Librazhdit. Qendër administrative e rrethit është qyteti i Bulqizës.
Përgjithësisht relievi është me terren të thyer malor me lartësi që shkojnë nga 420 m deri 2101 m. Në këtë territor shtrihen Lugina e Bulqizës me shtrirje nga perëndimi në lindje me gjatësi 25 km e gjërësi deri 1 km, që fillon në perëndim me Qafën e Buallit në lartësinë 842 m, ku kalon rruga automobilistike që lidh Burrelin me Bulqizën, Peshkopinë e Dibrën e Madhe. Kjo luginë përshkohet nga Zalli i Bulqizës që derdhet në Drinin e Zi. Në këtë rreth gjënden edhe Lugina e Okshtunit që përshkohet nga Zalli i Okshtunit deri sa bashkohet me Zallin e Bulqizës në Çerenec; Lugina e Zogjes; Lugina e Martaneshit; Rrafshnalta e Gollobordës; Fusha e Gjoricës; Fusha e Homeshit; Fusha e Vajkalit; Fusha e Klenjës dhe Fusha e Ballenjës. Toka bujqësore më pjellore njihen Fusha e Gjoricës dhe Fusha e Homeshit. Bujqësia është mjaft e prapambetur për shkak të mungesës së mekanizimit të punimeve dhe të formave të përparuara të shfrytëzimit të tokës edhe në terrenin e thyer ku gjëndet pjesa më e madhe e tokës së punueshme.
Në territorin e rrethit të Bulqizës janë edhe malësia e Martaneshit dhe e Gollobordës që kanë pamjen e një pllaje të valëzuar që rrethohen nga male të lartë. Lartësia më e madhe është në jug të maleve të Allamanit Maja e Kreshtës (2101m) dhe në malet e Lopës, Maja e Dhokzit (2020m) dhe maja e Kaptinës (1873m).
Në Bulqizë dhe në Krastë gjënden vendburimet më të mëdha në Shqipëri të mineralit të kromit, që bashkë me 36 mijë ha me pyje të pishës e të ahut, që përbëjnë bazën kryesore të zhvillimit ekonomik të rrethit.
Klima në gjithë rrethin e Bulqizës është kontinentale e ftohtë në dimër dhe e thatë në verë. Lugina e Bulqizës duke qenë e hapur nga lindja, përshkohet shumë nga erërat. Temperatura mesatare vjetore arrin vlerën 10°C dhe temperatura maksimale është regjistruar deri 35°C në verë e ajo minimale –18°C në dimër. Sasia mesatare e reshjeve të një viti arrin në 980 mm. Historikisht rrethi i Bulqizës përbëhet nga një popullsi autoktone e vendosur në gjashtë krahina: Bulqiza, Gryka e Madhe, Gryka e Vogël, Okshtuni, Martaneshi dhe Golloborda.
POPULLSIA
Sipas Censusit të vitit 2011 ka një popullsi prej 32,210 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 40,223 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 678.51 km2 me një densitet prej 59.28 banorë/km2 sipas Regjistrit Civil dhe 47.47 banorë/km2 sipas Censusit 2011.
Bashkia Bulqizë ka në përbërje 8 Njësi Administrative, të cilat janë: Bulqizë, Martanesh, Fushë-Bulqizë, Zerqan, Shupenzë, Gjoricë, Ostren dhe Trebisht. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Bulqizës dhe qarkut të Dibrës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Bulqiza dhe Krasta) dhe 63 fshatra.
SHOQËRIA CIVILE
Aktiviteti i shoqërisë civile mbulohet nga organizata me karakter kombëtar ose rajonal.