Takim zyrtar në Komisionin e Pavarur për Minierat dhe Mineralet (KPMM) të Kosovës

Në datën 9 Mars 2018 Drejtori i Sekretariatit Kombëtar Alb EITI, z. Ardit Kamberi, ka zhvilluar takime pune në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerare (KPMM) të Kosovës, në funksion të bashkëpunimit për proçesin e anëtarësimit të Kosovës në Nismën Globale EITI.

Në takime pala kosovare përfaqësohej nga Kryetari i Bordit të KPMM, z. Musa Shabani, Kryeinspektori i KMPP z. Fatmir Gerguri, si dhe anëtarë të Bordit të KPMM të Kosovës.

Gjatë takimit z. Kamberi bëri një prezantim të avantazheve multidimensionale që ofrohen nga proçesi i anëtarësimit në Koalicionin e 51 vendeve anëtare të EITI Ndërkombëtar, i cili promovon dhe monitoron Transparencën dhe Mirëadministrimin e Burimeve natyrore të një vëndi, në sektorët Hidrokarbur, Minerar dhe Elektro Energjitik.

Në nivel Ndërkombëtar proçesi i Raportimeve EITI ka përfshirë informacion të detajuar për të Ardhurat nga Industria Nxjerrëse, në masën 2.4 trilionë USD, me  një total monitorimi të dhënash prej 332 vitesh fiskale në vendet anëtare të EITI.

Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në Iniciativën EITI nga viti 2013 dhe  deri tani ajo ka publikuar  8 Raporte EITI,  të cilët i përkasin viteve fiskale 2009 deri më 2016.  Raporti EITI 2016 u publika në 15 Shkurt të këtij viti.

Drejtori i Alb EITI  theksoi se gjatë vitit 2017 Shqipëria kaloi suksesshëm në proçesin e Validimit Ndërkombëtar  dhe në rezultatin zyrtar të publikuar nga Bordi i EITI Ndërkombëtar  Shqipëria vlerësohej me Progres Domethënës në aktivitetin EITI.

Z.Kamberi gjatë takimit evidentoi prioritetet e  Sekretariatit EITI-Shqipëri,  ku përfshien si; Promovimin e Transparencës   dhe  bërjen publike të të ardhurave nga Industria nxjerrëse,  me qëllim informimin publik dhe zhvillimin e një debati konstruktiv mbi përdorimin racional të këtyre të ardhurave, për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm, të ekonomisë kombëtare; Bërja publike e Pronarëve (përfituesve) të vërtetë në industrinë nxjerrëse; Përfshirja e Shqipërisë në Projektin Pilot të Commodity Trading; Impakti social dhe  mjedisor të industrisë nxjerrëse në zonat ku zhvillohet kjo industri; Monitorimi i përfitimeve nga renta minerare i komuniteteve të cilët banojnë në zonat ku ushtrohet aktivitet i Industrisë Nxjerrëse.

Po ashtu, z. Kamberi bëri një prezantim të detajuar të hapave proçeduriale dhe institucionale që duhen ndjekur për t’u bërë vend Kandidat në EITI Ndërkombëtar,  në konformitet me Udhëzuesin zyrtar të Sekretariatit Ndërkombëtar EITI, si dhe artikulimin e kërkesave zyrtare për proçesin e Kandidimit.

Sekretariati Kombëtar EITI Shqipëri në vijimësi  ka patur kontakte dhe ka bashkëpunar me strukturat e qeverisë së Kosovës dhe organizata të shoqërisë civile në Kosovë,  të cilat kanë qenë të interesuar për njohjen dhe avantazhet e implementimit të  standartit  EITI, duke referuar aktivitetet e përbashkëta të organizuara në Qershor 2016, Tetor 2016,  si dhe Prill 2017.

Gjatë takimit Kryetari Bordit KMPP z. Shabani evidentoi potencialet natyrore dhe specifikisht të sektorit minerar në Republikën e Kosovës,  si dhe vuri theksin në proçesin e Transparencës dhe mirëadministrimit për shfrytëzimin e këtyre potencialeve në Kosovë.

Z.Shabani duke vlerësuar statusin dhe rolin aktiv të Shqipërisë në proçesin EITI, shprehu dhe konsideratat për përpjekjet e Sekretariatit AlbEITI për bashkëpunim dhe fasilitimin e proçesit të inicimit të kandidimit të Kosovës në Nismën Globale EITI.

Z.Shabani theksoi se në bashkëpunim dhe me monitorimin e strukturave shtetërore të Kosovës dhe kryesisht të Ministrisë së Zhvillimit të Kosovës, proçesi i anëtarësimit në EITI ka qënë dhe mbetet një nga objektivat politike të Qeverisë së Kosovës.

Kryeinspektori i KPMM, z. Gerguri theksoi se Kosova ka bërë progres shumë evident në pasqyrimin dhe deklarimin publik të informacionit lidhur me sektorin minerar të Kosovës,  duke përfshirë informacionin e detajuar për lejet minerare dhe të ardhurat që gjeneron ky sektor.

Z.Gerguri duke prezantuar detyrat e KPMM, si nje ent nën varësinë e Kuvendit të Kosovës, evidentoi rëndësinë e ndjekjes, kontrollit dhe rregullimit të sektorit të shfrytëzimit të burimeve minerare në Kosovë, dhe theksimin e transparencës si një element shumë të rëndësishëm të këtij aktiviteti.

Në konkluzion të takimit u ritheksua interesi i përbashkët për fasilitimin e proçesit të anëtarësimit të Kosovës në Iniciativën Ndërkombëtare EITI, si dhe në koordinim dhe bashkëpunim me strukturat qeveritare të Republikës së Kosovës (MZHE), të detajohet një axhendë e veprimeve konkrete për materializimin e shpejtë të proçesit të anëtarësimit të Kosovës në këtë Iniciativë Globale, si një edhe nga avantazhet për proçesin e integrimit europian të Kosovës.