Takime me drejtues të Bashkive Pukë dhe Fushë Arrëz, mbi aktivitetin EITI dhe problemet lidhur me përfitimet nga Industria Nxjerrëse në këto zona

Në kuadër  të takimeve me Strukturat Lokale,  në datën  07.09.2018 nga ana e Sekretariatit Kombëtar EITI Shqipëri u realizuan  takime  me Drejtues  në Bashkitë  Pukë dhe Fushë Arrëz,  me qëllim promovimin e nismës EITI, si dhe për të diskutuar dhe problemet lidhur me kontributin e industrisë nxjerrëse dhe koncesioneve në sektorin elektro-energjitik në këto Bashki, Impaktin social dhe mjedisor të të ardhurave nga Renta Minerare,  si dhe problematikat që lidhen me proçesin e deklarimit të bizneseve minerare në konformitet me  Standartin EITI.

Duke vlerësuar potencialet turistike të promovuara sidomos kohët e fundit të Bashkive Puke dhe F. Arrëz, një nga vektorët shumë të rëndësishëm të sektorit  të Industrisë Nxjerrëse, konsiderohen edhe masa konkrete për rruajtjen dhe rikuperimin e mjedisit, në ato zona  ku ushtrohen këto aktivitete.

Në Bashkinë e Pukës aktualisht ushtrojnë aktivitet minerar  6 subjekte,  kryesisht në nxjerrjen e mineraleve të Bakrit, Kromit, Kaolinës, ndërsa në Bashkinë F. Arrëz operojnë 5 subjekte në mineraret e Bakrit, Kromit,  si dhe në proçeset e pasurimit të mineralit të Bakrit.  Po ashtu, në territoret e këtyre Bashkive operojnë edhe  subjekte me Koncesione të HEC-ve të vegjël.

Në takim u diskutua lidhur  me rëndësinë që ka Transparenca në mirëmanaxhimin e burimeve natyrore, si mjeti dhe politika më e mirë për zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor të komuniteteve, si  një prerogativë për krijimin e një klime të qëndrueshme dhe atraktive për biznesin.

Nga strukturat e pushtetit vendor janë evidentuar raste kur bizneset që ushtrojnë aktivitet minerar shkaktojnë ndotje të urave mbitokësore, po ashtu  si  fenomen shqetësues është dhe mos reabilitimi i plotë i  sipërfaqeve të marra për shfrytëzim nga ana e disa subjekteve, e cila  është një kërkesë taksative ligjore në ushtrimin e aktivitetit minerar.

Nga ana e Bashkisë F. Arrëz u kërkua që bizneset të shlyejnë  plotësisht detyrimet e tyre që rrjedhin nga legjislacioni për taksat vendore, po ashtu nga ana e koncesionarëve të HEC-ve të zbatohen kushtet e kontratave për lënien e sasisë së ujit të nevojshëm për bujqësinë.

Përfaqesuesit e pushtetit vendor formuluan interesin e tyre  për angazhimin dhe bashkëpunimin me  subjektet  e Industrisë Nxjerrëse,  për të koordinuar  investime mbështetëse për komunitetin, si pjesë e komponentit të impaktit lokal të këtyre konçesioneve,  lidhur me promovimin e turizmit, si në zonën turistike të Munellës, ose ristrukturimin e disa objekteve  arsimore,  si në zonën e Gjegjanit etj.

Gjatë takimeve të zhvilluara  me drejtuesit e bashkive Pukë dhe Fushë Arrëz  u shpreh angazhimi dhe gadishmëria e plotë për të kontribuar në kuadrin e  nismës EITI dhe bashkëpunuar me Sekretariatin EITI Shqipëri,  me objektivin  rritjes së transparencës dhe mirëmenaxhimit të burimeve natyrore, si dhe  rritjen  e kontributit të industrisë  nxjerrëse dhe hidroenergjisë në zhvillimin ekonomiko-social të këtyre Bashkive.