Takim për impaktin e Rentës mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm

Në datën 19 Nëntor 2019 në Tiranë nga Alb-EITI , Prezenca e OSBE në Shqipëri  dhe Agjensia për mbështetjen e Vetë-Qeverisjes Vendore u organizua Takimi në nivel Teknik për Impaktin e Rentës në Zhvillimin e Qëndrueshëm.

Në takim  morën pjesë përfaqësues të Sekretariatit dhe MSG AlbEITI – Shoqërisë Civile, përfaqësues të Prezencës OSBE në Shqipëri, përfaqësues të Agjensisë për Mbështetjen e Vetë-Qeverisjes Vendore, titullarë të Shoqatës për Autonominë Vendore, përfaqësues të 10 Bashkive pilot, ekspertë të kontraktuar nga OSBE etj.

Në Takim përfaqësuesi i Sekretariatit Kombëtar Alb-EITI z. Ardit Kamberi,  diskutoi mbi fokusin e aktivitetit EITI në Zhvillimin e Qëndrueshëm në zonat dhe komunitetet ku ushtrojnë aktivitet operatorët e industrisë nxjerrëse,  duke vënë theksin mbi rëndësinë e shfrytëzimit prudent dhe transparent të burimeve natyrore dhe impaktin socio-ekonomik dhe mjedisor të tyre.

Përfaqësuesja e Misionit të OSBE zj. Arianna Briganti në fjalën e saj në takim theksoi rolin shumë të rëndësishëm të proçesit për hartimin e Platformës së Rentës Minerare, në koordinim të ngushtë me njësitë e pushtetit lokal,  si pjesë e Platformës për Zhvillim afatgjatë të zonave me aktivitet nxjerrës.

Zj. Adelina Farrici, Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës për Autonominë Vendore theksoi në takim rëndësinë që ka rishikimi i vlerës së rentës minerare në funksion të impaktit sektorial dhe mbështetja për optimizimin nga ana  e Bashkive të adresimit të problematikave që lidhen me rentën dhe industrinë nxjerrëse.

Në sesionet e Takimit përfaqësuesit e Bashkive pilot, përfaqësuesja  e MSG EITI,  znj. Hajnaj, si dhe përfaqësuesit e Agjensisë për mbështetjen e Vetë-Qeverisjes Vendore,  diskutuan mbi rëndësinë e proçesit  të rishikimit të formulës përllogaritëse të Rentës,  thjeshtëzimin e proçedurave  së derdhjes së të ardhurave nga Renta në pushtet lokale,  adresimin e problematikave mjedisore dhe  infrastrukturore që krijohen në zonat me aktivitet hidrokarbur dhe minerar, si dhe mundësinë për të inicuar vlerësimin e fee-konçesionare për aktivitetet e HEC-ve.   

Në prezantimin e draft dokumentit të Politikave për Rentën Minerare të hartuar nga ana e ekspertëve të kontraktuar nga OSBE, e cila do të kalohet për diskutimin dhe vlerësimin e institucioneve vendimarrëse,  u detajuan aspektet e  Manaxhimit dhe Vlerësimit Strategjik të Platformës së Rentës, si dhe draft Planit të Veprimit të Platformës 2020 -2021.