Takim MSG – Prioritetet AlbEITI për përgatitjen e Raportit zyrtar vjetor EITI dhe Deklarimit të Pronarëve Realë (Beneficial Ownership) në Industrinë Nxjerrëse

Në datën 31 Tetor 2019 në ambjentet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë u organizua mbledhja e MSG – AlbEITI, ku morën pjesë anëtarët e MSG, Sekretariatit Kombëtar Alb EITI, përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, AKBN, Shoqatës së Investitorëve të Huaj (FIAA), Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, si dhe  përfaqësues të Shoqërisë Civile.  

Në funksion të Axhendës së takimit të MSG, tematika e diskutimeve u fokusua në:

  • Ecurinë e proçedurave për përzgjedhjen e Administratorit të Pavarur (IA) për përgatitjen e Raportit zyrtar vjetor EITI 2017/2018, duke përfshirë dhe shërbimet e konsulencës për të asistuar agjensitë qeveritare në zbatimin e rekomandimeve nga raportet EITI.
  • Problematika proçeduriale që lidhen me Deklarimin e Pronarëve Realë (Beneficial Ownership) dhe realizimin e Regjistrit të Pronarëve Realë në konformitet me kërkesat e standartit EITI.
  • Prezantim lidhur me aktivitetet e Sekretaritit Kombëtar Alb – EITI dhe axhenda e takimeve ndër-vendore me Pushtetin lokal.
  • Parapërgatitjen e implementimit të Veprimeve korrigjuese për efekt të Validimit të 2-të Ndërkombëtar EITI për tu realizuar deri në Qershor 2020.
  • Adresimi i problematikave të Rentës Minerare dhe manaxhimi efektiv i të ardhurave në nivel lokal.    

Gjatë takimit  në diskutimet e  Kryetarit të MSG EITI dhe Zv.Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë z. Ilir Bejtja, përfaqësuesit të Sekretariatit Kombëtar EITI z. Ardit Kamberi, përfaqësuesit të Shoqatës së Investitorëve të Huaj  z. Përparim Alikaj, përfaqësueses të   Shoqërisë Civile znj. Anila Hajnaj,  si dhe anëtarëve të tjerë të MSG Alb-EITI,  u vu theksi mbi domosdoshmërinë e koordinimit ndërinstitucional lidhur me finalizimin e proçesit të draftimit të projekt Ligjit për Transparencën në Industrinë Nxjerrëse, ku parashikohet të inkludohen edhe termat e BO;  koordinimin me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë si dhe Ministrinë e Drejtësisë,  lidhur me proçesin e Deklarimit të Pronarëve Realë (Beneficial Ownership), duke përfshirë dhe  bashkëpunimin me QKR për të dhënat që lidhen me Regjistrin të Pronarëve Realë në Industrinë Nxjerrëse.

Po në këtë kontekst, u relatua dhe diskutua në mënyrë të detajuar mbi hapat proçeduriale që do të ndiqen për  proçesin e përzgjedhjes së  Administratorit të Pavarur (IA)  për përgatitjen e Raportit zyrtar vjetor EITI 2017/2018, në konformitet me proçedurat e Bankës Botërore,  si dhe në koordinim edhe me Sekretariatin Ndërkombëtar EITI në funksion të termave kohore për përgatitjen e këtij Raporti.

Gjatë takimit të MSG u bë edhe nje prezantim i detajuar  i aktiviteteve që ka zhvilluar  Sekretariatit Kombëtar Alb-EITI për periudhën e 4 mujorit të fundit.