Takime me përfaqësuesit e Bashkive Berat, Kuçovë, Ura Vajgurore dhe Skrapar

Në datat 2-3 Shtator 2019 nga ana e Sekretariatit Kombëtar AlbEITI  dhe Prezencës së OSBE u organizuan një cikël takimesh konsultative në katër Bashki: Berat, Kuçovë, Ura Vajgurore dhe Skrapar.

Takimet me Kryetarët, Nën-Kryetarët dhe stafet e katër Bashkive u fokusuan në proçesin e maksimizimit të përfitimeve lokale nga Renta Minerare, si dhe impaktin Mjedisor, ekonomiko-social dhe infrastrukturor  të  aktiviteteve Hidrokarbure dhe Minerare në këto komunitete.

Në Bashkinë Berat ushtrojnë aktivitet kompani për 12 Leje Minerare (në nxjerrjen e gurit gëlqeror, ranor silicor, gëlqeror i mermerizuar,) si dhe Kompania “Shell Upsteram Albania B.V.” në fazën e kërkim-zbulimit hidrokarbur; në Bashkinë Ura Vajgurore ushtrojnë aktivitet kompani me 19 Leje minerare për nxjerrjen e Gurit Gëlqeror, në aktivitet hidrokarbur kompania “Sherwood International Petroleum” Ltd dhe kompania “Albpetrol” sha; në Bashkinë  Skrapar ushtrojnë aktivitet kompani për 28 Leje Minerare (gur gëlqeror, gëlqeror pllakor, gurë dekorativë, gëlqeror i mermerizuar, ranor silicor); si dhe në Bashkinë Kuçovë ushtrojnë aktivitet hidrokarbur shoqëria “Sherwood Internantional Petroleum” Ltd.  dhe shoqëria “Albpetrol” sha.

Në takimet me përfaqësuesit e secilës prej të katër Bashkive u diskutuan në formë të detajuar problematika që kanë të bëjnë me:

Shpërndarjen dhe maksimizimin e impaktit social dhe mjedisor të Rentës në komunitetet përfituese; Problematikat që lidhen me efektet mjedisore të aktiviteteve nxjerrëse; Forcimin e kapaciteteve lokale në funksion të shfrytëzimit të instrumenteve ligjore në luftën kundër informalitetit; Ndjekja e hapave të plota proçeduriale për heqjen nga fondi pyjor-kullosor i sipërfaqeve të lejeve të shfrytëzimit minerar konform legjislacionit në fuqi; Impakti i aktiviteteve të Industrisë Nxjerrëse në infrastrukturën rrugore etj.

Gjatë takimeve, z. Kamberi theksoi se Sekretariati Kombëtar AlbEITI ka në fokus implementimin e platformës së zhvillimit afatgjatë për zonat ku zhvillohet aktivitet në Industrinë Nxjerrëse, të konceptuara në politikat aktuale të Qeverisë.

Një rol prioritar në këtë proçes  merr edhe ngritja e kapaciteteve të stafeve të Bashkive për formulimin e objektivave të qarta të zhvillimit lokal, si dhe përgatitjen e projekteve konkrete të cilat duhet të koordinohen me pushtetin qëndror, në funksion të maksimizimit të efekteve  pozitive të aktiviteteve nxjerrëse në aspektin mjedisor, ekonomiko-social dhe infrastrukturor.

Në vijim të komunikimit dhe konsultimeve shumë dimensionale me Pushtetin vendor, me fokus Platformën për Rentën Minerare,  do të ezaurohen fazat e analizave të detajuara të boshllëqeve që konstatohen në pushtetet lokale në lidhje me përfitimet e Rentës minerare (nëpërmjet një analize SWOT), formulimi i një Dokumenti me propozimet lidhur me problematikat që lidhen me Rentën; realizimi i një Forumi Kombëtar brënda vitit 2019, si dhe do të synohet vijimi  i proçesit  të optimizimit të këtyre problematikave me Bashkitë e përzgjedhura  pilot.