Takimi i Bordit Ndërkombëtar EITI dhe Konferenca Ndërkombëtare për Beneficial Ownership Disclosure – Dakar, Senegal

Në datat 31 Tetor – 2 Nëntor  2018 në Dakar, Senegal u zhvillua Takimi i 41-të i Bordit Ndërkombëtar EITI dhe Konferenca Ndërkombëtare për Beneficial Ownership Disclosure (Publikimi i të dhënave për Pronarët Realë në Industrinë Nxjerrëse), të organizuara nga Sekretariati Ndërkombëtar EITI me qëndër në Oslo, me mbështetjen e Qeverive të Britanisë, Francës, Senegalit, dhe Danimarkës.  

Me ftesë të organizatorëve në këto evente të rëndësishme mori pjesë edhe Sekretariati Kombëtar i Shqipërisë, i përfaqësuar nga Drejtori z. Ardit Kamberi.

Në Konferencën Ndërkombëtare merrnin pjesë më shumë se 200 përfaqësues nga mbi 30 shtete dhe Sekretariate Kombëtare EITI, 3 Kryetarë shtetesh, përfaqësues të lartë të qeverive të Zvicrës, Hollandës, Norvegjisë, Departamentit Amerikan të Shtetit,  Ministra dhe përfaqësues të lartë të 24 vendeve afrikane, Bankës Botërore, Institucioneve Ndërkombëtare financiare, si dhe përfaqësues të kompanive më të mëdha në sektorët e industrive nxjerrëse dhe energjisë si: BP, Chevron, Royal Duch Shell, Rio Tinto, Total, Cooper& Gold Inc., Nordea Group, përfaqësues të shoqërive civile, Botës akademike dhe shkencore, medias etj. 

Konferenca me fokus të thelluar në proçesin ndërkombëtar të Publikimit të të dhënave për Pronarët Realë në Industrinë Nxjerrëse, sherbeu si platformë shumë e gjerë për diskutimin dhe përpunimin e veprimeve dhe politikave të koordinuara në nivel global, për finalizimin brënda vitit 2020 të proçeseve të grumbullimit, publikimit, verifikimit dhe përdorimit të të dhënave te lidhura me BO, në konformitet me afatet e dakordësuar nga vendet anëtare të EITI Ndërkombëtar.

Konstatohet se në nivel global rreth 1 trilionë USD humbasin në vendet në zhvillim nga mungesa e Transparencës në shfrytëzimin e burimeve natyrore të këtyre vendeve. Theksohet se rreth 81  vende  me pasuri natyrore me vlera nga më të mëdhatë në nivel global, kategorizohen njëkohësisht edhe si ndër vendet më të varfëra, si pasojë e keqadministrimit të këtyre pasurive, korrupsionit, evazionin fiskal,  transferimeve financiare të paligjshme, pastrimit të parave, etj. Këto flukse informale të ardhurash, shpesh rezulton të bëhen burim financimi për segmente dhe organizatat kriminale dhe terroriste në shumë vende të botës.  

Në diskutimet e Konferencës u theksua se fakti se pronarët e vërtetë të burimeve natyrore janë Qytetarët e  vendeve që i kanë këto pasuri; si dhe publikimi i BO ndikon drejtëpërdrejtë në përmirësimin e klimës së Biznesit, Rritjen e besimit publik, si dhe rritjen e të ardhurave për ekonomitë kombëtare, me impakt pozitiv edhe në aspektet sociale dhe mjedisore.

Bordi Ndërkombëtar EITI në takimin e tij të 41-të diskutoi mbi tematikat kryesore të Implementimit dhe të Arritjeve të Progres Raportit, Proçeset e raportimeve për Commodity  Trading me kompanitë me kapital shtetëror; Proçeset e Validimeve EITI në disa vende anëtare; Planin e Punës për vitin 2019, Përgatitjet e eventit të Konferencës Globale EITI 2019, e planifikuar të mbahet rreth muajit Qershor në Paris; si dhe zyrtarizmin e Drejtorit të ri Ekzekutiv të Sekretariatit Ndërkombëtar EITI, z. Mark Robinson.

Gjatë punimeve të Konferencës Drejtori i Sekretariatit Kombëtar EITI, z. Kamberi zhvilloi takime të shumta përfshi ato me Drejtorin e ri Ekzekutiv të Sekretariatit Ndërkombëtar EITI z. Robinson; Kryetarin e Bordit Ndërkombëtar EITI z. Fredrik Reinfeldt,  Drejtorin e komanduar të Sekretariatit EITI Ndërkombëtar z. Eddie Rich, Anëtarë të Bordit Ndërkombëtar,  Koordinatoren Kombëtare në Sekretariatin Ndërkombëtar zj. Oliana Valigura,  si dhe me shumë përfaqësues të tjerë të lartë të Qeverive, Bankës Botërore  dhe organizmave ndërkombëtare; takime në të cilat u vleresua pozitivisht  angazhimi aktiv i  Shqipërisë në proçesin e Transparencës globale EITI.

Në takimet e realizuara  u evidentua angazhimi i plotë politik i Qeverisë Shqiptare në proçesin e Transparencës,  si një nga faktorët kyç për forcimin e mirëadministrimit të sektorëve të minierave, naftës dhe energjisë elektrike, për të promovuar një klimë atraktive për biznesin e shëndetshëm dhe nxitjen e investimeve të huaja në këta sektorë.

Sekretariati EITI Shqipëri ka prioritizuar në aktivitetin e tij proçesin e Publikmit të të dhënave për Pronarët Realë (BO), duke konceptuar inkorporimin e standarteve ndërkombëtare  në proçesin e draftimit dhe finalizimin të legjislacionit në fushën e Transparencës në Industrinë Nxjerrëse, si dhe përgatitjen e Rregjistrit publik të BO,  në koordinimin me shumë institucione që ushtrojnë  aktivitetin e tyre brënda këtij spektri.

Shqipëria tashmë ka publikuar Roadmap zyrtar për BO, me objektivin e kalimit nga angazhimet politike në veprime konkrete, duke realizuar  këtë proçes nëpërmjet kalimit nga grumbullimi  dhe publikimi i të dhënave,  në fazën  e përdorimit real të të dhënave të cilat duhet të karakterizohen nga: Vlefshmëria, Kredibiliteti, Aksesueshmëria dhe Koherenca, për të maksimizuar debatin, përdorimin dhe interesin publik mbi këto të dhëna.