08 Gus Asnjë lek nga renta minerare për pushtetin vendor
Gazeta Shqip 26 Qershor 2014
Të ardhurat/ Drejtuesja e sekretariatit për transparencën, Dorina Çinari: Gati raporti “EITI 2011”
Sipas të dhënave për vitin 2011, pushtetit vendor nuk i është transferuar ndonjë lek në formën e rentës së grumbulluar, pagesat e derdhura nga kompanitë që shfrytëzojnë pasuritë natyrore të vendit. Ky është konkluzioni i raportit që po përgatit Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (ALBEITI) në Ministrinë e Energjisë. “Principi i EITI-it është që nga të ardhurat që gjenerohen nga shfrytëzimi i burimeve natyrore të përfitojnë njerëzit e këtyre zonave. Komunitete që banojnë në Bulqizë, ku operojnë me qindra licenca minerare apo Patosi me problemet e veta ekologjike, do të përfitonin ndjeshëm në zbutjen e fenomeneve sociale dhe mjedisore nga kthimi i përqindjes së rentës minerare në zone”, shprehet për gazetën “Shqip”, Dorina Çinari, drejtuese e sekretariatit ALBEITI. Duhet të shuajmë varfërinë që vjen si “mallkim i zonave të pasura burime natyrore”, thotë Çinari dhe shton se, “synimi është që këto standarde t’i bëjmë objekt të punës sonë”. E pyetur se cila është transparenca që realizohet me raportet nga ALBEITI, Çinari shpjegon se, “publikimet e ALBEITI-t kanë të bëjnë me të ardhurat që gjeneron shteti shqiptar nga përdorimi i burimeve natyrore të vendit: nafta gazi dhe minierat. Kompanitë operuese në këtë sektor publikojnë çfarë ata i paguajnë shtetit (taksë, rentë etj.) dhe këto të dhëna rakordohen me të ardhurat e deklaruara nga shteti. Më pas konfirmohen nëse janë kryer këto pagesa dhe në rast të mospërputhjeve fillojnë investigimet e institucionit tonë, se ku kanë shkuar paratë, pasi kjo mospërputhje nënkupton abuzime dhe korrupsion. Ky raport i lejon qytetarët për të parë se sa të ardhura merr qeveria e tyre nga burimet natyrore të vendit, dhe si përdoren këto të ardhura”. Ato thonë se në raportin e ri, EITI 2011, që do të publikojmë këtë javë, nuk ka konstatime të parregullsive në rakordimin e këtyre pagesave. Lidhur me konkluzionin kryesor që bën ky raport, Dorina Çinari deklaron: “Konstatojmë nivelin shumë të ulët të të ardhurave të arkëtuara nga shteti prej këtyre kompanive. Për shembull, në vitin 2010 këto të ardhura përbënin vetëm 1.2 për qind të shumës së përgjithshme të të ardhurave fiskale të shtetit shqiptar. Në të kaluarën, këta sektorë përbënin 40 për qind të të ardhurave të buxhetit të shtetit”. Sipas drejtueses së sekretariatit ALBEITI, 30 qershori është afati i fundit i publikimit të raportit të transparencës për vitin 2011. Brenda tetorit 2014, Shqipëria do të publikojë raportin EITI 2012. Vonesën e ka shkaktuar viti elektoral 2013 dhe qeveria e atëhershme. “Nuk u bënë përpjekjet e duhura për të prodhuar raportin”, thotë Çinari. Përgatitja e këtij raporti, sipas drejtueses së ALBEITI-t, kryhet nga një administrator i pavarur, i cili përzgjidhet ndërmjet firmave me reputacion ndërkombëtar për të rakorduar pagesat për vitin fiskal në fjalë. “Duke qenë se Shqipëria nuk respektoi standardin me paraqitjen e raportit EITI 2011, brenda vitit 2013, në janar 2014 bordi i EITI ndërkombëtar, diskutoi masën e pezullimit të Shqipërisë nga anëtarësimi në këtë organizatë. Në një angazhim të menjëhershëm të ministrisë dhe mbështetjes së Bankës Botërore u mundësua sigurimi i fondeve të nevojshme për vazhdimësinë e aktiviteteve në kuadër të transparencës EITI dhe nisja e punës për raportin e ri”, shpjegon Çinari.
ALBEITI
Objektivi
Publikimi i regjistrit elektronik të licencave dhe koncesioneve; Publikimi i të ardhurave nga renta për pushtetin vendor, e cila shkon për përmirësimin e jetës së komunitetit në këto zona
Taksat
Nga kompanitë e naftës dhe minierave, 2% e të ardhurave
Raporti i ri EITI 2011 merr në konsideratë deklarimet e 67 kompanive më të mëdha operatore në sektorin e naftës, gazit dhe atë minerare. “Sipas raportit të ri që do të publikojmë, 10 korporatat e mëdha të naftës dhe të gazit paguajnë rreth 80 për qind të kontributit total të këtyre subjekteve në buxhetin e shtetit, ndërsa 57 kompanitë e tjera paguajnë pjesën e mbetur (20%)”, njofton drejtuesja e ALBEITI-t, Dorina Çinari. Konkluzioni, sipas raportit, është se sektori minerar operon me një numër në rritje të shoqërive të vogla dhe të mesme dhe vetëm disa shoqëri minerare të mëdha. Në 2011-n raportohen rreth 752 leje minerare, por vetëm 57 prej tyre kontribuojnë me 71.8% të vlerës së prodhimit nga sektori minerar dhe rreth 71.4% të sasisë totale të parasë të gjeneruar nga sektori minerar. Pjesa tjetër e të licencuarve kanë aktivitet thuajse të papërfillshëm ekonomik. Në këtë raport, të ardhurat e mbledhura nga shteti prej kompanive në sektorin e industrive nxjerrëse nuk i kalojnë 2 për qind të totalit kombëtar të të ardhurave fiskale për vitin 2011.